Mediat britanike: Shqiptarët trafikohet përmes peshkatarëve

Mediat britanike vazhdojnë me jehonën që u bëhet emigrantëve shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas “Daily Mail”, trafikantët i ofrojnë peshkatarëve shuma të mëdha parash për të dërguar emigrantët shqiptarë nga Franca për në Britani përmes detit.
Peshkatarët britanikë tregojnë për prestigjiozen “Daily Mail” se trafikantët e qenieve njerëzore i ofrojnë shuma të mëdha parash për të kaluar emigrantët përmes kanalit La Mansh. Tabloidi britanik shkruan se një peshkatar ishte shumë i shqetësuar rreth lehtësisë së trafikimit në bregun jugor saqë ka informuar Departamentin për Emigracionin, ndërsa kishte marrë këtë përgjigje: “Çdo gjë është në rregull”. Peshkatarët në Dymchurch në Kent, afër zonës ku u shpëtuan 18 shqiptarë, tregojnë se u është ofruar rregullisht para për të trafikuar emigrantë.
“Unë jam pyetur në të kaluarën nga një person nëse isha i interesuar për të bërë para”, tregoi një peshkatar për “Skai Njuz”. “I kam thënë atij se nuk isha i interesuar që të trafikoja pije apo duhan ose drogë nga Franca, ndërsa ai më tha: Jo mall, por njerëz”, shprehet peshkatari. “Po na ofrojnë 20 deri në 25-fishin e atyre që mund të fitojmë duke peshkuar në ditë, por të gjithë e dinë që është e paligjshme dhe se kjo gjë dënohet me burg”, shkruan “Daily Mail” duke cituar peshkatarin.
Ndërkohë, një shtetas francez, pronari i një jahti ka treguar se ka trafikuar shqiptarë përmes kanalit La Mansh për në Devon. Didier Corfec tregon se u ka marrë atyre 1 mijë euro për emigrant. Francezi pas 20 orësh lundrim në det, u kishte thënë shqiptarëve që të mos dilnin të gjithë njëherësh nga jahti pasi do të tërhiqnin vëmendjen. 54-vjeçari tregon se është më e lehtë të kalohet në dimër për në Britani pasi ka më pak kontrolle. Corfec kishte bërë dy udhëtime për në Mbretërinë e Bashkuar duke trafikuar 14 shqiptarë më 2012. Ai ishte dënuar dhjetorin e kaluar së bashku me 12 francezë të tjerë dhe janë gjobitur me 11 mijë paund, si dhe është dëbuar për 18 muaj.

Artikulli paraprak“El Pais”: Si shqiptarët mbuluan Europën me drogë me moton “i pasur ose i vdekur”
Artikulli tjetërPlantacionet me drogë në Pleshnik të Beratit që mbrohen nga drejtori i policisë