Më fal, i miri Mil, më fal o njeri i madh

Agim XHAFKA

Sot ndesha përballë Milin,kushëririn tim. I mpakur,i dobët,i zverdhur,me vêshtirësi hiqte zvarrë ca këpucë tê rënda ushtarake.
Jeta e tij një mallkim. Internuar me kuç e maç se babai, mësues vizatimi, u akuzua se mahnitej pas rrymave moderne. Kaq mjaftoi që për 25 vjet mos shihte qytet me sy,të jetonte maleve e të kishte zili qenin. Ngeli pa martuar,pa familje e fëmijë.

Ne,krejt fisi e mohuam. Nuk pyetëm në ishte gjallë a vdekur. Shkurt pamë bythën tonë.Tani ai rrëmon kazanëve mos kapë ndonjë krodhe. Quhet i përndjekur,por me ardhjen e rilindësve e kupton që ka rivdekur. Babai i një deputeti të sotëm ia bëri gjëmën.
Sa e pashë m’u mblodh një lëmsh e doja ta përqafoja,t’i flisja,ta ndihmoja…Por ai më mënjanoi me stapin e tij plot gunga.
-Jam Agimi,-i thashë.-Kushëriri yt.

Ai nuk reagoi. Tërhoqi me inat torbën plot lyrë dhe iku zvarrë zvarrë.
-Nuk më foli,-i thashë motrës.-Nuk më do pranë,nuk…
-Pusho,-tha ajo. -Jemi me fat. Se me atë injorim që u kemi bërë plagëve të tij unë të isha Mili ju vrisja në vend si farefis. Nuk ta bëja dysh,as do hezitoja.

Në rrugë dukej vija e shkopit. E thellë nga që ai rëndonte shumë mbi të,e kishte si gjymtyrën më të shëndetshme. M’u zu lukthi,e kujtova të ri e të bukur. E katandisën si qen. Më qahej nga që më vinte dhe turp prej vetes. Mili qe larguar,ja atje tutje,tek kazanet e rrugicës tjetër. Hyri gati brenda e po rrëmonte… U ula te një prag dere i një shtëpie. Jeta ka plot gracka,por Mili u kap nga të gjitha.

Nuk shpëtoi të paktën për një copë rrugë të jetës. Që të kujtonte se ishte ca vite njeri,ca vite kishte ngrënë në tavolinë e kishte fjetur në krevat. Por ja që fati ishte kaq i zi sa qymyri dukej i bardhë. Endet Mili rrugëve e nuk do ndihmë, por mëshirën e urren. E pashë te sytë,sa nuk nxori flakë kur më pa.

Brenga më kaploi e Milin e kam në mendje. Por ai më harroi që atë çast, siç e përbuza unë në vitet më të rënda. Ai nuk fal, por unë do i falem dhe do i lutem. Çdo ditë e papushim. Si pika e ujit mbi zemrën e tij akull. E do t’ja zbus,se gjaku nuk bëhet ujë. Më fal, i miri Mil, më fal o njeri i madh. Të lutem e të përgjérohem kushëri, shok, o i pafat…

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërPërse duhet domosdoshmërisht Veliaj në hetim për 21 janarin!!!