Mbledhja e qeverisë Rama në Lezhë/ Alfrida Marku: Show i radhës për të mbuluar abuzimet

Lidhur me mbledhjen e qeverisë në Lezhë, ka reaguar Sekretarja për Pushtetin Vendor në PD, njëkohësisht kryetarja e degës së PD-së Lezhë, Alfrida Marku.

Për zonjën Marku, gjithçka bëhet për të mbuluar abuzimet me propagandë dhe për t’u tallur me shqiptarët.

“Show-n e radhës për të mbuluar abuzimet me propagandë duke u tallur me shqiptarët, Kryeministri e ka zhvendosur në Lezhë, në zonën bregdetare të Shëngjinit, e betonizuar, me infrastrukturën rrugore të harruar qëllimisht e në përpjekje në kundërshtim me ligjin, për ta kthyer në pikë pritje për refugjatët.” – shprehet ajo. 

Më tej zyrtarja e PD-së thotë se “asnjë investim konkret strategjik për zhvillimin ekonomik nuk është parashikuar për Qarkun Lezhë, për vitin 2024 sikurse në 10 vite qeverisje. Asnjë rrugë nacionale për t’u rehabilituar apo ndërtuar sipas standartit dhe në ecuri me fluksin”.

Më poshtë postimi i plotë i Anëtares së Kryesisë së PD-së, Alfrida Marku: 

Show-n e radhës për të mbuluar abuzimet me propagandë duke u tallur me shqiptarët, Kryeministri e ka zhvendosur në Lezhë, në zonën bregdetare të Shëngjinit, e betonizuar, me infrastrukturën rrugore të harruar qëllimisht e në përpjekje në kundërshtim me ligjin, për ta kthyer në pikë pritje për refugjatët.

 Ndërkohë: 

Institucionet kanë dështuar për të garantuar rendin e sigurinë në Qarkun Lezhë. Kanë dështuar në parandalimin e ndëshkimin e aktivitetit të grupeve të strukturuara kriminale. Lezha, Kurbini e Mirdita janë kryefjalë e kronikës së zezë. Zonat malore, në vend të zhvillimit të turizmit, janë kthyer në vende të mbjelljes e kultivimit të drogës. 

Banorët e Lezhës po largohen. Sipas të dhënave paraprake të INSTAT, Census i fundit, jo më shumë 40 % e banorëve jetojnë në Lezhë. 60% e banorëve janë larguar, kanë emigruar, për shkak të papunësisë, mungesës së shërbimeve, rendit e sigurisë. 

Rreth 40 mijë pensionistë mbijetojnë,  me pensione të pamjaftueshme për jetë dinjitoze, sa qiraja e një banese, fatura e ujit dhe energjisë elektrike, të pamundur për tu ushqyer apo për blerë ilaçet. 

Qarku Lezhë ka shkallën më të lartë të papunësisë në vend dhe nivelin më të ulët të investimeve, me tokat bujqësore jo efiçente, industrinë që nuk ekziston, zonat bregdetare që gradualisht po humbasin dhe identitetin për shkak të ndërtimeve abuzive e pa kriter. 

Milliona euro nga fondet e BE të adresuara në Lezhë dhe pa produkt për shkak të abuzimeve. 

Asnje investim konkret strategjik për zhvillimin ekonomik nuk është parashikuar për Qarkun Lezhë, për vitin 2024 sikurse në 10 vite qeverisje. Asnjë rrugë nacionale për t’u rehabilituar apo ndërtuar sipas standartit dhe në ecuri me fluksin. 

Asnjë zgjidhje për segmentet Milot – Balldre dhe Milot-Thumane. Asnjë zgjidhje për aksin Lezhë – Shëngjin, duke penguar qëllimisht zhvillimin e Turizmit në Shëngjin. 

Banorët e bizneset në Lezhë vuajnë mungesën e energjisë elektrike, edhe pas 5 milion eurove të “shpenzuara” në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. 

15-23 % tatim mbi të ardhurat për të vetëpunësuarit dhe profesionet e lira, do ulin iniciativën e biznesit, do shkurtojnë vendet e punës si dhe demotivojnë akoma më shumë profesionistët. 

Çmime që rriten çdo ditë, taksa të shtuara për të mbuluar abuzimet, paga të pamjaftueshme, mijëra familje në vështirësi për të përballuar jetesën. 

841 familje të prekura nga tërmeti në Kurbin ende s’kanë zgjidhje për strehimin, madje prej një viti nuk marrin as pagesën e qirasë. Pa zgjidhje edhe 53 familje në Lezhë. 

Për këto e probleme të shumta të tjera, pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Rama duhet të japë llogari para shqiptarëve dhe të heshtë duke i dhënë fund propagandës. 

Artikulli paraprakBisedë me Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2022 (Stefan Çapaliku, Mira Meksi, Olimbi Velaj, Behar Jacaj, dhe Edi Gogu)
Artikulli tjetërPD, Mirela Karabina: Njerëzit presin zgjidhje nga Edi Rama, ai u ofron shfaqje