Mattis: Do ta asgjësojmë Korenë e Veriut nëse guxon

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis ka paralajmëruar Korenë e Veriut të mos nisë një luftë kundër vendit të tij. “Nëse ata do të godasin Shtetet e Bashkuara, kjo mund të kulminojë shumë shpejt drejt luftës”, tha Mattis para gazetarëve.
Uashingtoni dhe Pheniani i kanë ashpërsuar gjithnjë e më shumë tonet së fundmi. Presidenti amerikan kishte paralajmëruar se SHBA do të reagojnë me “zjarr dhe zemërim” ndaj testeve të tjera me raketa. Koreja e Veriut kërcënoi pas kësaj me sulm ndaj ishullit Guam, ku SHBA mban një bazë ushtarake. Mattis u shpreh, se nëse raketa do të marrë drejtimin e Guamit, “ne do ta asgjësojmë atë”.

SHBA nuk duan të dëmtojnë popullin koreanoverior

Kreu i Pentagonit, Mattis bashkë me kreun e Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson, të ftuar në një artikull për “Wall Stret Journal”, kishin përdorur një gjuhë tjetër. Tillerson ishte treguar i përmbajtur ndaj zgjidhjes ushtarake. Në artikull theksohet se qeveria amerikane nuk ka ndonjë interes të rrëzojë pushtetmbajtësin Kim Jong Un. Uashingtoni nuk ndjek as ndonjë strategji për bashkim të shpejtë të dy Koreve. “Nuk kemi asnjë nevojë që të dëmtojmë popullin koreanoverior që vuan prej kohësh e që dallon nga regjimi i tij”.
Edhe ditët e ardhshme përmbajnë potencial konflikti mes Uashingtonit e Phenianit. Të martën të dy shtetet koreane përkujtuan fitoren kundër trupave japoneze në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e Phenianit mund ta përdorë këtë për një demonstrim të ri force. Kreu i shtetit koreanoverior, Kim Jong Un i është drejtuar SHBA-së me thirrjen që të lenë “provokimet arrogante” dhe “kërkesat e njëanshme”. Gjatë vizitës në një shtab ushtarak ai e theksoi edhe një herë gatishmërinë për të sulmuar ishullin Guam.
Kina, që konsiderohet si fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut, rriti së fundmi presionin ndaj Phenianit. Ajo reagoi me ndalimin e importit të hekurit, qymyrit dhe frutave të detit nga shteti i izoluar ndërkombëtarisht.

Kim Jong Un po zbythet

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, “KCNA” tha se udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, mori raportet e ushtrisë së tij për planet e një sulmi përreth Guamit, një territor amerikan në perëndim të Oqeanit Paqësor. Kim tha se do të ndjekë për një kohë më të gjatë veprimet e Shteteve të Bashkuara para se të marrë një vendim.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut urdhëroi ushtrinë që të jetë në gjendje gatishmërie nëse ai merr një vendim për të vepruar, thuhet në raportin e “KCNA”-së.
“Shtetet e Bashkuara, që ishin të parat që kanë nisur një numër të pajisjeve bërthamore afër nesh, duhet të marrin vendimin e duhur dhe të dëshmojnë përmes veprimeve se kanë vullnet për uljen e tensioneve në gadishullin korean, në mënyrë që të shmanget ndonjë përplasje ushtarake e rrezikshme”, citohet të ketë thënë Kim.
Njoftimet pasuan paralajmërimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Jim Mattis ndaj Koresë së Veriut, i cili tha se çdo përpjekje për të hedhur raketa në tokën amerikane “mund të përshkallëzohet shumë shpejt në luftë”.
Duke folur me gazetarët në Pentagon, Jim Mattis tha se, “ju nuk i qëlloni njerëzit përderisa nuk jeni të gatshëm të merrni përsipër pasojat”.
Mattis kërkoi të zbuste shqetësimet pas kërcënimeve të mëhershme të Koresë së Veriut për të nisur raketat në drejtim të Guamit.
Ai tha se sistemet e vëzhgimit të raketave në SHBA, mund të përcaktojnë nëse ndonjë e tillë është nisur nga Koreja Veriore drejt tokës amerikane.
Sekretari Mattis tha se Washingtoni preferon zgjidhje diplomatike të dallimeve me Pheninanin.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes për të ndryshuar regjimin apo për të përshpejtuar ribashkimin e Koresë”, shkroi ai “Wall Street Journal” bashkë me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. “Nuk po kërkojmë një arsyetim për të vendosur trupat amerikane në veri të zonës së çmilitarizuar”, thuhet në shkrimin e botuar të hënën.

Artikulli paraprakKërcënimi që vjen nga Irani
Artikulli tjetërLufta finale nuk do të jetë në Kore