Maskat terror në Korçë, grabisin një kazino në qendër të qytetit

Grabitet nën kërcënimin e armës një kazino në lagjen nr.2 në Korçë, pranë Kinemasë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 03:40. Sipas burimeve, dy persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në kazino dhe kanë kërcënuar punonjësit, duke u vendosur armën në kokë. Më pas, ata kanë arritur të marrin një shumë parash dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Policia konfirmoi lajmin dhe bëri të ditur se është lajmëruar për ngjarjen nga punonjësit e kazinosë.
“Jemi njoftuar se në një ambjent lojërash fati (kazino) dy persona të maskuar ku njëri prej tyre dyshohet të ketë qenë i armatosur, duke kërcënuar personelin, kanë marrë një sasi lekësh dhe më pas janë larguar. Nga veprimet e para rezulton, se nuk ka pasur persona të dëmtuar gjatë grabitjes. Grupi hetimor po punon për identifikimin, kapjen e autorëve, si edhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës. Policia nuk jep asnjë shifër se sa ishte shuma e parave të grabitura, por burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për grabitjen e më shumë se 5 milionë lekëve.
Para katër ditësh u grabit një supermarket që ndodhet vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë se Korçës. Nën kërcënimin e armës, mësohet se ai arriti të marrë nga kasa 100 mijë lekë. Këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë bëri që policia të identifikojë në kohë autorin e dyshuar të krimit, i cili kishte pak ditë që kishte përfunduar një tjetër dënim për grabitje.
Po ashtu para dy ditësh maskat grabitën një pikë e grumbullimit të skrapit në periferi të kryeqytetit. Tre perona të maskuar kanë lidhur rojen e objektit që ndodhet në Vaqarr. Më pas, kanë thyer zyrat e biznesit duke u futur brenda tij. Nuk bëhet me dije sasia e parave që autorët kanë grabitur. Autorët janë larguar me një makinë të tipit “Benz”, me ngjyrë gri.

Artikulli paraprakSulmohet me armë magazina e një biznesmeni në Tiranë
Artikulli tjetërDy të vrarë në Durrës, tronditet qyteti bregdetar