Manjani: Rama kërcënoi gjyqtaren pse nuk burgosi një plak për dritat

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se Kryeministri Rama kërcënoi një gjykatëse në Kukës pse nuk jepte vendim për të burgosur një plak që nuk kishte paguar dritat. Qindra qytetarë në të gjithë vendin u arrestuan për mospagesën e dritave, kur qeveria ndërmori aksionin për energjinë elektrike. Në atë kohë, Kryeministri Rama u akuzua se kishte kërcënuar edhe një gjyqtare përmes telefonit. Manjani ka treguar se cilën gjykatëse kërcënoi Rama.
Në një intervistë për portalin “Shuplaka.com”, Manjani thotë se, ka qenë një gjykatëse e Kukësit që u kërcënua përmes telefonit nga Kryeministri Rama për të burgosur një plak për mospagesën e energjisë. “Është një gjykatëse e Kukësit, është marrë në telefon për të futur në burg një plak që nuk kishte paguar faturën e energjisë elektrike. U kërcënua dhe u masakrua gjykatësi që dha masën e sigurisë për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, i cili kishte shkelur ligjin, duke përdorur një pajisje të paregjistruar në institucionet shqiptare, përgjimi, krejtësisht e paautorizuar. Nëse ka shkelje ligji me të dyja këmbët, ajo ishte një shkelje ligji e megjithatë gjykatësi ç’bëri? Konfirmoi një kërkesë të Prokurorisë. Kushdo gjykatës do ta bënte atë gjë.
Dolën me “libër shtëpie”, ky dhe Policia e Shtetit e masakruan atë gjyqtar. Ajo ishte masakër shtetërore me deklarata publike dhe me sjellje krejtësisht brutale dhe harbute të Policisë së Shtetit që bënin sikur hetonin dhe kjo është një gjë që nuk mund të pranohet në një republikë me pushtete të ndara, nuk ka punë kryeministri me jetën e një gjyqtari, fare! Po fare!
Çfarë thoshte Kryeministri? Kush vendos kundër meje është kriminel! “Vrasës serial”, çfarë domethënë “Vrasës serial”? Kujt i thua? Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, mbledh policët dhe u flet për “vrasësin serial”, gjyqtarin?!
Si mund të ishte dakord një ministër Drejtësie me këto gjëra? Kurrën e kurrës! Dhe jo një ministër Drejtësie, por asnjë qytetar normal nuk duhet ta pranojë. Është standard sjellje diktatoriale. Gjykata është jashtë nesh, është jashtë qeverisë, edhe kur gabon, edhe kur sillet e korruptuar. Në fund fare, ai të sjell një vendim.
Pse kur u vendos pezullimi i drejtorit të Policisë së Shtetit e ka fajin Gjykata?! Po mirë ky drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ku e mori të drejtën me përgju njerëz në mënyrë të paligjshme, pa lejën e prokurorit, pa lejën e Gjykatës dhe me një pajisje që nuk ishte regjistruar në Republikën e Shqipërisë?! Po futën në siklet edhe Interforcë-n italiane! Për këto gjëra kush duhet të kërkojë hesap?! Atë gjykatës duhet ta marrësh dhe t’i bësh një lapidar në qoftë se e ka bërë ai gjykatës! Atë prokuror që heton duhet ta mbrosh, jo sulmosh! Nuk lanë gjë pa bërë. Ishte strategji”. Kur Ylli Manjani nuk i është bashkuar “betejës” kundër këtij gjykatësi, Edi Rama është nxehur”, tregon ish-ministri.
Në intervistë Manjani shpjegon edhe rastet kur qeveria ka marrë vendim pa u mbledhur fare. Madje sipas tij, kjo është një praktikë që ndodh shpesh. “Po patjetër. Disa herë. Vendime që këta i quajnë qarkulluese janë të paligjshme! Është marrë vendim edhe për të lëvizur Forcat e Armatosura, edhe për t’i dhënë pasaporta diplomatike Kombëtares. Rama ka bërë me kokën e vet. Ose kur është shkarkuar Elvis Rroshi nuk është mbledhur qeveria! Biles doli në media, edhe me firmën e Kryeministrit, ndërkohë që qeveria ishte me pushime. Unë isha ministër, s’më kishte thënë njeri gjë. Këto duken të thjeshta se shumëkush mund të thotë mirë ia bëri Elvis Rroshit, por luhet me propagandë, jo me ligjet. Në një situatë normale nuk duhet të ndodhë, mirë kur ky vendim të pëlqeka, por mund të marrë një vendim edhe që s’të pëlqen. Prandaj janë krijuar rregullat. Qeveria mblidhet dhe ministri betohet se do punojë 24 orë në 24, edhe kur nuk është ministri ka një zëvendësministër”, u shpreh Manjani.

Artikulli paraprakKufoma në Zvërnec, 31-vjeçari është vrarë për 1.3 ton drogë
Artikulli tjetërBerisha-Ramës: Nuk të falim, as votën, as jetën!