Mafia godet, vritet në zemër të Tiranës ish-drejtori i policisë

Një nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit u vra mbrëmë me armë m’u në zemër të Tiranës. Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur rreth orës 20:00 në zonën e njohur si Rruga e “Kosovarëve” në afërsi të Liqenit Artificial në kryeqytet. Burimet e policisë bënë të ditur se nga breshëritë e plumbave ka mbetur i vrarë ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku 45 vjeç. Vrasja ka ndodhur në një prej zonave që kanë më shumë qarkullim në Tiranë, duke krijuar frikë dhe panik tek qytetarët.
Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se kanë qenë dy persona me motor që i kanë zënë pritë ish-drejtorit të policisë në hyrje të banesës së tij tek Rruga e “Kosovarëve” në Tiranë. Burimet bënë të ditur se, ngjarja ka ndodhur në një moment, kur ai ka qenë duke ecur në këmbë. Ish-zyrtari i lartë i policisë ka qenë i shoqëruar me bashkëshorten e tij dhe me dy fëmijët, por ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët janë futur në banesë, ai është futur në një market dhe sapo ka dalë që andej është qëlluar me 5 plumba, poshtë pallatit ku jetonte së bashku me familjen e tij. Ai ka rënë në tokë i mbuluar me gjak, ndërsa atentatorët janë larguar me motor në drejtim të paditur për policinë.

Kush e vrau ish-drejtorin e Policisë?

Krimi ka marrë zemër dhe po godet edhe zyrtarët më të lartë të policisë. Ndërsa në kohën e qeverisë demokratike kriminelët u arrestuan dhe morën dënimin e merituar, Rama i nxori nga burgu për të vrarë edhe njerëzit e rendit. Rama i nxori në rrugë kriminelët dhe e ngriti krimin në sistem me pretendimin e spo bën shtet. Çfarë shteti mund të quhet ky i Ramës, kur kriminelët po marrin zemër dhe po vrasin edhe njerëzit e shtetit?!
Artan Cuku ka qenë nëndrejtor i Policisë për Krime të Rënda në Tiranë nga viti 2009 deri në vitin 2011.
Më pas, lapsi.al mëson se Cuku mbajti detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës nga viti 2012 deri në vitin 2013. Cuku ka qenë prej 16 vitesh në polici ku ka shërbyer si shef krimesh edhe në Tiranë, Shkodër dhe Fier.
Më pas u largua nga detyra dhe mësohet se këto kohë ka qenë jashtë radhëve të policisë, duke u marrë me aktivitet privat.

Kush ishte ish-zyrtari i lartë i policisë që u ekzekutua me armë

Ish-zyrtari i lartë i policisë, Artan Cuku, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ka mbajtur disa poste shumë të rëndësishme gjatë karrierës së tij në Policinë e Shtetit, deri në vitin 2014, kur drejtori i Përgjithsëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi e pushoi nga detyra me pretendimin se po “rikonstruktonte policinë”.
Artan Cuku, punonjës i lartë në Policinë e Shtetit ka mbajtur edhe detyra të rëndësishme në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit për 16 vjet.
Ai ka qene edhe shefi i Antitrafiqeve në Drejtorine e Policisë se Vlorës, shef Krimesh në Tiranë, Shkodër, Fier. Cuku ka qenë edhe zv/drejtor i Krimeve në Policinë e Tiranës para se të emërohej drejtor në Vlorë.
Ai ka drejtuar Policinë e Vlorës në vitet 2012-2013 dhe ka qenë nën/drejtor i Policisë së Tiranës në vitet 2009-2011.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Artan Cuklu ka drejtuar Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve të Rënda.
Cuku ka mbajtur edhe detyra të tjera si shef Komisariati në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe në Tiranë. Kur ishte në kryeqytet një i shoqëruar nga policia, vëllai i një të arratisuri qëlloi veten me armën e tij.
Më 1 qershor 2014, Artan Cuku u pushua nga puna nga drejtori i Policisë, Artan Didi, me pretendimin se “po rikonstruktohet Policia e Shtetit”.
Dyshimet janë që krimi të ketë ndodhur për hetimet që ka bërë Artan Cuku gjatë kohës kur ka mbajtur pozicionet e larta në Policinë e Shtetit.
Artan Cuku, ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze.
Vrasja ndodhi tek Rruga e “Kosovarëve”, një ndër më të preferuarat për banim kohët e fundit në kryeqytet.

Artan Cuku, tmerri i bandave

Artan Cuku është një emër shumë i njohur, sidomos në Vlorë. Të gjithë qytetarët e mbajnë mend për vendosjen e rendit dhe goditjen e bandave kriminale si dhe luftën ndaj trafikut të drogës. Ishte një nga drejtuesit më të mirë të Policisë së Vlorës, ku vendosi rendin dhe sigurinë në kohë të vështira.
Mbahet mend për kapjen e sasive të mëdha të drogës, qoftë në Karaburun apo në goditjen e grupe të njohura kriminale. Ishte një oficer policie që ndryshoi rrënjësisht për mirë rendin dhe sigurinë në qytetin e Vlorës.
Vendosi në dispozicion numrin e tij të telefonit në shkolla dhe institucionet e tjera, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve. Ka kryer operacione shumë të forta, duke bërë arrestime të bujshme. Gëzonte respekt nga qytetarët.

Prokuroria: Vrasja e ish-drejtorit të Policisë, për shkak të detyrës
Prokuroria ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u vra ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Prokurorët e çështjes që po hetojnë ngjarjen bënë të ditur se, vrasja e ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Artan Cuku është bërë për shkak të detyrës që ai ka mbajtur. Prokuroria bëri të ditur se po heton në këtë pistë, por nuk është i këtij mendimi drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.
Në një dalje për mediat, Hodaj u shpreh se dyshohet se shkak i vrasjes të jetë bërë hakmarrja. Sipas Hodajt, në janar në vitit 2005, kur Cuku ishte shef i Komisariatit Nr.4 të Tiranës një i ndaluar ka vrarë veten. “Unë ju informoj se rreth orës 20:00 ka ardhur një telefonatë për të shtëna armësh në Rrugën e “Kosovarëve”. Kanë vajtur menjëherë në vendngjarje forcat e policisë, ku kanë konstatuar se ishte goditur me armë zjarri një ish-zyrtar i policisë. Të shtënat me armë ishin fatale për jetën.
Janë organizuar postblloqe të menjëhershme, janë dhënë të dhëna për autorët e mundshëm dhe po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Jemi në fazat e para të hetimit, angazhimi jonë është maksimal.
Nuk kemi pasur asnjë informacion, por dhe asnjë kërkesë nga viktima. Jemi shumë herët për të krijuar pista të mundshme, por po punohet në këtë drejtim. Të gjitha pistat do të hetohen nga ana jonë. Kjo është një ngjarje e rëndë, angazhimi i policisë është shumë i madh. Dëshmitarët janë atashuar pranë komisariateve të policisë për të zbardhur ngjarjen”, deklaroi Hodaj.

Reagon Shoqata e Punonjësve të Policisë: Shteti ka kapitulluar para krimit

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim kanë reaguar për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Vrasja e Artan Cukut ka prekur shumë njerëz, kolegë dhe ish-kolegë të tij. Krimi i rëndë që ka tronditur kryeqytetin ka sjellë dhe reagimin e ish-kolegëve të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, të cilët kanë bërë një mesazh ngushëllimi për familjen e tij, ndërsa kërkojnë që të zbardhet ngjarja e rëndë.
“Me dhimbje të thellë mësuam se kolegu ynë Artan Cuku, nuk është më midis nesh. Dora burracake e krimit i mori jetën babait të devotshëm, bashkëshortit të përkushtuar dhe një oficeri model të Policisë së Shtetit.
Artan Cuku, ka shërbyer për më shumë se 15 vite në Policinë e Shtetit, ku edhe ka mbajtur detyra shumë të rëndësishme si zv/drejtor i Drejtorisë së Qarkut Fier, zv/drejtor i Qarkut Tiranë dhe para largimit nga radhët e organizatës ishte drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë.
Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 kërkon nga autoritetet ligjzbatuese të marrin të gjitha masat për zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje, që sipas të gjitha gjasave lidhet me detyrat e larta që kolegu Cuku ka patur deri në vitin 2013, në Policinë e Shtetit dhe luftën pa kompromis që ai ka kryer ndaj krimit dhe elementëve kriminale.
Kjo ngjarje e dhimbshme dhe po aq e rëndë, është tregues i situatës dramatike në të cilën ndodhet rendi dhe siguria në vend, një gjendje që flet për një shtet të kapitulluar para krimit. Paralelisht, ajo është një tjetër provë e shpërfilljes totale nga kjo qeveri, Ministria e Punëve të Brendshme dhe drejtuesve aktualë të Policisë, për ish-punonjësit e policisë, të cilët janë liruar nga detyra për motive cinike e të paligjshme dhe tashmë ndodhen të ekspozuar, pa asnjë mbrojtje ndaj elementëve kriminalë, të bërë palë me këtë pushtet të kalbur e të korruptuar deri në palcë.
Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim-2013 e përcjell me pikëllimin më të thellë këtë ngjarje dhe gjendet pranë familjes e të afërmve të oficerit, kolegut e mikut Artan Cuku”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakMediu: Qëndresë deri në fitoren e kauzës
Artikulli tjetërKush fshihet pas 11.6 tonëve drogë të kapur në Përmet?!