Mafia e plehrave dhe dorëheqja e deputetit

Ervin Koçi, deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, ka dorëzuar mandatin e deputetit. Lajmin për tërheqjen nga kjo detyrë, Koçi e ka dhënë në Facebook, ku nuk ka shpjeguar arsyen e largimit. Në postim, Koçi shkruan se e ka ndërprerë detyrën e tij si deputet më datë 23 mars, pas seancës së djeshme plenare dhe se dorëheqjen ia ka paraqitur Kreut të Kuvenditm Ilir Meta dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ku edhe ka falenderuar Edi Ramën dhe Ruçin.
Deputeti nuk jep asnjë arsye se përse është detyruar që të japë dorëheqjen. Ai ka një “ndjesë publike për çdo banor, i cili ka patur më shumë pritshmëri prej meje e nuk i kam bindur me angazhimin tim, edhe pse jam përpjekur të bëj maksimumin për problematikat dhe kërkesat e komunitetit apo dhe me nevojat e tyre personale”.
Tek kjo pikë e deklaratës së deputetit Koçi janë edhe arsyet e vërteta të dorëheqjes së tij. Koçi është larguar në një moment të vështirë që po kalon zona ku ai është zgjedhur deputet. Zona e Mbrostarit prej javësh vijon protestat kundër instalimit të një impianti plehrash në atë zonë. Banorët janë bashkuar pa dallim të bindjeve politike dhe nuk lejojnë që të zbatohet vendimi i Bashkisë për vendosjen e një impianti, i cili në të vërtetë i dënon banorët e këtyre zonave me vdekje. Kanë qenë po këta banorë që i kanë kërkuar deputetit Koçi që të ndërhyjë pranë qeverisë dhe Bashkisë që të mos lejojë vendosjen e impiantit të plehrave. Duket se përpjekjet e deputetit Koçi nuk kanë sjellë ndryshimin e situatës. Bashkia dhe qeveria janë të vendosur për të ndërtuar këtë impiant plehrasah në atë zonë. Pikërisht në këtë moment vjen edhe dorëheqja e deputetit. Gjatë ditës së djeshme ka pasur protesta mes banorëve dhe policisë dhe në këtë protestë kanë qenë edhe familjarë të deputetit Koçi, të cilët janë banorë në atë zonë. Burime nga Fieri shprehen se ka pasur edhe një kërcënim nga mafia e plehrave në drejtim të deputetit Koçi, të cilit i kanë kërkuar që të ndërhyjë tek banorët për të ndalur protestat. Kjo nuk ka ndodhur dhe protestat vazhdojnë. Ajo që ka ndodhur dje ka qenë dorëzimi i deputetit Koçi, i cili në asnjë rresht të dorëheqjes së tij nuk i ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi. Burime nga Fieri po ashtu bëjnë të ditur se edhe vëllai i deputetit Koçi ka investuar në këtë zonë në ndërtimin e një fabrike qumështi. Instalimi i impiantit të plehrave do të bënte që fabrika të dilte tërësisht jashtë funksionit, duke shkuar dëm edhe të gjithë investimin.
Koçi përfaqësonte njësitë administrative Topojë, Dërmënas, Qendër, Libofshë dhe Mbrostar.

Letra e dorëheqjes së deputetit

Të dashur miq,
Të nderuar zgjedhës të Njësive Administrative Topojë, Dërmënas, Qendër, Libofshë dhe Mbrostar,
Te respektuar banorë të qarkut Fier,
Nëpërmjet këtij statusi, ju vë në dijeni se dje më datë 23 mars 2017 pas seancës plenare, kam ndërprerë detyrën time si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, duke i paraqitur dorëheqjen Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Grupit parlamentar të PS në të cilën bëja pjesë.
Pas rreth 8 vitesh në këtë detyrë, gjej mundësinë të falenderoj për besimin dhe mbështjetjen e dhënë në këto vite të kryetarit të PS Edi Rama dhe drejtuesit të qarkut Fier, Gramoz Ruçi, por një falenderim i pamasë shkon për të gjithë banorët e Njësive Administrative Topojë, Dërmënas, Qendër, Libofshë dhe Mbrostar, ku kam patur nderin e veçantë për t’i përfaqësuar, për mbështetjen e vazhdueshme dhe komunikimin qytetar në funksion të përmirësimit të mirëqenies së tyre.
Një falenderim vjen edhe për gjithë kolegët deputete në këto 8 vite të të gjithë spektreve politike me të cilët kam bashkëpunuar, dhe në veçanti për ekipin e deputetëve të Qarkut Fier, ku së bashku kemi kaluar shumë sfida, si dhe Komisionin e Ekonomisë dhe Financave me të cilën kemi debatuar e diskutuar për mjaft çështje profesionale, të cilat më kanë ndihmuar të shfaqem e të rritem profesionalisht.
Mirënjohje të pafundme për gjithë bashkëpunëtorët e mi ndër vite, të cilët kanë qenë një suport i madh dhe i pazëvendësueshëm për kryerjen sa më mirë dhe me dinjitet të detyrës time, dhe një ndjesë për çdo banor, i cili ka patur më shumë pritshmëri prej meje e nuk i kam bindur me angazhimin tim, edhe pse jam përpjekur të bëj maksimumin për problematikat dhe kerkesat e komunitetit apo dhe me nevojat e tyre personale.
Njëkohësisht ju informoj se, tërhiqem nga të gjitha angazhimet e mia politike dhe do të aspiroj për të marrë përgjegjësi publike si një mundësi e re për të dhënë kontribut të mëtejshëm si dhe për të vazhduar zhvillimin profesional.
Falenderime nga zemra e të pafundme për të gjithë ju miq, që keni qenë pjesë aktive dhe e pazëvendësueshme e të gjithë aktivitetit tim në këto vite.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakPajisja e përgjimit, pse policia e fshehu?
Artikulli tjetërFaqja e pare