Luftë edhe para Prokurorisë në Elbasan, vendi në duart e krimit

Qyteti i Elbasanit është tronditur nga breshëritë e kallashnikovit mëngjesin e djeshëm. Ngjarja ka ndodhur pranë ish-Kirurgjikut të këtij qyteti, shumë afër godinës së Prokurorisë dhe Gjykatës, ku si pasojë e breshërisë së plumbave kanë mbetur të plagosur dy persona, një punonjëse policie dhe Bledar Muça, i njohur si mik i Florenc Çapjas. Bëhet e ditur se i pranishëm në vendin e ngjarjes ishte edhe Florenc Çapja, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Gentian Beqiri, 4 vite më parë. Nga të shtënat, mjetit tip “Ford” AA234FR i është thyer xhami i pasëm. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:15 dhe mësohet se objektiv i atentatit ishte Bledar Muça, 37 vjeç, ndërsa Matilda Kermezi, 49 vjeç, punonjësja e policisë është plagosur aksidentalisht. Në momentin kur ndodhi ngjarja, ajo ishte duke u kthyer për në banesën e saj, pasi kishte mbaruar shërbimin, por puna e saj ndodhet pikërisht në vendin ku ndodhi ngjarja. Kermezi ka marrë dy plumba, një në krah dhe një në shpatull, dhe tashmë ndodhet në reanimacion në Spitalin e Elbasanit.

Panik tek qytetarët

Ngjarja ka ndodhur në një orë kur zona ka qenë tejet e populluar me banorë. Krismat e kallashnikovit kanë vënë në panik të madh dhe të vogël. Kalimtarët e rastit janë tmerruar nga breshëritë e plumbave dhe kanë vrapuar për t’i shpëtuar vdekjes. Është qëlluar pa kontroll dhe plumbat kanë prekur deri institucionet aty pranë.
Burimet e policisë bënë të ditur se, dyshohet se atentati ka qenë i mirëmenduar. Policia ka ndërtuar skemën e lëvizjes së autorëve ndaj shënjestrës. Sipas hetimeve paraprake, makinën tip “Golf” ku udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja, e ka ndjekur nga pas një motor. Në momentin e atentatit një makinë i ka prerë rrugën “Golfit” duke e detyruar të ulë shpejtësinë, ndërsa makina tjetër i ka shkuar paralel dhe ka hapur zjarr. Ndërkohë, autorët janë larguar me një automjet të zi në drejtim të paditur për policinë.
Pak minuta pas atentatit në Elbasan, policia arriti të gjejë armën me të cilën u qëllua ndaj Bledar Muçës. Sipas burimeve të policisë, arma është një kallashnikov, me të cilin u plagos Bledar Muça dhe një punonjëse e policisë. Bledar Muça po lëvizte me makinë bashkë me Çapjen kur janë qëlluar me armë.

Autorët ndoqën ambulancën për të vrarë Bledar Muçën

Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me atentatin në mes të Elbasanit mëngjesin e djeshëm, ku mbetën të plagosur dy persona. Bëhet e ditur se, atentatorët ndoqën më pas edhe ambulancën që po transportonte Bledar Muçën me synimin për ta eliminuar. Kjo gjë ngjall dyshime të forta se Muça ka qenë objektiv i atentatit. Bledar Muça dhe Florenc Çapja mbetën të plagosur nga masakra e Elbasanit në shkurt të këtij viti.
Në atentatin e djeshëm autorët i prenë rrugën me makinë automjetit ku ndodhej Muça dhe Çapja, ndërsa si pasojë e të shtënave me breshëri u plagos aksidentalisht edhe një punonjëse e policisë që po kalonte në rrugë.
Bledar Muça, i plagosur në atentatin e ndodhur në Elbasan, është një emër i njohur për policinë. Në dhjetor të vitit 2012 ai u akuzua për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi. Muça, i kërkuar nga policia, tha se ishte në Londër. Ai iu drejtua me një letër policisë dhe në fillim të vitit 2013 erdhi në Shqipëri. Pas hetimeve, policia i hodhi poshtë akuzat kundër tij. Bledar Muça ishte edhe një ndër të plagosurit e masakrës së 3 shkurtit në Elbasan. Policia nuk e ka ende të qartë nëse shënjestër e atentatit ka qenë ai apo Florenc Çapja, që gjendej në makinë me të dhe që u plagos gjithashtu në atentatin e 3 shkurtit.

R.POLISI

Artikulli paraprakPlantacionet me drogë në Pleshnik të Beratit që mbrohen nga drejtori i policisë
Artikulli tjetërNuk do të pranojmë kurrë më pak se sa moskapja politike e sistemit të drejtësisë