Lirohet ish-drejtuesi i policisë i arrestuar për kultivim droge

Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Haki Hasanbegaj u lirua dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Haki Hasanbegaj, ish-shefi i Rendit në Vlorë arrestuar katër muaj më parë se ndihmonte një grup kriminal që kultivonte kanabis në Tepelenë dhe Vlorë, është liruar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Togat e zeza kanë ndryshuar masën e sigurisë për ish-zyrtarin e policisë nga arrest me burg në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike. Dy muaj me parë, Gjykata e Lartë liroi Gani Abazin, ish-shefin e Rendit të Komisariatit të Tepelenës edhe ai i dyshuar se ndihmonte të njëjtin grup kriminal.
Pavarësisht ndryshimit të masës së sigurisë, Prokuroria thotë se është e provuar se dy ish-policët kanë bashkëpunuar me grupin kriminal. Prova më e fortë për këtë grup kriminal janë përgjimet telefonike. Sipas hetimeve, Haki Hasanbegaj ka patur lidhje të ngushta me Elton Çiçën, i vrarë në një atentat në zonën e ish-Bllokut në muajin maj të vitit të kaluar.
Sipas hetimeve, të paktën në dy raste, zyrtarët e policisë kanë bashkëpunuar me trafikantët, ku policia arriti të sekuestrojë më shumë se dy ton kanabis në dy aksione.
Ish-shefi i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, Haki Hasanbegaj u arrestua në shkurt të këtij viti me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pasi lejonte dhe favorizonte me vetëdije kultivuesit e drogës në zonën e Tepelenës dhe Vlorës.

Artikulli paraprakTrafiku i drogës, “Arrest me burg” për 4 të arrestuarit e dosjes “Viluni 2”
Artikulli tjetërPërplasje me armë në mes të Durrësit