Lewandowski rinovim 5-vjeçar

Bayern Munchen hap thesin për Robert Lewandowski-n. Me Realin e Madridit dhe Paris Saint Germain në gjurmët e sulmuesit, kampionët e Gjermanisë janë bindur t’i ofrojnë një kontratë milionere.
Klubi bavarez dhe përfaqësuesit e lojtarit polak kanë gjetur akordin dhe janë fare pranë rinovimit të kontratës, për shifrën e 75 milionë eurove në 5 vitet e ardhshëm. Konfirmimi u dha nga “Bild”, sipas së cilës negociatat për marrëveshjen e re thuajse kanë përfunduar dhe rinovimi do t’i garantojë një rritje të ndjeshme të përfitimeve sulmuesit 28-vjeçar.
Firma në kontratën që do ta mbajë Lewandowski-n të lidhur te Bayerni deri në vitin 2021 duket thjesht formalitet. Pas negociatave të gjata, të nisura prej muajit shkurt, palët gjetën gjuhën e përbashkët dhe tashmë janë në fazën e përcaktimit të detajeve.
Zgjatja e kontratës me bavarezët do të bënte që paga e numrit 9 të skuadrës të shkojë nga 10 në 15 milionë euro neto në sezon, për një total prej 75 milionësh në harkun e pesë viteve të ardhshëm.
Marrëveshja me Robert Lewandowski-n vjen vetëm pak kohë pas zërave për rinovimet me Robben dhe Ribery, me Bayernin që kërkon t’i mbajë dy lojtarët deri në vitin 2019. I vetmi nga yjet e sulmit të skuadrës që ende nuk ka marrë ofertë nga klubi është Coman, që ende nuk e ka të sigurt qëndrimin në “Allianz Arena” pas përfundimit të huazimit 2-vjeçar nga Juventusi.

Artikulli paraprak“Pazaret e Ramës me të fortët e Idrizit më larguan nga Arkivi”
Artikulli tjetërBayern kualifikohet në 1/8-at