Lëv: Jemi ekipi më i mirë. Na mungoi fati

Pas përfundimit të ndeshjes, tekniku gjerman ka justifikuar si kapitenin Schweinsteiger, po ashtu edhe arbitrin italian, Nicola Rizzoli, ndërsa shton se fati i ndeshjes u vendos nga penalltia. “Puna e gjyqtarëve s’duhet komentuar. Nëse shihni si Schweinsteiger mundohet të arrijë topin dhe se si i rrëshqet mbi dorë, është vetëm mungesë fati. Ka një lëvizje të rrjedhshme kur kërcen dhe nuk mund ta kontrollosh”, u shpreh Lëv. Duke folur për golin e dytë, ai thekson se ishte gabimi i parë e i vetëm i mbrojtjes gjermane, pasi topi duhet të ishte larguar nga zona e rrezikut.
I zhgënjyer, madje më tepër se kaq, Joachim Lëv e kishte të vështirë të pranonte humbjen me Francën. Disfata 2-0 ndaj Gjelave në “Velodrome” nxori jashtë europianit Gjermaninë kampione të botës, por trajneri i kombëtares së pancerave në konferencën për shtyp të pas ndeshjes e cilësoi si të pamerituar humbjen që pësoi “Die Manschaft” në Marseille.
“Ishim skuadra më e mirë në fushë, por na mungoi fati dhe saktësia në finalizim. Më 2010-tën dhe 2012-tën nuk ishim skuadra më e fortë në botë, por sot jemi dhe për këtë fakt më vjen më shumë keq sepse u eliminua ekipi më i mirë. Ishim më lart se Franca në lojën një për një dhe ndryshe nga ata zhvilluam një futboll sulmues. Megjithatë po nuk shënove futbolli i tillë është. Penalltia që akordoi Rizzoli? Nëse shohim me vëmendje sesi shkon Schweinsteiger te topi kupton që kemi qenë të pafat. Nuk dua të akuzoj arbitrin, por kur kërcen një futbollist e ka gjithmonë të vështirë të kontrollojë lëvizjen e krahut”, u shpreh Lëv.
Në ndeshjen ndaj Francës te pancerat u ndjenë edhe mungesat dhe Lëv e pranon se me Hummels, Gomez dhe Khediran do të ishte një tjetër Gjermani në fushë. “Nuk ishte e lehtë për ne të luanim pa Hummels që ishte i skualifikuar, por edhe pa dy lojtarë shumë të rëndësishëm si Khedira e Gomez që u dëmtuan në sfidën ndaj Italisë. Më pas doli nga fusha edhe Boateng, 4 lojtarë mungesën e të cilëve e ndjemë shumë në përballjen ndaj Francës. Nuk kemi bërë asgjë keq në këtë Europian që të vërshëllehemi nga tifozët tanë”, tha trajneri i Gjermanisë.
Joachim Lëv ka kontratë me përfaqësuesen gjermane deri në përfundim të Botërorit Rusi 2018, por e ardhmja e tij në stolin e “Die Manschaft” nuk është e sigurtë.
“Është shumë shpejt në këto momente për të folur se çfarë do të bëj në të ardhmen. Të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi të kthehemi në shtëpi do të bisedoj me drejtuesit e federatës”, përfundoi Lëv.

Artikulli paraprakËndërrojmë finalen
Artikulli tjetërSi nisi beteja e përgjakshme pas vrasjes së të riut me ngjyrë kur ishte dorëzuar