Letra e Mit’hat Frashërit për Konferencën e Paqes: Shqiptarët duhet të kenë 4 përfaqësues në parlamentin grek, në përputhje me popullsinë në territorin e aneksuar

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi dje letrën që Mit’hat Frashëri dërgoi më 3 mars 1921, në punimet e Konferencës së Paqes në Paris. Në cilësinë e presidentit të delegacionit shqiptar, Frashëri shprehte gatishmërinë e qeverisë për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej pranimit në Lidhjen e Kombeve.

 

Nga ana tjetër, përcillte keqardhjen për situatën kritike të shqiptarëve në territoret e Greqisë dhe të Serbisë, ku nuk respektoheshin të drejtat e këtij minoriteti.

“Në përputhje me popullsinë në territorin e aneksuar, shqiptarët duhet të kenë 4 përfaqësues në parlamentin grek. Megjithatë, këta deputetë nuk janë caktuar ende, gjë që bie në kundërshtim me ligjet kushtetuese. Minoriteti i shqiptarëve në Greqi është gjithashtu i privuar nga çfarëdo përfaqësimi”, shpjegonte Frashëri.

Më tej në letër, patrioti i zellshëm informonte Lidhjen e Kombeve se shqiptarët në Serbi ishin subjekt keqtrajtimesh, që shpesh përshkallëzonin deri në fatalitete.

“Padrejtësi të ngjashme ushtrohen edhe nga qeveria serbe, e cila i mohon minoritetit shqiptar privilegjin e njohur të mësimit të gjuhës së tyre amtare, pavarësisht parashikimeve të Traktatit të Saint Germain-it, përmes të cilit mori përgjegjësinë për të respektuar të drejtat e minoriteteve”, përmbyllte letrën Frashëri.

Menjëherë pas luftës së parë Botërore, pas bilanceve tragjike në përfundim më 1919, diplomacia botërore, e mbledhur në pallatin e mbretërve të Francës, do të rivendoste barazpeshat e pasluftës në kornizën e ndryshimeve epokale historike që kishte pësuar kontinenti në luftën më mizore, me 16 milionë viktima dhe 20 milionë të plagosur e të gjymtuar. Në këto kushte, kur Shqipëria ishte ende e pushtuar nga trupat e ndryshme të ushtrive të huaja, të cilat për më shumë se tre vjetësh kishin asgjësuar çdo lloj organizimi shtetëror të banorëve të saj, më 25 dhjetor 2018 u mblodh Kongresi i Durrësit me përkrahjen e Italisë, që pati si përfundim kryesor të tij zgjedhjen e një qeverie e caktimin e dërgatës, në mbrojtje të çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes. Sjellim në kujtesë për këtë padrejtësi ndaj një vendi të vogël, letrën e një prej atdhetarëve më mendjendritur, Mid’hat Frashëri (25 mars 1880 – 3 tetor 1949), i cili nuk kurseu asgjë për Shqipërinë, shqiptarët e gjuhën shqipe. Mid’hat Frashëri i biri i rilindësit të shquar Abdyl Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë.

Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut.

ANGAZHIMET

Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit ‘Bashkimi’ të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/ kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë”, rrëfen studiuesi Uran Butka. Gjithashtu, ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit.

Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani. Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Punëve Botore.

Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.5.1914 – 3.9.1914, ishte ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.1.1920, ishte ministër pa portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Më 1920, përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923- 1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hat Frashëri nuk u martua.

Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh, për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mithat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari,Iliaz Guri,Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 vetë. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa, At Paul e V. Rado.

E PLOTË

Letra që Mid’hat Frashëri shkuajti për drejtuesin e Konferencës së Paqes në Paris, më 1919

Zoti Drejtor!

Po bëhet zhurmë sikur Konferenca e Paqes mendon t’i japë Jugosllavisë pjesën veriore të Shqipërisë (deri në lumin Drin) si kompensim për Fiumen, ka zëra se jugu i Shqipërisë (zona e Korçës dhe Gjirokastrës) do t’i jepen si holokaust Greqisë, ndërsa Italia, ashtu si luani i përrallës, do të marrë pjesën tjetër (Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë).

Nuk ka dyshim se mbi këtë vendim, Konferenca do të verë vulën me fjalët: Vdis Shqipëri! Në shekullin e njëzetë, tre fuqitë e mëdha liberale të universit, Franca, Britania e Madhe dhe Italia po kryejnë ndaj Shqipërisë të njëjtin krim që Rusia, Prusia dhe Austria kryen në shekullin e tetëmbëdhjetë ndaj Polonisë.

Kur hyri në luftën e madhe, Anglia deklaronte se do të luftonte për mbrojtjen e kombeve të vegjël. Zoti Klemenso, në fjalimin që mbajti në Strasburg më 4 nëntor 1919, tha: “Krerët e qeverive të vendeve më të përparuar të botës janë mbledhur në Paris për të ribërë hartën e Evropës në emër të së drejtës së popujve për vetëvendosje”.

Presidenti Wilson, i një mendimi me Aleatët, përfshirë edhe Italinë, deklaronte se kjo luftë titanike pati për qëllim çlirimin e popujve të shtypur, mbrojtjen e të dobëtve, triumfin e drejtësisë dhe të ligjit ndaj forcës brutale. Shqipëria, e gjymtuar për herë të parë më 1878, për herë të dytë u copëtua më 1913, në Konferencën e Londrës. Megjithatë, kjo konferencë e përbërë nga përfaqësuesit e kombeve të mëdhenj: Francë, Angli, Itali etj., njohu një Shqipëri të vogël të pavarur. Shqiptarët mbetën në këtë copë të vogël toke, por ata mbahen fort, për të mos vdekur. Ata dëshirojnë pavarësinë e plotë të vendit të tyre dhe hedhin poshtë çdo lloj mandati.

Vallë, traktati i vitit 1913 paska qenë thjesht një letër pa vlerë?

Në Evropë po masakrohet Shqipëria, ndërsa po krijohen shtete të pavarur në Azi. Kjo është një ironi apo një komedi makabre?

Cili është morali?

Delegat i shoqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA Lumo Skëndo

*Marrë nga “L’europe nouvelle”, nr. 4, 24 janar 1920

Artikulli paraprakRritje e gatishmërisë ndaj kërcënimeve bërthamore të Kim Jong Un, SHBA dhe Koreja e Jugut nisin stërvitjen e madhe ushtarake
Artikulli tjetërSituata urgjente në QSH në Fushë- Krujë, Ulliri dorëzon në Kuvend kërkesën për informacion