Lejet e ndërtimit, batërdi betoni në bashkitë e Ramës

E gjithë Shqipëria do të kthehet në kantier ndërtimi. Pothuajse në të gjitha qarqet rezulton një rritje e ndjeshme e lejeve të ndërtimit të dhënave në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa në kryeqytet, rritja ka filluar që në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit janë dhënë gjithsej 310 leje ndërtimi, nga të cilat 65 në Tiranë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë në gjithë Shqipërinë ishin dhënë vetëm 145 leje. Ndërsa për gjithë 9-mujorin janë dhënë gjithsej 608 leje, 27% e të cilave (167) kanë qenë në Tiranë. Në krahasim me 9-mujorin e vitit 2016, kur u dhanë gjithsej në gjithë vendin 308 leje, në 2017-ën ato janë dyfishuar (rritje 97%). Në kryeqytet, për gjithë 9-mujorin janë dhënë 167 leje, me një rritje prej 157% në krahasim me 9 muajt e parë të 2016-ës, pra pothuajse me një trefishim, (102 leje më shumë). Pas Tiranës, në vlerë absolute numri më i lartë i rritjes së lejeve të ndërtimit është në Fier, ku janë dhënë 67 leje më shumë, e ndjekur nga Vlora me 48 leje më shumë dhe Durrësi me 38 leje më shumë. Në tremujorin e tretë 2017 ka një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna në qytetin e Korçës, i cili është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, ku janë dhënë 57 leje, nga më pak se 6 leje që janë dhënë mesatarisht tremujorët e mëparshëm. Në të gjithë vendin, ka një orientim të lartë të likuiditeteve të lira në ekonomi në sektorin e ndërtimit, ku më e ndjeshme është në qytetet kryesore, sidomos në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës. Ekspertët kanë paralajmëruar se kjo ofertë që po krijohet me apartamente është më e lartë sesa kërkesa dhe tregu mund të rrezikojë në flluskë, teksa banesat rrezikojnë të mbeten pa shitur. Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016, pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind. Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullisë janë me tkurrje në vitet në vijim.

138% rritja e lejeve të ndërtimit në Tiranë

Numri i lejeve të ndërtimit të dhënë në të gjithë vendin është 101 në tremujorin e parë të vitit me një rënie vjetore 4.7 për qind, por në kryeqytet numri ka pësuar një rritje vjetore 138 për qind. Sipas të dhënave nga INSTAT në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar. Gjithashtu, lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016, ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 leje në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2.

Artikulli paraprakGatuzo: Dua të fitoj gjithmonë
Artikulli tjetërBasha: Bashkimi i shqiptarëve për largimin e bandës