“Largimi i Berishës do të bashkojë PD-në”, Ngjela: Kosova dhe Shqipëria do bashkohen në një federatë

Avokati Spartak Ngjela deklaroi se largimi i Sali Berishës do ta bashkojë Partinë Demokratike. Ai tha se Berisha mund të tërhiqet në bazë të benefiteve që do t’i japë Uashingtoni, por për këtë nuk tregoi diçka konkrete.

“E kam planifikuar të kemi disa diskutime me Bashën. Mendimi im është që nuk duhet goditur dhe të jetë e përçarë akoma PD-ja se nuk fiton dot. Atëherë si të bashkohen këto? Duhet forcuar krahu i Bashës akoma, por jo të neglizhohet krahu tjetër. Vetëm kjo do ta bindi politikisht Saliun të tërhiqet.

Tërheqja e tij bashkon partinë me një kongres të ri dhe Rama dobësohet. Berisha mund të tërhiqet, por varet nga benefitet që do t’i japë Uashingtoni. Por unë thash varet, nuk e di unë”, u shpreh ai në “Breaking” në Top News.

Ngjela pretendoi se mund të ketë bashkim i të paktën një federate mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi në Ballkanin Perëndimor nuk mund të jenë dy shtete shqiptare.

Ndër të tjera avokati shtoi se Amerika po mbron botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor sepse ka interesin e saj politik.

“Kurti është ai që e krijon këtë konkurrencën politike. Nuk ka konflikt individual. Kurti e ka nxjerrë sepse ai është më i informuar për mendimin amerikan dhe mendimin e forcave europiane që mbajnë Kosovën.

Nuk mund të rrinë dot dy shtete shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Është luks i madh dhe ata duhet të bashkohen mos të ketë nevojë për ndihma anësore.

Mesa shoh unë, Kurti thotë duhet të jem unë kryeministër. Po do bëhet brenda 2-3 vjetësh ky bashkim, këtu e djathta është e përçarë në mënyrë drastike.

Lindin probleme, do bëhet bashkimi i të paktën një federate mes Kosovës dhe Shqipërisë. Shenjat janë që po, se Amerika ka heshtur deri tani, por nuk dihen sesi janë planet.

Bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor ka një mbrojtës të madh që është Amerika, nuk e mbron se ka racën dhe gjuhën e vet, por është interes i madh politik, se pa botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor dobësohet shumë lufta kundër Rusisë. Këtu konkurrenca është ruso-amerikane në botën shqiptare të Ballkanit Perëndimor”, tha Ngjela.

Artikulli paraprakZelensky sot në Tiranë, cili është historiku i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Artikulli tjetërRusia burgos aktivistin dhe laureatin e çmimit Nobel, dënohet me dy vjet e gjysmë burg për diskreditim të forcave të armatosura