Ky është skafi i drogës së Tahirit në përdorim nga Habilajt

Habilajt kanë trafikuar në Itali tonelata droge me skafin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, i cili ka reaguar pas arrestimit në Itali të kushëririt të Tahirit, Moisi Habilajt, si kreu i një bande kriminale të trafikut të drogës nga Shqipëria. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, priten zhvillime klamoroze, vetë Saje drejt arrestit ndërkombëtar.
“Zhvillim klamoroz, kapet banda e Saje qorrit. Vetë Saje drejt arrestit ndërkombëtar! Miq! Arrestohet në Itali famozi Moisi Habilaj, tezaku që transportoi 3.5 ton drogë me skafin e Saje qorrit në Itali. Po ju rikujtoj këtu se Habilajt, sipas kontrollit të TIMS kanë transportuar drogë jashtë vendit 27 herë me makinën e kushos-bandit ministër Saje qorri, dhe ky trafik, i denoncuar nga Zagani, i kushtoi postin këtij të fundit, pasi Saje qorri e shkarkoi atë dhe e dha për ndjekje.
Atij, Konfederata Helvetike i dha azil politik, pikërisht ditën e vizitës së Edi Ramës në Bernë. Gjithashu, 3,5 ton drogë në Itali, sipas burimeve të sigurta të vendit mik, është transportuar me skafin e Saje qorrit, të cilin ai e bleu dhe e la në “ruajtje” tek Habilajt dhe pas disa denoncimeve që kemi bërë në Parlament, Saje qorri u detyrua të bëjë një akt shitje falco të skafit të tij, po tek Habilajt! Priten zhvillime klamoroze!”, shkruan Berisha.
Berisha publikoi edhe foton e skafit të Tahirit që përdorej nga Habilajt për trafikun e drogës drejt Italisë. “Në foto skafi i Saje qorrit që transportoi 3.5 ton drogë në Itali me tezakët e tij, Moisiu dhe Habilajt e tjerë në bord!”, shkruan Berisha poshtë fotos së publikuar në Facebook.
Në shtator të vitit 2015, opozita e akuzoi ministrin Tahiri sese kishte lidhje farefisnore me vëllezërit Habilaj dhe lejonte veprimtarinë e tyre kriminale. Opozita publikoi atëherë të dhënat e sistemit TIMS dhe policën e sigurimit të makinës që tregonin se makina e Tahirit me targa AA003GB është përdorur nga vëllezërit Habilaj për trafik droge dhe veprimtari kriminale. Tahiri pranoi se makina kishte qenë e tij, por ai ua kishte shitur Habilajve.
Në emisionin “Top Story”, pranoi se ai e kishte përdorur makinën sërish dy vjet, pasi e kishte shitur atë te kushërinjtë e tij. “Çështja e makinës sime, shkurt dhe pastër është kjo: makinën e kam shitur më 6 nëntor 2013, dy muaj pasi u bëra ministër. Ua kam shitur kushërinjve të mi mjaft të largët dhe në dijeninë time si ministër i Brendshëm, zotërinjtë që akuzohen nga opozita si kryetrafikantë të drogës nuk kanë qenë kurrë të proceduar, nën hetim, të arrestuar apo të gjykuar për trafik droge. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës edhe pse u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të Gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimin e kredisë, unë e shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe, ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje”, tha Tahiri.
Tahiri deklaroi atëherë se në dijeninë e tij, Moisi Habilaj dhe të afërtit e tij nuk ishin kriminelë. Të qenurin e tyre kriminelë, Tahiri e cilësonte “rastin më të keq”. Kur të gjithë akuzonin Habilajt, madje edhe vetë vartësi i Tahirit, drejtori i Antidrogës së Vlorës, Dritan Zagani, Tahiri shprehej se në dijeninë e tij, ata nuk ishin kriminelë, por njëri nga vëllezërit Habilaj ishte një bizenesmen i ndershëm. Moisi Habilaj u arrestua dje në Itali për trafik droge me vlerë mbi 20 milionë euro si dhe trafik armësh, ndërsa Tahiri vendosi të bëjë thirrje pas arrestimit në Itali për drejtësi ndaj tyre.

R.POLISI

Artikulli paraprakECFR: Rama i dështuar, krim e korrupsion
Artikulli tjetër3.5 tonë drogë dhe armë, pranga bandës së ministrit