Kulla e trafikut nuk ka regjistruar ngritjen e helikopterit që u rrëzua

Helikopteri EC 145 me nr. 637 u ngrit nga baza ajrore të enjten, por qendra e kontrollit dhe raportimit ose ndryshe kulla e trafikut ajror nuk ka të regjistruar ngritjen e helikopterit. “Nuk kanë të regjistruar asgjë, nuk ka disk të fluturimeve që regjistrohen për çdo ngritje helikopteri. Ta vendosë audio nëse e ka, por është e sigurtë që nuk është zbatuar procedura standarde e komunikimit me kullën e trafikut ajror”, bëri të ditur për droni.al një anëtar i personelit ushtarak që ka dijeni për këtë procedurë fluturimi që është shkelur.
Ndonëse Prokuroria ka konkluduar dje se helikopteri u nxor në fluturim për stërvitje, qendra e kontrollit nuk ka regjistruar asgjë lidhur me momentin e ngritjes së helikopterit, veprim në kundërshtim me rregulloren dhe praktikat.
Kulla e trafikut ajror në Farkë ka një personel prej 21 vetash, por dyshohet se nuk disponon gjurmë të ngritjes së helikopterit ditën e aksidentit tragjik, ku humbën jetën dy pilotët dhe u plagos një ushtarak. Nëse lëvizja e helikopterit nuk është shënuar, atëherë cili ka qenë qëllimi i fluturimit të tij? Ka qenë vërtet një seancë stërvitore siç shprehet sot Prokuroria apo fluturim për qëllime të tjera? A i disponon Prokuroria regjistrimet apo diskun e fluturimit?
Nëse është e vërtetë se ka pasur regjistrime të fluturimit në çastin e nisjes së tij, atëherë për të rrëzuar çdo dyshim, Ministria e Mbrojtjes duhet t’ia vejë në dispozicion Prokurorisë.
Ndërkohë, prokurorët që po hetojnë rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës, nuk i ka bindur dëshmia e parë e ushtarit të plagosur Gerald Baramuça. Ata kanë patur dyshime mbi vërtetësinë e pohimeve të tij, se nuk mbante mend asgjë nga aksidenti. Për këtë arsye, oficerët e Policisë Gjyqësore do të rikthehen përsëri në Spitalin e Traumës për ta pyetur sërish atë në lidhje me aksidentin, ku humbën jetën pilotët Floran Delia dhe Donald Hoxha.
Në dëshminë e parë, Baramuça u tha hetuesve se, nuk kujtonte asnjë detaj nga rrëzimi i helikopterit, duke lënë pa përgjigje shumë pikëpyetje të grupit hetimor. Këtë të martë, ai kreu një ndërhyrje tjetër kirurgjikale në shpatull dhe gjendja e tij paraqitet e përmirësuar.
Paralelisht nga regjimenti i Farkës janë pyetur rreth 7 ushtarakë, të cilët kanë sqaruar pozicionin e tyre në këtë ngjarje. Ata mësohet t’i kenë thënë grupit hetimor, se është respektuar çdo procedurë që kryhet për fluturime të tilla dhe se helikopteri ka qenë në gjendje shumë të mirë. Madje, sipas drejtuesve të regjimentit, dy pilotët që ndërruan jetën gjatë momentit të rrëzimit në ujë, kanë bërë një udhëtim në pjesën jugore të vendit dhe pas një pushimi të drekës, ata janë ngritur sërisht në fluturim për të bërë një patrullim në pjesën veriore të vendit.
Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se, “kutia e zezë” ose “kamera” e helikopterit është shkatërruar ndryshe nga sa garantohet një objekt i tillë që shërben për gjetjen e shkaqeve të rrëzimit të avionëve dhe helikopterëve. Kjo kamer, sipas ekspertëve, filmon gjatë gjithë kohës që helikopteri është i ndezur deri në momentin e fikjes dhe është i vendosur brenda disa kutive plastike rezistente ndaj ujit, ku pamjet e filmuara dhe zëri nuk dëmtohen apo shkatërrohen edhe nga thyerja. Nga Prokuroria e Shkodrës është vendosur që kartat e regjistrimit të kamerës së sigurisë të dërgohen në Gjermani me anë të letër-porosisë, për të marrë edhe cilësimin e provës materiale. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë në pritje të ekspertizës së “kutisë së zezë” nga Gjermania për të nxjerrë shkaqet e rrëzimit të avionit.

R.POLISI

Artikulli paraprakPadi në Gjykatë: Të pezullohet ndërtimi në Parkun e Liqenit
Artikulli tjetër1.4 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi