Kryemadhi: Zgjedhjet ishin një farsë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me denoncimet që janë bërë këto ditë nga PDIU-ja, për vjedhje të votave. Ishte Mesila Doda që ka bërë publike një video, ku duket një numërues që merr një fletë votimi nga një parti, që sipas Dodës është PDIU dhe e kalon tek një parti tjetër.

Reagimi

Mirëmëngjesi miq! Këto ditë të nxehta të korrikut doja të ndaja me ju atë që të gjitha partitë po denoncojnë me fakte konkrete, blerjen dhe deformimin e votës së 25 qershorit.
Farsën elektorale të drejtuar nga Edi Rama dhe zbatuar nga rilindasit e tij, arrogancën dhe pafytyrësinë e tyre për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Unë jam e bindur që kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që ka ndodhur vërtet më 25 qershor, sikundër jam e sigurt se beteja jonë për të rikthyer legjitimitetin e votës së shqiptarëve sapo ka nisur.
LSI tashmë është e qartë dhe e vendosur, e fortë dhe e bindur në luftën e saj për të rikthyer të drejtën themeltare të demokracisë, votën e lirë. Ndaj për këtë do të jemi çdo ditë pranë qytetarëve, do të dëgjojmë dhe mbledhim çdo dëshmi manipulimi, do të hartojmë dhe ndërtojmë politikat tona për të dëshmuar këtë farsë elektorale, për të vërtetuar edhe një herë para të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që duan të dëgjojnë të vërtetën, se 25 qershori ishte dita e deformimit të votës.
Beteja jonë sapo ka nisur dhe bashkë me ne është shumica e shqiptarëve, ajo që paratë e drogës dhe krimit nuk arritën ta blejnë!

Artikulli paraprakLuan Rama flet për front opozitar ndaj pushtetit
Artikulli tjetër12 sekondat që flasin shumë për Edi Ramën