Kryebashkiaku i Ramës fyen nënën e varfër: Ta fus portofolin në gojë

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe ka sulmuar përmes një fjalori degradues qytetarët ndërsa një nëne të varfër e cila po i ankohej për kushtet e vështira të jetesës në mënyrë skandaloze e degraduese duke i thënë: “Ta fus portofolin në gojë”. Kanë shkuar për t’i kërkuar një zgjidhje për problemin e tyre, por përgjigjja që kanë marrë i ka lënë pa fjalë. Bëhet fjalë për tregtarët e Lushnjës, të cilët i kanë larguar nga tregu. Ata kanë shkuar te kryetari i Bashkisë së Lushnjës për t’i kërkuar që t’i zgjidhë hallin e tyre. Duket se Fatos Tushe ka qenë i vendosur për të mos marrë parasysh kërkesën e tregtarëve, madje debati degradon në fyerje të tregtarëve nga Tushe. “Ku do të hamë? Kam 12 kalamaj për të ushqyer”, qan hallin një nga protestueset, por përgjigjja e Tushes i lë pa fjalë. “Po kush t’i polli ty? Lagjja apo vetë? Rriti vetë”. Jo vetëm kaq, por debati mes tyre ka vazhduar deri në kërcënime, përsëri nga ana e kryetarit. “Unë dua të drejtën, s’kam ku të ha! Jam e sëmurë!”. “Mos më ngri mua zërin. Ta fus atë portofolin m’u në gojë unë!”. Këtu ka degraduar Shqipëria: me kryetarë që jo vetëm s’të zgjidhin hallin, por edhe të ofendojnë e të kërcënojnë. Se ata janë të pushtetshmit, janë kryetarët! Këta janë kryetarët që duam, kjo është rilindja jonë! Me vendim të Këshillit Bashkiak është vendosur që tregtarët që shesin rrobat e përdorura përreth stadiumit do të zhvendosen diku tjetër. Debati shkon deri në fyerje të tregtarëve. Disa kohë më parë Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin për largimin e tregtarëve të rrobave të gabit, të cilët shisnin tek stadiumi. Dje ishte afati i fundit për largimin dhe zhvendosjen e tyre në tregje alternative. Paraditen e djeshme një grup tregtarësh kanë shkuar pranë bashkisë për të rihyrë në negociata. Pikërisht në këto moment mendohet se janë bërë dhe filmimet. Ndërkohë rreth orës 14:00, të ditës së djeshme ka pasur dhe një takim mes kryetarit të bashkisë dhe një përfaqësie të tregtarëve, por nuk dihet më shumë.

Fjalori degradues i Fatos Tushes ndaj qytetarëve

Tushe: Shko atje. Atje nuk do të ketë asnjë.
Tregtarja: Ku do të hamë, ku do të shkojmë?
Tushe: Jua sqarova, asnjë nuk do të qëndrojë.
Tregtarja: Jemi pa bukë ku do të hamë?
Tregtarja: Kam 12 kalamaj për të ushqyer.
Tushe: Po kush t’i polli ty? Lagjja apo vetë? Rriti vetë! Ec atje tek tregu ku është.
Tregtari: Kjo është përgjigjja kush i polli?
Tregtarja: S’kam ku të ha! Jam e sëmurë!
Tushe: Mos më ngri mua zërin. Ta fus atë portofolin m’u në gojë unë!
Një tregtar: Kryetar avash kryetar, nuk e meriton të jesh.
Me këtë gjuhë që na flet ti, nuk e meriton atë post…

Murrizi: Do kërkojmë llogari, Tushe të largohet

Partia Demokratike ka dënuar dje sjelljen skandaloze të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, i cili kërcënoi një qytetare në mes të ditës në mes të qytetit. E kërcënuara nga kryetari i Bashkisë është një tregtare që po protestonte kundër vendimit për mbylljen e tregut. Kryetari i PD-së së Lushnjës, Myslym Murrizi tha se kërcënimi dhe gjuha e përdorur nga kryetari i Bashkisë janë kriminale. “Siç jeni vënë në dijeni është hedhur në qarkullim një video që doli pas një takimi që kryetari i bashkisë në Lushnjë pati me bizneset e stadiumit të Lushnjës, të cilët në mënyrë arbitrare, pa asnjë vendim të Këshillit Bashkiak janë përzënë për të shkuar në një treg të një prej klientëve të kryetarit të bashkisë. Në lidhje me videon, PD dënon gjuhën prej rrugaçi të një zyrtari që kërkon votën e qytetarëve për të qenë jo padrinoja i tyre, por për të qenë kryeshërbëtori i tyre. Është një gjuhë që i shkon për shtat ligji i dekriminalizimit. Është një gjuhë që vetëm me të zgjedhur nga vota e qytetarëve nuk ka asgjë të përbashkët. Është gjuha e rilindjes, gjuha që shpesh përcillet në ekrane nga jo pak zyrtarë të zgjedhur të rilindjes dhe herë-herë edhe nga Kryeministri. Dhe kjo është gjuha që ky kryebashkiak i 150 mijë banorëve të Lushnjës, i drejtohet atyre që 9 muaj më parë i mashtroi dhe u kërkoi votën dhe sot iu fut portofolin në gojë”, tha Murrizi. Murrizi thekson se protesta e tregtares së kërcënuar dhe e tregtarëve është e drejtë, pasi vendimi për zhvendosjen e tregut është klientelist dhe bëhet për të favorizuar klientin e kryetarit të Bashkisë. “Partia Demokratike do të mbështesë protestën e drejtë dhe legjitime të këtyre bizneseve që u ka shkuar letra për t’u larguar nga ai treg dhe për të vajtur me zor tek klienti i këtij kryetari bashkie. 12 këshilltarët e Partisë Demokratike do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak për shpjegime se pse merret kjo nismë e kryetarit të bashkisë pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak. Kryetari i Bashkisë është administrator, por nuk është pronari i qytetit. Parlamenti lokal, Këshilli Bashkiak është ai që merr vendime nëse ka projekte dhe investime konkret tek tregu ku këta kërkojnë t’i përzënë tregtarët. Këshilltarët e PD do t’i kërkojnë në shenjë morali, të respektit të votës dhe të qytetarëve, dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Lushnjës pas sjelljes arrogante e kriminale ndaj qytetares”, tha Murrizi.

Avokati i Popullit dënon sjelljen skandaloze të Tushes

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka reaguar pas gjuhës ofenduese ndaj qytetarëve të kryetarit të Bashkisë së Lushnjës. Avokati i Popullit e konsideron të papranueshëm, të padenjë dhe të dënueshëm, fjalorin e përdorur nga kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, ndaj disa qytetarëve që protestonin përpara Bashkisë, publikuar në një video në media. Totozani: “Çdo punonjës i administratës shtetërore, qendrore apo vendore, por sidomos të zgjedhurit me votë në krye të pushtetit vendor kanë detyrimin ligjor dhe moral t’u përgjigjen konform etikës dhe rregullave të institucionit, qytetarëve. Madje, janë pikërisht këta të zgjedhur që duhet të preokupohen më shumë se të tjerët për të zgjidhur hallet e qytetarëve dhe jo për t’i denigruar dhe fyer ata. Manifestimet e gjuhës së vrazhdë, ofenduese dhe në shkelje të etikës qytetare janë akte arrogance, në kundërshtim të plotë me funksionet që këta të zgjedhur ushtrojnë”. Avokati i Popullit shprehet i shqetësuar për këtë ngjarje dhe deklaron me bindje se asnjë zyrtar i shtetit që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë nuk duhet të guxojë të ngrejë zërin ndaj qytetarëve, por duhet të jetë vetëm në shërbim të tyre. Totozani: “Një gjuhë e tillë nuk duhet të gjejë vend në administratën publike dhe ngjarje të tilla të shëmtuara nuk duhet të përsëriten”.

Artikulli paraprakPaloka: Mazhoranca, nga një krim kushtetues në tjetrin
Artikulli tjetërBrukseli akuzon Ramën për krimin e organizuar