Kriset aleanca mes Edi Ramës dhe Tom Doshit Non Grata, nis në Shkodër spastrimi i drejtorëve të PSD

Kryetarja e Këshillit të qarkut Shkodër, Marina Duhani ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante, ndërkohë që në vendin e saj është emëruar Edmond Ndou, një emër në radhët e socialistëve.

Duhani ka dhënë dorëheqjen para se grupi i socialistëve t’i njoftonte se kishte mbledhur firmat për shkarkimin e saj. Sipas Duhanit ajo u largua nga posti për një detyrë tjetër por pa dhënë më tej detaje të tjera.

“Jam larguar për arsye personale”, ka thënë shkurtimisht Duhani pas interesimit të mediave.

Emri që do ta zëvendësojë atë, Edmond Ndou, është drejtuesi i grupit të këshilltarëve të PS në këshillin bashkiak Shkodër. Ndou ka qënë më herët drejtues i Hipotekës në Shkodër, këshilltar i kryetarit të bashkisë, si dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021.

Por më shumë se një dorëheqje personale, kjo e Duhani duket se ka qenë shkëndija e parë e një krisje mes PS dhe PSD-së në qarkun e Shkodrës. Sipas Vizion Plus, dje pas dreke kanë dhënë dorëheqjen dhe 3 drejtorë rajonalë qe vinin nga radhët e PSD në drejtoritë e qarkut Shkodër.

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga forcat politike, të cilat në zgjedhjet e fundit kishin një marrëveshje të pashkruar mes tyre, ku PSD mbështeti kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie.

Nuk dihet ende si do të reflektojë kjo prishje e aleancës në këshillin bashkiak, kur PSD ka 12 anëtarë nga 51 që ka këshilli bashkiak, ku nëse rreshtohet me opozitën përbën shumicën, çka mund të pengojë kalimin e vendimeve të administratës së Benet Becit.

Artikulli paraprakInfrastruktura rrugore në qarkun e Elbasanit, ja dy akset e papërfunduara në më shumë se një dekadë
Artikulli tjetërSondazhi: Shumica e shqiptarëve janë kundër sigurimit të detyrueshëm të banesave