Kreshnik Spahiu: Arrestimi i Berishës vjen nga SPAK me mbështetjen e SHBA! Edhe për Metën do të ketë një vendim për…

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se masa për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha vjen nga SPAK me mbështetjen e SHBA-ve.

Komentet Spahiu i bëri përmes një lidhjeje me emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ku tha se synimi përfundimtar nuk është burgosja e Berishës, por nxjerrja e tij nga skena politike.

Ai tha gjithashtu se pas Berishës do të ketë figura të tjera që do të goditen nga drejtësia.

“Ne dispozitat ligjore përcaktohet në mënyrë eksplicite arresti me burg dhe ai shtëpiak. Detyrimi për paraqitje nuk është i shprehur që duhet t’i kërkohej Parlamentit, por thuhet se çdo kufizim lirie hyn në këtë pjesë. Unë i mbetem qëndrimit se SPAK duhet t’i ishte drejtuar Kuvendit që në fillim.

Mendoj se qoftë ndërkombëtarët, qoftë SPAK, qoftë Kuvendi, kanë testuar hap pas hapi reaksionin që do të jepte. Në momentin që nuk panë të organizohej asnjë protest, kur nuk panë popullin të dalë në shesh për të mbështetur opozitën, ata vazhduan gradualisht në fazat e mëtejshme në pretendimin e tyre se vetë Berisha po i detyron të marrin një masë më të fortë.

Pra t’ja lënë topin dhe faturën politike Berishës. Edhe “arrest me burg” dhe “arrest shtëpie” atë do të zgjedhin këtë të dytën, sepse po bëjnë politikë penale. Nuk është synuar burgosja e Berishës, por nxjerrja nga politika e Berishës.

Nuk është e rastit që kërkesa e ndryshimit të masës së sigurimit vjen pas 24 orë pas deklarimit diplomatik të Ambasadës së SHBA. Mendoj se nuk vetëm kjo. Pas kërkesës për ndryshimin e masës ndaj Berishës, mendoj se do të ketë edhe vendime të tjera. Mendoj se për zotin Meta do të ketë një vendim për fillimin e çështjes penale”, tha Spahiu.

Artikulli paraprakSot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Greqia kërcënon me veto Shqipërinë për Belerin!
Artikulli tjetërEdvin Kulluri: Foltorja ka hyrë në trajektoren e saj të rënies, Berisha mblodhi vetëm 200 njerëz