‘Krahu i djathtë’ i Shullazit: Kemi tërhequr çeqe me para të Beqajt

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dhënë dëshminë e tij Gilmando Dani, i arrestuar si anëtar i grupit të Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtor i tij në kërcënimet ndaj biznesmenëve. Dani deklaroi para gjykatës se Ylvi Beqjan, biznesmenin që ka bërë kallëzim për gjobëvënie, ia ka prezantuar Emiljano Shullazi në shtëpinë e tij. Sipas Danit, biznesmeni ndihej i kërcënuar nga Zamir Hasa dhe se kishte probleme lidhur me regjistrimin e “Vollgës” në Hipotekën e Durrësit.
I arrestuari theksoi se Ylvi Beqaj i kishte kërkuar të bënte tërheqjen e disa çeqeve në bankë dhe pasi e kishte kryer këtë veprim, paratë ia ka dorëzuar në dorë biznesmenit.
Sipas Danit, me kërkesë të Ylvi Beqjas, çeqe nga banka në vlerë 16 mijë euro kanë tërhequr edhe shtetasit Endri Qyqja dhe Endri Zela, por këto para janë përdorur sipas dëshmitarit, për hipotekimin e Vollgës në Durrës. “Ylvi Beqjan ma prezantoi Emiljano Shullazi në shtëpinë e vet. Ylviu kërkonte ndihmë, pasi kërcënohej nga Zamir Hasa dhe nga burokracitë për të regjistruar “Vollgën” në Hipotekën e Durrësit. Ishte Beqja ai që më kërkoi të tërhiqja disa çeqe në bankë. I mora dhe paratë ia dhashë në dorë. Me kërkesën e tij tërhoqën çeqe edhe Endri Qyqja dhe Endri Zela. Endri Qyqja tërhoqi 16 mijë euro që u paguan në Hipotekën e Durrësit”, u shpreh ai.
Në seancën e së martës në Gjykatën e Krimeve të Rënda mungonte Emiljano Shullazi, i cili ka qenë i pranishëm në sallë gjatë gjithë procesit. Në seancën e kaluar Shullazi iu përgjigj pyetjeve të bëra nga avokatët mbrojtës. I pandehuri tha se, kishte firmosur tre akte noteriale gjatë marrëdhënies së tij me biznesmenin Beqja, i cili nga ana e tij pretendon se i ka dhuruar Shullazit një pjesë të ish-hotel Vollgës në kushte presioni. “Noteret i njihte Ylvi Beqja. Unë nuk njihja asnjërën”, tha Shullazi. Sipas të akuzuarit si drejtues i një grupi kriminal të angazhuar në “gjobëvënie” dhe “kanosje” Ylvi Beqja kishte nënshkruar me dëshirë akt-marrëveshjet e bëra mes tyre tek noteri dhe se nuk kishte pasur asnjë shtrëngim ndaj tij apo personave të lidhur me të. “Nuk ka pasur asnjë arsye për mungesë vullneti nga ana e Beqjes. Ishte ai që më mori aty”, tha i pandehuri Shullazi.
Biznesmeni Ylvi Beqja e akuzon për gjobëvënie Shullazin dhe 4 të bashkëpandehurit e tij. Ai ka rrëfyer para gjykatës e nuk i kishte kërkuar drejtësi te Shullazi për betejën gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” dhe më tej për “pikën e kthesës”, ku u kërcënua dhe gjobit prej tij. Ish-kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho ka rrëfyer para gjykatës për takimet me Shullazin dhe biznesmenin Ylvi Beqja, pak pasi Hipoteka e Durrësit kishte regjistruar si pronë të tyre ish-hotel Vollgën. Dëshmitari tha se regjistrimi i pronës ishte bërë në një kohë që ai ishte me pushime. Pa kthimit në detyrë dëshmitari kishte pritur në takim palën kundërshtare të Beqjes në konfliktin mbi pronësinë e ish-Vollgës.
“Përfaqësuesi i kësaj pale më tha se ishte cënuar nga regjistrimi i pronës. Pati tone të larta zëri prej tij në takim dhe disa herë i kërkova të qetësohej. Unë ngrita një grup punë për verifikimin e procedurës dhe vendosa pezullimin e tjetërsimit të pronës”, u shpreh ai në një nga senacat e mëparshme gjyqësore.
Disa ditë më vonë dëshmitarit i ishte kërkuar një takim nga Shullazi dhe biznesmeni Beqja. “Nuk kisha asnjë kompleks. I kam takuar në nja kafe pranë ‘21 dhjetorit’. Emiliano Shullazi u prezantua si bashkëpronar i ish-hotel Vollgës. Pezullimi kishte penguar qëllimet e tyre. I thashë Ylviut të më sillte dokumentet që kishte. I solli më vonë në zyrën time. Rezultonte se Shullazi ishte bashkëpronar”, rrëfeu Muho.
Dëshmitari saktësoi se pezullimi kishte skaduar në përfundim të afatit 30-ditor. Në takimet e mëvonshme që kishte pasur me biznesmenin Beqja, Muho tha se ai nuk i kishte shprehur ndonjë shqetësim në lidhje me Shullazin.

 

Artikulli paraprakGrabitja e bankës në Tiranë, autorët të lirë
Artikulli tjetërDiskriminimi i të përndjekurve vijim i programit të etërve komunistë