Kosovë, institucionet, 200 milionë euro borxhe

Më shumë se 200 milionë euro ka arritur shuma e borxhit të institucioneve në fund të vitit që lamë pas. Bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se pjesa më e madhe e borxhit i përket Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në emër të shpronësimit të pronave për ndërtim të autostradave, apo edhe realizim të projekteve tjera në vend. Ndërkaq, shuma tjetër është borxh që institucionet qendrore e lokale kanë ndaj bizneseve të cilat kanë realizuar projekte të ndryshme, por nuk i kanë marrë paratë ashtu siç është paraparë me kontratë. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave (MF) shihet se borxhi i MMPH-së deri më 31 dhjetor të vitit që lamë pas është 146 milionë euro, e derisa shuma e borxhit në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishte 114 milionë euro. “Shuma prej 145,571,431 e raportuar nga MMPH-ja përfshin vendimet e shpronësimit për pronat private në shumë prej 54,422,439.80 euro, pronat publike në shumë prej 15,503,859 euro, pronat shoqërore në shumë prej 45,454,998.20 euro, pronat komunale 13,584,264.00 euro, dhe objekti i Rilindjes 16,605,870.00 euro”, thuhet në raportin vjetor të Ministrisë së Financave për vitin 2015. Pas kësaj, Ministria e Infrastrukturës prin sa i përket shumës së borxhi. Bazuar në të dhëna zyrtare shuma e borxhit të kësaj Ministrie ndaj operatorëve privatë deri në fund të vitit paraprak ka arritur në 22,3 milionë euro, e derisa në fund të vitit 2014 shuma e borxhit të Ministrisë ndaj operatorëve privatë ishte vetëm 1 milion euro.

Rreth 200 punonjës të KEDS-it në Kosovë rrezikojnë të mbeten pa punë

Distribucioni i Furnizimit më Energji Elektrike – KEDS, në Kosovë ka larguar nga puna 80 punëtorë, kurse 200 të tjerë rrezikohen që muajin e ardhshëm të mbesin pa punë. Këto shqetësime i paraqesin udhëheqës të sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie. Ky distribucion është privatizuar në vitin 2013 nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak” i cili e ka blerë distribucionin për 26.3 milionë euro. Para tre vitesh konsorciumi kishte premtuar se për 15 vitet e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë euro për distribuimin e energjisë elektrike. Po ashtu, kompania ishte zotuar se privatizimi siguron furnizim stabil, kosto të përballueshme për qytetarët dhe në të njëjtën kohë, ishte zotuar se do të mbrojë të drejtat e punëtorëve. Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur Elektro-Kosova në këtë kompani, tregon se largimi i punëtorëve po ndodh për shkak se muajin tjetër është përfundimi i mbikëqyrjes së kontratës së blerësit nga qeveria. Kjo sindikatë, edhe përkundër kërkesave zyrtare për posedim të kontratës së shitblerjes nuk ka pasur mundësi të sigurojë këtë marrëveshje. Ai për ketë shprehet kritik në adresë të menaxhmentit të KEDS-it, por edhe Qeverisë se Kosovës. Megjithatë, Pajaziti tregon se në kohën e privatizimit në kompani kanë qenë rreth 2 mijë e 600 punëtorë, kurse aktualisht numëron rreth 2 mijë e 200. ‘’KEDS po vazhdon më avazin e vjetër. Tash i ka larguar 80 punëtorë, kurse edhe 200 punëtorët të tjerë janë të rrezikuar që pas 7 majit, kur përfundon monitorimi i kontratës Qeveri – KEDS , t’ju ndërpritet kontrata”, ka thënë Pajaziti. Ndryshe, në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se në bazë të marrëveshjes për implementim, KEDS-i do të vazhdojë të ruaj numrin e punëtorëve të punësuar. “KEDS-i do të vazhdojë të ruaj punësimin për gjithë punëtorët në datën e përfundimit (ashtu siç përkufizohet ky term në Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve), për një periudhë minimale prej tri vitesh që prej asaj date”, thuhet në përgjigje. “Sa i përket punëtorëve, një nen tjetër i marrëveshjes garanton kontratat e punëtorëve për periudhën 3 vjeçare që nga data e privatizimit, që i bie deri në muajin maj 2016. Deri më tani, kontrata është respektuar dhe nuk ka pasur largime të punëtorëve nga puna”, thekson Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Zyrtarë të KEDS-it ndërkaq kanë thënë se shumica dërmuese e kontratave po vazhdohen. Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë paralajmëruar për një largim eventual të punëtorëve nga kjo kompani.

Artikulli paraprakBasha: Çështja “Shullazi”, rezultati i parë kuptimplotë i Reformës në Drejtësi
Artikulli tjetërIsh-pronarët protestë edhe në SHBA kundër qeverisë Rama