Korrupsioni me tenderat, në pranga zyrtarja e Prefekturës

Shefja e Financës së Prefekturës në Korçë ka përfunduar në pranga për korrupsion me tenderat. Bëhet e ditur se arrestimi i 50-vjeçares Mirjeta Setallari u bë pas publikimit të pamjeve filmike në një emision investigativ, ku shefja e Financës i kërkonte një shumë marramendëse parash si ryshfet nga një kompani, me qëllim që ta shpallte fituese.
Ndryshe nga rastet e tjera të qeverisë së “Rilindjes” ku për një tender kërkohet nga 20 për qind deri në 30 për qind, Setallari ka kërkuar jo pak, por 90 për qind të vlerës së tenderit nga kompania që ajo do të shpallte fituese. E nuk bëhet fjalë për një tender, por për 4 të tillë, të cilët janë realizuar të enjten nga institucioni i Prefektit të Korçës, me qëllim blerjen e pjesëve të këmbimit dhe mirëmbajtjen e dy makinave. Madje, shefja e Financës e justifikon kërkesën e saj me faktin se, shërbimet dhe mallrat për këto dy mjete janë kryer dhe blerë më parë, duke të lënë të mendosh se tenderat janë thjesht fiktivë.
Vlera totale e këtyre tenderave të shpallur nga Prefektura e Korçës është 450.400 lekë për blerje pjesësh këmbimi dhe riparim të dy makinave në përdorim të këtij institucioni. Sipas informacioneve zyrtare, në Agjencinë e Prokurimeve Publike, njoftimi për hapjen e tenderave ishte dhënë më 3 maj, ndërkohë që data e mbylljes një ditë më pas.
Dy nga tenderat ishin futur si një i vetëm. Por ky tender ishte ndarë me dy zëra, përkatësisht 200.700 lekë dhe 161.500 lekë, pikërisht për blerje pjesësh këmbimi për automjetet e institucionit. Këto dy tendera u zhvilluan në orën 12:00 të ditës së enjte dhe fitues u shpall subjekti Arben Abasllari.
Sipas APP-së, ky subjekt ka paraqitur ofertën prej 168.000 lekësh për tenderin e parë, ku vlera limit për blerjen e pjesëve të këmbimit të dy mjeteve “Jeep” dhe “Mercedes Benz” ishte 200.700 lekë. Ndërsa për tenderin e dytë, ku fondi limit ishte 161.500 lekë, nuk ka informacion sesa ka qenë oferta e subjektit Arben Abasllari, duke qenë se ende nuk janë publikuar dokumentet e fituesit.
Tenderi i tretë, i realizuar po të enjten për të njëjtat makina, u mbyll në orën 12:30 dhe fitues u shpall subjekti “Tech Invest”. Ky tender me fond limit 38.200 lekë kishte objekt blerjeje vajin për dy automjetet e përmendura më lart të institucionit. Oferta fituese e “Tech Invest” për këtë tender ishte 17.750 lekë.
Tenderi i katërt u mbyll në orën 13:30 dhe fitues u shpall subjekti “NOVAKTI”. Ky tender kishte objekt riparimin dhe mirëmbajtjen për dy automjetet e institucionit, me një fond limit prej 50.000 lekësh. Subjekti fitues paraqiti një ofertë prej 48.000 lekësh.
Pra të katërt tenderat për dy makina janë realizuar brenda 24 orëve dhe tashmë fituesit duhet të plotësojnë kushtet e kërkuara nga autoriteti kontraktues, kundrejt shpërblimit për realizimin e të gjithë shërbimeve dhe blerjen e mallrave sipas specifikimeve teknike. Por Mirjeta Setallari, kishte bërë pazaret për këta tendera me biznesmenë, të cilëve u kishte shpjeguar që tenderi është fiktiv, pasi punimet për të cilat është shpallur procedura janë kryer më parë. Ajo është shprehur se, nëse do të ketë ofertues të tjerë, me kushte më të favorshme, ajo do të bisedonte me ta për të shpallur fitues biznesmenin me të cilin kishte rënë dakord më parë për vlerën e ryshfetit. Para hapjes së ofertave, shefja e Financës, për të arritur qëllimin e saj, i ka dërguar SMS biznesmenit që foli në telefon me të, duke i kërkuar emrin e subjektit të tij.

Artikulli paraprakKrimi rritet frikshëm, 21 të vrarë në 4 muaj
Artikulli tjetër18 qershori ka rënë politikisht dhe ligjërisht