Konkurrenca: U rrit çmimi i gazit për familjarët

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se pas shqetësimit të ngritur nga mediat elektronike dhe të shkruara në lidhje me rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm në treg, i cili në ndryshimet e fundit ligjore për paketën fiskale, ka prekur vetëm përdorimin e gazit të lëngshëm për automjetet dhe jo përdorimin e tij për nevoja të konsumatorit (rritja e akcizës për këtë kategori është 0 lekë), ka nxjerrë në terren me urgjencë specialistët për monitorimin e tregut sipas nenit 28 të Ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.
Pas monitorimit dhe vlerësimit të situatës nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës Autoriteti njofton se do të procedojë menjëherë me marrjen e masave konkrete, ndaj subjekteve të tregtimit me shumicë ose pakicë për kthimin e tregut në kushtet e konkurrencës.
Më 1 janar 2017, hyri në fuqi paketa e re fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu reagoi me rritjen e çmimeve uniform për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Një litër gaz kushton aktualisht mesatarisht 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 43-52 lekë që ishte në dhjetor 2016. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete edhe ndaj familjarëve dhe industrive.
Një ditë më parë, përfaqësues të industrisë u ankuan për “Monitor” se gazi për përdorim industrial ishte shtrenjtuar me 20 lekë për litër. Adi Haxhiymeri nga fabrika e miellit “Bloja”, tha se një pjesë e industrisë përdor si lëndë të parë gazin e lëngshëm. Rritja e menjëhershme gati me 20 lekë për litër ka rritur kostot dramatikisht.

Artikulli paraprakEuro rritet, ndërsa dollari po bie
Artikulli tjetër“Zëri i Amerikës”: Kryeministri ka kapur mediat