Kombëtarja fokusohet te sulmi

Fotografi, buzëqeshje dhe 90 minuta stërvitje. Kombëtarja përqafon tifozët më të rinj kuqezi, pasi një grup fëmijësh të Akademisë së Futbollit ishin të pranishëm në stadiumin “Selman Stermasi” për të ndjekur nga afër idhujt e tyre. Kombëtarja zbarkoi në stadium në orarin e paracaktuar dhe pas fotove të rastit me fëmijët e akademisë, u zhvendos në tapetin e gjelbërt për të vazhduar programin stërvitor. Të fundit që u shkëputën nga shkallët e stadiumit ishin trajneri De Biasi dhe ndihmësi i tij, Paolo Tramezzani. Më pas, vëmendja u përqendrua te grupi kuqezi që nisi një seancë rutinë për të ulur sa më shumë ngarkesën fizike pas testit të së mërkurës. Mavraj, Hysaj, Gjimshiti dhe Cikalleshi, të cilët u aktivizuan gjatë gjithë sfidës, u zhvendosën në një qendër trajtimi për ta kaluar pasditen në një qendër të specializuar për shkrydhjen e muskujve në vaskë me ujë të ftohtë.
Pjesa tjetër e skuadrës u nda në tre pjesë. Ishin ata që u aktivizuan kryesisht në pjesën e dytë që u vendosën nën urdhrat e përgatitësit atletik, ndërsa titullarët u nisën me disa ushtrime të lehta me topin. Ishte trajneri Gianni De Biasim ai që kërkoi më pas veprime të shpejta me topin, duke e përqëndruar vëmendjen në fazën sulmuese. Kombinime të shpejta në sulm dhe më pas finalizimi drejt portës. Trajneri italian kërkoi që lojtarët të tregohen sa më cinikë përpara portës. Xhaka, Balaj, Kaçe, Lila dhe gjithë pjesa tjetër e skuadrës shënjestruan katërkëndëshin pas aksioneve të shpejta me një takim.
Pas rreth 60 minutave, pjesa më e madhe e titullarëve u larguan drejt hotelit, ndërsa seanca stërvitore vazhdoi me pjesën e mbetur të lojtarëve që gjithashtu u testuan nëpërmjet veprimeve të shpejta në afërsi të zonës. Stafi teknik kërkoi sa më shumë finalizime të sakta. Një seancë stërvitore ku mediat u lejuan gjatë gjithë kohës, pasi objektivi kryesor i trajnerit ishte çlodhja e lojtarëve pas ndeshjes miqësore. Ditët e ardhshme, De Biasi do të fokusohet në veprimet taktike për të ndërtuar skuadrën anti-Maqedoni.
Atmosferë fantastike, stadium i mbushur me kapacitet të plotë dhe entuziazëm në tribuna. Kështu do të jetë debutimi i Shqipërisë, në kualifikueset e Botërorit 2018. Mbështetja në Loro Boriçi ndaj Maqedonisë do të jetë maksimale. Kjo konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, që saktëson se më tepër se 90 për qind e biletave kanë përfunduar në duart e tifozëve. Pas shitjes online, ku disponueshmëria për biletat në tribunën D përfundoi në kohë rekord, e njëjta ndodhi edhe me biletat që u hodhën në treg, në pikat e shitjeve në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Praktikisht “Loro Boriçi” do të jetë plot me tifozë kuqezi, ndërsa në treg janë ende edhe pak vende në sektorë të caktuar mbrapa portave, ku edhe ato pritet të shiten deri në startin e ndeshjes.
E vetmja tribunë e boshatisur në debutimin e Shqipërisë, do të jetë E5, e cila ishte e rezervuar për tifozët miq. Pasi konfirmoi prezencën e 400 mbështetësve, Federata e Maqedonisë u tërhoq, duke njoftuar edhe zyrtarisht në FSHF, se asnjë tifoz mik nuk do të jetë i pranishëm në Shkodër. Në situatën e krijuar, FSHF po konsultohet për të nxjerrë në shitje edhe biletat në tribunën E4, që në rast të prezencës së tifozëve miq mund të qëndronte e boshatisur për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes. Shqipëria do të kërkojë t’i nisë me fitore kualifikueset e Botërorit 2018 dhe e garantuar është që më 5 shtator Kombëtarja kuqezi do të ketë mbështetjen maksimale të afro 16 mijë tifozëve në stadium dhe miliona shqiptarëve në mbarë botën.

Artikulli paraprakKombëtarja beson!
Artikulli tjetërRritja ekonomike e Spanjës