Kokoneshi ka fshehur të dhënat, nën akuzë për trafik prostitucioni

Qindra demokratë dhe qytetarë të Divjakës protestuan dje para zyrave të Bashkisë duke kërkuar hetim për akuzat e ngritura ndaj kryebashkiakut Fredi Kokoneshi për trafik prostitucioni. Është pikërisht, sekretari personal i Kokoneshit, kreut të PS-së së kësaj zone, që ka akuzuar publikisht se kryetari i Bashkisë, ka pasur procedim në Itali për trafik prostitucioni.
Vetë kryetari i Ramës në Divjakë, nuk e ka deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit.
Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji dhe kryetari i PD-së së Lushnjës, Myslym Murrizi, kërkuan që Kokoneshi të mbajë përgjegjësi për akuzat dhe për fshehjen e të dhënave. Dhe i kërkuan Prokurorisë të vihet në lëvizje.
“Sot jemi këtu pas denoncimit që ka bërë ish-sekretari i PS-së së Divjakës, Bert Monja, i cili akuzon haptazi kryebashkiakun Kokoneshi si tutor prostitutash dhe është e habitshme që Kokoneshi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta paditur për shpifje. Ne vijmë sot këtu sepse ka filluar fenomeni domino i rrëzimit një nga një të të inkriminuarve pas hyrjes në fuqi të ligjit për dekriminalizimin, ashtu si në rastin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Shpejt qytetarët do të mësojnë të vërtetat rreth formularit të deklarimit të bashkiakut Kokoneshi. Ne do t’i drejtohemi prokurorit të Përgjithshëm për të vërtetuar akuzat nga shoku i tij i ngushtë dhe ish-sekretari i Partisë Socialiste të zonës së Divjakës. Asgjë më tepër nuk ngrejmë ne si PD, me çka thotë ai në një konferencë shtypi, që e kanë dhënë mediat. Nëse Kokoneshi ndihet i qetë nuk ka pse sjell këtu tellallë, por t’i drejtohet gjykatës për shpifje”, tha Murrizi.
“Siç e shikoni ne jemi në rrugëtimin tonë bashkë me qytetarët për t’i treguar Edi Ramës dhe qeverisë se ku i ka futur kriminelët që kemi prej 2 vitesh e gjysmë e që i kemi denoncuar si Parti Demokratike. Sot, ish-drejtuesi i Partisë Socialiste të zonës dhe miku i ngushtë i kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi e ka akuzuar si një person që në vitet ‘95-‘96 ka trafikuar dhe ka bërë tutorin për vajza në rrugët e Italisë. Në vetëdeklarimin e tij nuk e ka deklaruar dhe ne sot i bëjmë thirrje para Bashkisë së Divjakës, Prokurorisë që të nisë hetimet dhe t’i ndërpritet menjëherë mandati kryebashkiakut të Divjakës për deklarim të rremë sipas ligjit të dekriminalizimit. Siç e shikoni në çdo cep institucione publike nuk janë në shërbim të publikut, por janë në shërbim të krimit dhe personave të inkriminuar. Edhe sot këtu shohim disa punonjës së bashkisë që provokojnë dhe nuk lejojnë qytetarët në të drejtën e tyre për të dhënë deklarata e për të kërkuar llogari për një akuzë publike të bërë nga vetë nga brenda radhëve të PS. Kryebashkiaku është i detyruar ta sqarojë nëse është hetuar nga autoritetet policore italiane apo jo”, tha Salianji.
Sekretari për Aksionin Qytetar tha se inkriminimi i institucioneve dhe bashkive është modeli i Ramës.
“Institucionet janë vetëm në shërbim të një grupi të ngushtë njerëzish, të cilët e përdorin për t’u pasuruar sot, për të rritur taksat për qytetarët, për të sjellë krimin në administratë dhe jo për të çuar taksat dhe administrimin e pushtetit për qytetarët ashtu siç i takon. Siç e shikoni këtu janë mbi 200 qytetarë që po provokohen nga disa prej punonjësve të Bashkisë së Divjakës që kërkojnë llogari pse protestojmë. Ky është modeli që ka sjellë Edi Rama në qeverisje, ky është modeli që do të rrëzohet sa më parë me votë nga shqiptarët. Sot jemi në rastin e disatë të kryebashkiakëve të akuzuar për krime të rënda siç janë prostitucioni, vrasjet apo trafiku i drogës. Presim përgjigjen e Ramës dhe kryebashkiakut, presim hetimin e plotë të Prokurorisë”, tha Salianji.

Akuzat ndaj Kokoneshit për trafik prostitucioni

Kandidati i PS për Bashkinë e Divjakës, Fredi Kokoneshi, aktualisht kryetar i Bashkisë, ka qenë tutor prostitutash në Itali dhe ka deklaruar vetë se ka fituar 60 milionë lireta. Një vit më parë, ish-sekretari i PS të Divjakës, Berti Mone, gjatë një konference për shtyp më 5 maj të këtij viti, deklaroi se kryetari aktual i Bashkisë Divjakë, të cilin PS e rikandidoi, ka qenë tutor prostitutash në trotuaret e Milanos në vitin ‘95-‘96, ku ka patur një prostitutë nga Kombinati. Kokoneshi i ka dhënë prostitutës nga Kombinati 30 milionë lireta që të mos e denoncojë në Policinë e Milanos. Sipas ish-sekretarit të PS Divjakë, Fredi Kokoneshi është qëlluar me levë në kokë nga kushëriri i tij dhe ka qenë 21 ditë në gjendje kome në një spital të Milanos. Pas daljes nga spitali, policia italiane arreston kushëririn e tij dhe prostitutën nga Kombinati dhe ai detyrohet që të vijë në Shqipëri përgjatë gjithë natës.
“Fredi Kokoneshi, aktualisht kryetar i Bashkisë Divjakë dhe kandidat për Bashkinë e madhe nga Partia Socialiste më ka treguar vetë, në një kohë që kemi qenë 32 vjet shokë. Më ka treguar vetë këto që do t’iu them dhe që i di e gjithë Partia Socialiste nga baza deri në qendër si dhe deputeti. I dinë të tërë qytetarët e Divjakës, i dinë të tërë qytetarët e Lushnjës dhe kolegët e Fredi Kokoneshit, që kanë qenë tutorë prostitutash në trotuaret e Milanos në vitin ‘95-‘96”, u shpreh gjatë konferencës për shtyp ish-sekretari i PS të Divjakës, Berti Mone.  Më tej, Mone deklaroi se kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, kur ka qenë tutor prostitutash me një vajzë nga Kombinati e goditi me një levë hekuri në vitin ‘96 kushëriri i tij dhe e hodhi në trotuaret e Milanos. “21 ditë ka qenë në gjendje kome i shtruar në spital, e ka marrë policia. Pas tre muajsh kur del nga koma, shyqyr që na u përmend dhe u ngjall dhe nuk vajti në botën tjetër, Fredi Kokoneshi nuk vajti as në shtëpi se rrinin bashkë me kushëririn dhe prostitutën nga Kombinati. Pas tre muajsh, kur kushëririn e tij dhe prostitutën i arrestoi policia italiane, Fredi Kokoneshi erdhi për tërë natën në Shqipëri dhe më thotë mua: “Bert, asaj prostitutës i dhashë 30 milionë lireta që të mos më denonconte, sepse vetëm në gusht me atë unë fitova 90 milionë lireta”. Këto janë të gjitha të vërteta. Bile në vitin 2012, këtë fakt e ka pohuar në Drejtorinë e Shërbimit Informativ në Lushnjë, në maj të vitit 2012”, deklaroi Mone.  Ish-sekretari i PS të Divjakës, Berti Mone tha më tej se është poshtërim i popullit të Myzeqesë, i popullit të mrekullueshëm të Myzeqesë që Partia Socialiste rikandidon një tutor prostitutash, hajdut me fondet publike në Bashkinë Divjakë. “Fredi Kokoneshi ka vajtur në Prokurori, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur me shkelje të rënda, është hajdut me të ardhurat në Lagunën e Karavastasë, etj., etj. Pra, përsëri Partia Socialiste duke i ditur këto se kush është ky person, e rikandidon një tutor prostitutash. Megjithatë këtë t’ia lëmë popullit të mrekullueshëm të Myzeqesë që të vendosë më 21 qershor”, ka deklaruar Mone.

Artikulli paraprakTelevizion publik i Bosnjes në prag mbylljeje
Artikulli tjetërDosja e Karaburunit, arrestohet noterja dhe avokati