KLSH i kërkon Veliajt të anulojë rritjen e çmimit të biletave të urbanit

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të anulojë rritjen e çmimit për transportin publik në kryeqytet, rritje që u krye nga Këshilli Bashkiak në fund të vitit 2015 vetëm me votat të të majtëve. Sipas raportit të KLSH, Bashkia Tiranë nuk ka pasur asnjë studim ekonomik dhe asnjë formulë mbi të cilën është rritur çmimi.
“Indeksimi i çmimit të biletës së udhëtimit nga 30 lekë në 40 lekë nuk ka patur një studim ekonomik nga ana e Bashkisë Tiranë dhe nuk ka pasur një formulë, mbi të cilën është rritur çmimi”, shkruhet në raportin e KLSH.
Sipas audituesit të KLSH-së, Bashkia e Tiranës nuk garanton në nivel të kënaqshëm një shërbim të pranueshëm të transportit publik qytetas. “Kuadri rregullator shfaq mangësi. Mungojnë akte, të cilat duhet të ishin pjesë e kuadrit rregullativ për të siguruar një shërbim cilësor të transportit urban qytetës. Mungesa e disa prej tyre, të cilat janë mjaft të rëndësishme në vendosjen e standardeve të cilësisë dhe monitorimin e shërbimit të ofruar nga operatorët, i jep përmasa afatshkurtra marrëdhënies mes operatorëve privatë dhe bashkisë.
Në kushte të tilla është e vështirë të ndërtohen strategji për ofrimin e shërbimit të duhur të transportit publik qytetës. Ekzistojnë dallime mes objektivave strategjike dhe strategjive të vendosura në këtë fushë. Gjithashtu, ka mungesa në plane taktike dhe operacionale, në përmbushje të këtyre objektivave strategjikë të miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe veprimet e ndërmarra nga drejtimi janë afatshkurtra, jokoherente dhe jo të bazuara në strategji afatgjata. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e parregulluara formalisht midis strukturave brenda dhe në varësi të bashkisë ulin ndjeshëm efektivitetin e komunikimit dhe rrjedhimisht nuk garantojnë një proces efektiv në menaxhimin dhe monitorimin e këtij shërbimi”, thuhet në raport.
Deri në nxjerrjen e një analize të plotë e të saktë bazuar në kushtet e lartpërmendura, KLSH rekomandon Bashkinë e Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës së transportit urban qytetës.
Pas kërkesës së KLSH ka reaguar edhe kreu i këshilltarëve të djathtë Leonard Olli. “Për fat te keq, çdo gjë që kemi thënë publikisht në mbledhjet e Keshillit Bashkiak për vendime antiligjore dhe në kundërshitm me interesat e qytetarëve nga Veliaj, dhe në veçanti për ngritjen e padrejtë të çmimit të biletës të transportit publik, tashmë po vërtetohet edhe nga organet kompetente. Afera 6 milionë dollarëshe që ngriti me 33% çmimin e biletës, me një të rënë të lapsit, duke gëdhirë 31 dhjetor 2015, ishte një vjedhje e pastër. Tashmë ky skandal vërtetohet edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për më tepër, tashmë i kapur nga klienët e vet, Veliaj ka hequr dorë nga kërkesa e llogarisë për standardet e transportit publik. Sot, qytetarët paguajnë më shumë dhe kanë një shërbim mjeran, në cilësi, në kohë shërbimi dhe kohëzgjatje udhëtimi. Koha që banorët e Tiranës të kërkojnë kthimin e lekëve të grabitura padrejtësisht nga Veliaj&Co!”, shprehet Olli

Artikulli paraprakMegaafera rrit me 30% çmimin e gazit
Artikulli tjetërMerret peng një person në Tiranë