Kërcënimi i Nikollës: Sot, në takimin e Ramës, ose ikni

Ministrja e Arsimit ka kërcënuar të gjithë mësuesit se në rast se nuk do të paraqiten sot në takimin e Ramës në Pallatin e Kongreseve, atëherë të hënën do të përjashtohen nga puna. Në pamundësi për të mbledhur qytetarët në takime, Rama ka degraduar në mbledhës me dhunë të mësuesve dhe nxënësve në aktivitetet e tij elektorale.
Ja se çfarë shkruhet në mesazhin e njërit prej mësuese: “Nesër në orën 11:00 ministrja e Arsimit që vetëm ministër nuk është, do të organizojë një takim në Pallatin e Kongreseve ku ka urdhëruar të gjithë mësuesit e shkollave të paraqiten në takim në të kundërt ditën e hënë janë të pushuar nga puna. Kolegë ju bëj thirrje ta bojkotoni këtë takim, mos kini frikë nga një mësuese idiote”. Pra, ata që si binden urdhrit për të dalë në fushatë dhe dëgjuar broçkullat e Ramës ditën e sotme të hënën rrezikojnë bukën e fëmijëve. Edi Rama për interesa të tij, nuk po i lë mësuesit të gëzojnë as ditën e pushimit pranë familjeve, por i mbledh në takime farsë që s’janë gjë tjetër vetëm se shenja të degradimit të pushtetit të tij.
Edi Rama vijon të përdorë resurset e administratës dhe gjimnazistët e shkollave për fushatë elektorale, dhe në këto kushte Lindita Nikolla po shkel hapur ligjin për zgjedhjet dhe është në kushtet e shpërdorimit të detyrës. Dje, Rama ishte në Kukës, ku ashtu si dhe në raste të tjera ka sjellë nga rrethe të tjera me autobuzë gjimnazistë për të mbushur mitingjet e tij. Natyrisht, vota kërkohet në këmbim të notave dhe të drejtës së studimit, duke i sjellë si shembull dhe peripecitë që hoqën maturantët e një viti më parë. Edi Rama ka shënjestruar këtë target të popullsisë, me qëllimin për të rritur sadopak numrin e votave, të cilat nga sondazhet e kryera nga vetë partia e tij e nxjerrin me të paktën 200 mijë vota mangut. Në këtë inkursion, ai po përdor dhe shantazhet ndaj mësuesve, të të gjitha niveleve, duke i  kërcënuar me vendet e punës. Këtë rol po e kryejnë më së miri drejtorët e drejtorive në rrethe dhe drejtorët apo nëndrejtorët e shkollave, të gjithë të punësuar në bazë partishmërie dhe pa asnjë kriter përzgjedhës për vendin e punës.

Shkelja e ligjit

Këto janë fakte që tregojnë qartë se, Edi Rama s’mund të kryejë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Klani dhe enturazhi i këtij pushteti se ka për gjë t’u heqë bukën nga goja çdo punonjësi të administratës, mjek, infermier, apo arsimtar që nuk i bindet urdhrave të tij absurdë për të dalë e dëgjuar ato që në fakt thotë në çdo takim. Personi i cili nuk ka asnjë arritje në punën e tij katërvjeçare, por përdor tashmë format e despotizmit ndaj pjesës së pambrojtur të administratës që janë arsimtarët dhe infermierët.  Fushata elektorale nuk ka filluar ende, dhe megjithëse ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me zgjedhjet revanshi politik i Edi Ramës, për t’i manipuluar me çdo formë ato duket se është i madh. Rama po kërkon të mbledhë vota me anë të kërcënimit të atyre që ka nën urdhëra, ndërsa për të tjerët mendojnë “çunat” e narkotrafikut dhe krimit që ka rekrutuar në çdo rreth. Nxjerrja me urdhër në aktivitete elektorale është shkelje e ligjit, dhe Nikolla duhet të përballet me shpërdorim detyre. Por Nikolla duhet të përballet me ligjin dhe për katrahurën që solli në arsim, si dhe për tenderat abuzivë, sidomos me tekstet shkollore, që i ka dhënë klientëve të saj dhe të Edi Ramës.

Rama ka nisur fushatë luksi me paratë e krimit

Megjithëse deklarohen vetëm 730 milionë lekë të vjetra që i jep buxheti i shtetit Partisë Socialiste, udhëtimet e shtrenjta të Edi Ramës, kolonat me autobusë që po përdor që nga fillimi i këtij viti, tregojnë qartë se ai po kalon disa herë këtë shumë. Duket se paratë e drogës së vitit 2016 e këtej, po implementohen që tani në fushatë nga banda e PS-së. Vetëm ecejaket e nxënësve nga Kuçova në Shkodër, apo nga Tirana e Durrësi në Kukës, apo nga e gjithë Shqipëria për në Tiranë, kushtojnë miliona lekë. Po t’i shtojmë këtu dhe njerëzit e abonuar për takimet e tij, teksa shpërndan tapi legalizimesh si punonjës Hipoteke, banketet prej sheikësh të të deleguarve të PS-së, dhe FRESSH-istëve, atëherë llogaritë e tejkalojnë disa herë shumën e vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit. Megjithëse nuk ka nisur ende zyrtarisht fushata (që ende nuk dihet kur do të nisë) sërish shenjat janë të qarta, se Rama me anë të parave të drogës, përdorimit të resurseve në administratë, lejeve të ndërtimit, koncesioneve e të tjera si këto po kërkon një rezultat të paracaktuar në tavolinë. Dje nga Kukësi do të thoshte marrëzinë e radhës se, “mund ta zëvëndësojë ai opozitën”, një shprehje që do i shkonte për shtat diktatorëve të Koresë apo Kubës, por kurrsesi një kryeministri në një sistem demokratik. Dita-ditës po del në pah, se përse Rama nuk pranon t’i hapë rrugë një qeverie teknike, duke mbajtur pushtetin me çdo kusht, madje duke rrezikuar të çojë dhe të gjithë sistemin e institucioneve në kolaps. Arsyeja është e thjeshtë. Një veprim i tij do i hiqte nga duart kontrollin e parave të drogës, kontrollin e resurseve të administratës, do  sillte rrezikun e braktisjes nga ana e klientëve të tij në rastin më të keq, ose mbajtjen e tyre larg zgjedhjeve të ardhshme. Ky është arbitri që pretendon se do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, një arbitër që në këtë proces është po aq i pafajshëm sa pronarët e tonelatave të drogës që po kapet përditë në shtetet fqinje. Siç fjala vjen, është rasti i Qazim Sejdinit të Elbasanit, i cili udhëheq fushatën atje së bashku me Taulant Ballën.

Armand MAHO

Artikulli paraprakShqipëria bëri një rrugëtim interesant
Artikulli tjetërQëndrimi amerikan: Nuk ka zgjedhje pa opozitën