Katër vjet pa shtëpi/ Sfidat e strehimit vazhdojnë në Durrës

Katër vjet pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, në bashkinë e Durrësit, epiqendrën e fatkeqësisë natyrore, procesi i rindërtimit vazhdon.

Shumë familje kanë arritur të futen në banesa të reja, ndërsa 2400 të tjera janë pa shtëpi dhe prej muajsh nuk trajtohen as me bonusin e qirasë. Kjo ka shkaktuar probleme ekonomiko-sociale për disa prej tyre dhe janë detyruar të kthehen në banesat e pariparuara, ose të papërfunduara ku ndjehen të pasigurt.

“Ka vend për gëzim, thjesht ideja që po kthehesh në shtëpinë tënde, po kur në një javë kalon në kurriz ngjitjen nëpër shkallë me fëmijë, me qese nëpër duar nuk ka vend shumë për gëzim kur përballesh me realitetin. Nuk mund të bëhet kolaudimi i pallatit pa u bërë ashensori, vendosur kangjellat e shkallëve. Siguria është zero. Ne banojmë aty dhe është shumë problem, por hymë se qiratë janë shumë të lartë dhe s’mund të përballohen më. Që në mars nuk e kemi marrë bonusin”, tha banorja.

Në Durrës tërmeti la pas 24 viktima, afërsisht 8 mijë objekte të dëmtuara, mijëra familje pa strehë dhe nxënës pa shkolla. Mbi 1 000 objekte u deklaruan për shembje. Disa u shembën, të tjera qëndrojnë në pritje. E ndërsa një pjesë e objekteve shkollore janë rindërtuar, të tjera, përfshirë dhe gjimnazet kryesore të qytetit, janë në proces. Nxënësit e zhvillojnë mësimin në turnin e pasdites.

Këtë vit në Manëz përfundoi ndërtimi i lagjes së re, ndërsa në Spitallë të Durrësit punimet vijojnë. Strehimi vazhdon të mbetet problemi kryesor.

“Çelësat i morëm, kemi 2 javë, po kot. S’kemi ujë drita. Vijmë, shohim dhe ikim”.

“Në bashki na thonë i kemi çuar emrat te elektriku, atje thonë s’kemi matës. Si bëhet kolaudimi?! Asnjë s’ka hyrë”, thanë dy familjarët.

Pallatet me dëme të nivelit të ulët e të mesëm (DS1-DS3) janë riparuar, por shumë prej atyre të dëmtuara rëndë qëndrojnë në pritje. Janë 96 pallate të shpallura të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, me nivel dëmi DS4 që nuk janë riforcuar. Të tjera DS5 presin të shemben.

4 vjet pas tërmetit, edhe drejtësia dëshmoi se përgjegjësia për ndërtimet skandaloze mbeti pa fajtorë. Të gjithë ata që u arrestuan të akuzuar për një sërë veprash penale nga shpërdorimi i detyrës deri tek vrasje nga pakujdesia u lanë të lirë, ose u dënuan me periudhën e paraburgimit. Shumë prej të dëmtuarve nga tërmeti e kanë humbur shpresën.

“Pas 4 vitesh gjendja është si një ditë pas tërmetit. Jemi po njësoj. Bonus kemi 8 muaj që nuk marrim dhe asnjë zgjidhje. Hetimet po flejnë në sirtaret e prokurorisë së Durrësit. Prokurori që e kishte çështjen tentoi ta mbyllte, por u shkarkua nga Vettingu. Shpresa është shumë e pakët”, tha banori para pallatit për shembje.

I vetmi drejtues i lartë që qëndron pas hekurave i hetuar nga SPAK për “shpërdorim detyre” për rastin e një pallati të vetëm të dëmtuar nga tërmeti është ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili u arrestua në qershor të këtij viti./tch

Artikulli paraprakArritja e pavarsisë shqiptare, një mrekulli
Artikulli tjetërProblemet e ullirit/ Fermerët ankohen për prodhimin