Katastrofë ekologjike, plazhi i Zvërnecit ndotet me bitum

Një katastrofë ekologjike ka ndodhur në plazhin e Zvërnecit në Vlorë, pasi rezulton të jetë ndotur me bitum. Sipas burimeve nga policia, shkaktare e ndotjes dyshohet të ketë qenë një anije që po furnizohej me naftë bruto. Gjatë furnizimit të anijes, dyshohet se është çarë tubi. Mësohet se sipërfaqja e ndotur me bitum është rreth 3 km. Nuk është hera e parë që plazhi i Zvërnecit ndotet, pasi në 2011 ai është ndotur edhe me solar.
Para pak kohësh një katstrofë e tillë ndodhi edhe në bregdetin e Durrësit ku u ndot me hidrokarbure rreth 2.5 km vijë bregdetare. Ndotja u shkaktua nga një anije çisternë që shkarkoi hidrokarbure në det. Si pasojë, e gjithë vija bregdetare e plazhit të Durrësit u ndot masivisht nga shkarkimi i hidrokarbureve në det. Ende nuk dihet se kush është shkaktari i katastrofës ekologjike, pasi hetimet ende vazhdojnë. Por lind pyetja, a është qeveria palë në këto katastrofa mjedisore, duke i lejuar këto anije cisternë që të derdhin naftën në brigjet tona? Si është e mundur që deri tani nuk ka asnjë përgjegjës? Ministrat janë lënë fajin njëri-tjetrit dhe askush nuk merr përgjegjësi për këtë masakër mjedisore që do të rëndojë mbi turizmin.
Edhe në Durrës, banorët shprehen se nuk është hera e parë që nafta del në breg të detit. Këto katastrofa ndodhin pikërisht në prag të çeljes së sezonit turistik dhe hidhen dyshime se, mund të jenë të qëllimshme. Ndërkohë, ende nuk ka patur asnjë reagim nga qeveria për katastrofën e djeshme ekologjike në plazhin e Zvërnecit në Vlorë.

Lirohet nga burgu pa vendim gjykate i dënuari për vrasje

Një i dënuar për vrasje është liruar nga burgu i Shën Kollit në Lezhë pa vendim gjykate. ABC News publikoi skandalin, duke zbardhur edhe vendimin e dhënë nga Gjykata e Lezhës për llogari të kërkesës për ekstradimin e tij në Kosovë. Por që çuditërisht, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe ajo e institucionit të Shën Kollit në Lezhë nuk e dispononin këtë vendim.
Sipas akuzës, Shuaip Zukaj njihet edhe si Shaban Zukaj në vitin 1999 ka tentuar të vrasë një bashkëvendas të tij në Shëngjin. Pas krimit ai është larguar, ndërsa Prokuroria e ka hetuar në mungesë ku edhe është dënuar me 20 vjet burg. Gjatë kohës së arratisjes, në Kosovë thonë se Zukaj ka kryer një vrasje në Deçan, duke ekzekutuar më 1 shtator të vitit 2011 në një lokal shtetasin Zyber Dervishaj dhe ka plagosur Adil Thaçin. Pas kësaj vrasje, Zukaj është larguar në drejtim të Belgjikës ku ka ndërruar edhe identitet. Por për llogari të dënimit në Shqipëri, Zukaj është arrestuar në vitin 2012 në Belgjikë dhe më pas është ekstraduar në Shqipëri. Gjykata në Lezhë, pas ekstradimit i ka ndryshuar dënimin nga 20 vjet burg në 6 vjet e 8 muaj. Sipas kartelës personale të tij, rezulton se në burg ka qëndruar vetëm 3 vjet, pasi po Gjykata e Lezhës i ka falë dënimin e mbetur. Por gjatë kohës së qëndrimit në burg, autoritetet e Kosovës kanë sjellë kërkesën për ekstradimin e tij, e cila është miratuar nga Gjykatat shqiptare. Në vendimin që ABC News e ka publikuar, thuhet se me të përfunduar dënimin në Shqipëri, Shuaip Zukaj të ekstradohet në Kosovë për të vuajtur dënimin për vrasje. Por pavarësisht këtij vendimi, administrata e burgut i ka hapur derën, duke e lënë të lirë.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Policisë së Burgjeve ka shkarkuar tre inspektorët e saj pranë burgut të Shën Kollit në Lezhë. Arsyeja e lirimit, mësohet se është neglizhenca në detyrë, pasi nuk kanë raportuar skandalin e lirimit të shtetasit nga Kosova, për të cilin kishte një vendim ekstradimi. Për këtë rast të paprecedent dje është arrestuar edhe juristi i burgut. Burimet thanë se, firmëtarë të lirimit të Shuaip Zukajt janë juristi i burgut dhe zv/drejtori i institucionit të vuajtjes së dënimit në Shën Koll. Të dy këta persona janë rimarrë në pyetje gjatë ditës së hënë nga prokurori i çështjes, ku kanë pretenduar se në kartelën e të dënuarit Zukaj nuk kishte vendim ekstradimi. Qëndrim ky që është mbajtur edhe nga zyra për media e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Por, burimet thonë se në protokollin e këtij institucioni rezulton se vendimi i Gjykatës për ekstradimin e tij, është depozituar në institucion nga Gjykata e Lezhës, por nuk dihet si është zhdukur nga dosja personale e Shuaip Zukajt. Prokurorët kanë hedhur dyshime se ky vendim, që njofton autoritetet e burgut se në mbarim të dënimit, Shuaip Zukaj duhet të ekstradohet në Kosovë, është hequr me vetëdije nga kartela personale e të dënuarit, për ta liruar atë. Kush është personi që e ka hequr, i mbetet Prokurorisë ta zbardhë në ditët në vazhdim. Ndërkohë për këtë skandal ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë.

Artikulli paraprakHetimi, vrasja e Elton Çiços për trafikun e drogës drejt Greqisë
Artikulli tjetërKorrupsioni me naftën, në gjyq ish-nëndrejtoresha e Doganave