Kapen 3.2 ton drogë nga Shqipëria në Pulia e Leçe

Sërish lumë droge nga Shqipëria drejt Italisë. Ditën e djeshme janë sekuestruar nga policia italiane plot 3.2 tonë kanabis gjatë dy operacioneve në Pulia dhe Leçe. 2 tonë marijuanë nga Shqipëria, 1 kg heroinë, 100 gramë kokainë, dhjetëra bimë kanabis, koli cigaresh kontrabandë e të mira materiale në vlerë rreth 2 milionë euro u sekuestruan nga policia italiane. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, operacioni “Carola” ka marrë emrin nga skafi me të njëjtin emër me të cilin trafikanti italian Alessandro Marchesani po transportonte në Itali rreth 2 tonë marijuanë. Trafikimi i kësaj sasie të madhe droge është zbuluar gjatë përgjimeve telefonike nga Antimafia italiane. Gjatë përgjimeve telefonike, ky trafikant lavdërohej se do ta mbushte territorin e Termolit në Molisse plot drogë e hashash nga Shqipëria.
Pas 4 vitesh hetime, Policia Financiare italiane ka përmbyllur dje dy operacione antidrogë të koduara “Carola” e “Hora Arbëreshe”, të cilët kanë çuar në shkatërrimin e 3 grupeve trafikantësh italo-shqiptarë në rajonet e Abrucos, Molise e Puglia. Të paktën 15 persona janë arrestuar e 11 të tjerë janë vënë nën hetim me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Hetimet e policisë italiane kanë përfshirë të gjithë territorin italian e në veçanti zonat e Termoli, Campomarino e San Martino in Pensilis në rajonin e Molises.
Kjo organizatë kriminale ishte e përbërë nga 3 grupe, mes të cilëve dhe grupi i trafikantëve shqiptarë. Lënda narkotike transportohej shpesh nga Pulia në Molise e fshehur në rrotat e makinave. Operacioni “Hora Arbëreshe” që do të thotë “flit shqip” u ekzekutua pas monitorimit të gjatë të trafikantëve shqiptarë rezident në këtë territor.

1.2 ton kanabis kapen në Leçe

Mëngjesin e djeshëm, Guardia di Finanza e Leçes sekuestroi 1.2 tonë kanabis. Fillimisht gjatë operacionit të Guardia di Finanza u sekuestruan mbi 100 kg drogë dhe u vu në pranga një italian dhe katër shqiptarë. Një patrullë e grupit antidrogë, angazhuar në një shërbim patrullimi në afërsi të Komunës Cerano, kanë pikasur dy makina që ishin bërë pis me baltë, një “Toyota” Yaris dhe një “Fiat” Iveco Daily, që udhëtonin njëra pas tjetrës, raportojnë mediat lokale.
Efektivët ndaluan mjetet në Roccabascerana dhe në brendësi të furgonit që drejtohej nga 48-vjeçari italian Vittorio P., gjetën 1.2 ton marijuanë të mbështjella me celofan dhe të ndarë në 66 pjesë. Ndërsa, në automjetin tjetër gjendeshin tre shqiptarë, të identifikuar si: Klajdi Beqiras, 25 vjeç, Blerdian Abazi, 28 vjeç dhe Klaus Zenelas, 23-vjeç. Aty pranë, të fshehur në shkurre, efektivët gjetën edhe një tjetër shqiptar të identifikuar si Denis D Pastrai. Edhe ai bënte pjesë e grupit, siç tregohet nga kontaktet me celular me personat e tjerë të ndaluar. Të pestë, janë dërguar në burg.

Trafiku i drogës me gomone

Gjatë kohëve të fundit është rritur së tepërmi trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Kanabisi, pasi bëhet gati në parcelat që kanë si pronarë drejtuesit e policisë, grumbullohet në pika të caktuara dhe niset me skafe drejt Italisë. Para tre ditësh 1 ton drogë u sekuestrua nga policia italiane në Brindisi që vinte nga Shqipëria. Mediat italiane shkruanin se, lënda narkotike ishte transportuar me gomone nga bregdeti i Vlorës. Gomonia me drogë ka kaluar pa asnjë problem për policinë shqiptare drejt ujërave të Italisë. Policia italiane ka bërë të mundur kapjen e gomones në Brindisi.
Gomonia kishte në brendësi një ngarkesë me 31 pako të mëdha, që përllogariten në 1 ton hashash. Duke iu referuar policisë, mediat italiane shkruajnë se mjeti lundrues është në zotërim nga tre shqiptarë, që kanë mundur të arratisen. Gomonia e kapur është 8.5 metra e gjatë, me dy motorë. Ajo ishte nisur nga Vjosa mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:00. Në orën 4:30 një helikopter i policisë zbuloi mjetin e dyshimtë, rreth 30 milje larg brigjeve të Brindisit. Trafikantët rritën shpejtësinë dhe arritën të dilnin në breg, ku braktisën mjetin dhe u larguan.
Në orën 6:00 të mëngjesit të së hënës, Guardia di Finanza e Barit njoftoi se në territorin e Torre Santa Sabina, është kapur gomonia me 31 pako hashash. Nuk është bërë i mundur arrestimi i poseduesve të drogës dhe drejtuesit të mjetit ujor, pasi ata janë larguar sapo kanë parë mjetet e policisë italiane gjatë operacionit për bllokimin e drogës.
Ndërkohë, policia shqiptare bëri të ditur dje, se kishte patur njoftim për nisjen e gomones me 1 ton drogë nga grykëderdhja e Vjosës, por nuk ka arritur ta ndalojë.
Rreth orës 06:00, Guradia di Finanza e Barit ka njoftuar se në territorin e Torre Santa Sabina, është kapur mjeti lundrues me gjatësi 8.5 metra, me motor “Merkuri 250”, plus motor rezervë, si dhe 31 pako marijuanë. Ndërkohë, tre trafikantët kanë arritur të dalin në breg dhe më pas të largohen”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare. Në njoftimin për mediat nuk ka shpjegim se përse dështoi operacioni i policisë shqiptare, pasi tre trafikantët e drogës kanë arritur të largohen të paidentifikuar.
Megjithëse ishte e ngarkuar me 1 ton kanabis, gomonia e trafikantëve të drogës arriti t’i shpëtojë policisë shqiptare. Me një ngarkesë të tillë, është logjike të mendohet se trafikantët e kanë pasur të vështirë të manovrojnë në det, aq më tepër nga moti i keq. Por sipas policisë, pikërisht për shkak të motit të keq, trafikantët kanë arritur të largohen.

Artikulli paraprakReferendum për plehrat
Artikulli tjetërSkandali, Dako i Ramës i mori pronën me dokumenta biznesmenit të masakruar