Kanabisi “përmbyt” laboratorin e policisë

Tetë tonë drogë kanabis të bllokuara në Berat, Përmet, Burrel, e zona të tjera të vendit që prej fillimit të këtij viti, kanë mbushur të gjitha ambientet e laboratorit të Institutit të Policisë Shkencore në vend. Korridoret e zyrat janë kthyer në magazina. Burime nga Instituti i Policisë Shkencore thonë për Televizionin “Klan” se edhe në tualetet e tij mund të gjesh pako apo thasë, në të cilët janë administruar nga hetuesit në ngjarje të ndryshme si prova materiale.
Sasitë e mëdha të lëndës narkotike duhet të ekzaminohen dhe nuk mund të asgjësohen. Por ato po bllokojnë jo vetëm ambientet, por edhe punën e specialistëve të policisë.
Ekspertë që punojnë në këtë laborator thonë se, zgjidhja është ekzaminimi i pakove dhe i materialeve të sekuestruara nëpërmjet mostrave dhe përzgjedhjes natyrore. Kjo do të shkurtonte kohën e ekzaminimeve dhe do të çlironte ambientet e laboratorit nga tonelatat me drogë.
Tetë tonët me kanabis, duhet të ekzaminohen për gjurmë gishtërinjsh, por edhe për përmbajtjen kimike të tyre që përcakton nëse lënda është narkotike apo jo. Një proces i tillë kërkon një kohë të konsiderueshme. Kjo pasi sipas burimeve të policisë janë me qindra aktet e ekspertimit që duhet të kryhen nga ekspertët. Policia ka bllokuar 28 tonë kanabis që prej fillimit të vitit, por në laboratorin shkencor gjenden vetëm 8.

Artikulli paraprakTrafiku i drogës, lirohet shefi i Policisë së Tepelenës
Artikulli tjetërBasha: Dialog ose sheshet do pushtohen nga armata qytetare