Kamerat e sigurisë, biznesi kundër: Taksë e fshehtë, investimi fillestar 30 mln euro

Kthimi i ligjit për masat shtesë së sigurisë për shqyrtim nga Presidenti Nishani ka hapur sërish debatin jo vetëm mes politikës, por edhe biznesit. Konfindustria ngre shqetësimin se miratimi i ligjit do të jetë një kosto shtesë për bizneset. Sipas administratorit Gjergj Buxhuku vetëm investimi fillestar llogaritet në 30 milionë euro. “Në bazë të të dhënave që vinë pranë Konfindustrisë mendohet që, investimi total i parashikuar nëse do të kalonte në këtë mënyrë projektligji i cili tashmë po diskutohet në Komisionet e Kuvendit arrin shifra deri në 30 milionë euro investim përveç kostove të menaxhimit të sistemit, mirëmbajtjes më vonë. E shkruajtur në këtë formë, praktikisht kjo do të ishte një taksë e re shtesë e fshehur e biznesit”, thekson Buxhuku. Ai thotë se asnjë vend të Europës bizneset nuk detyrohen me ligj të vendosin sisteme sigurie, ndërsa ngre pikëpyetje se ligji fsheh interesa të tjera. “Pjesa dërmuese e bizneseve i kanë kamerat e sigurisë, problemi është se zgjidhjet në këtë rast duhet të jenë orientuese jo detyruese. Edhe për mënyrën sesi do të menaxhohet më pas sistemi, në çdo rast ekziston rreziku si pasojat e pakëndshme me historinë e kasave fiskale, me gjithë problematikën që ato kishin”, thekson ai. Konfindustria kërkon që domosdoshmërisht ky ligj duhet të shoqërohet me kostot financiare. Ekspertët europianë të PAMECA-s (mision i Bashkimit Europian në mbështetje të Policisë së Shtetit) janë shprehur kundër projektligjit për kamerat e sigurisë që u miratua në Kuvend dhe u refuzua të dekretohej nga Presidenti Nishani. HashtagAL disponon komentet e ekspertëve të misionit që mbajnë datën 10 prill të vitit 2015, pothuajse një vit përpara se projektligji të paraqitej për miratim në Kuvend. Në këto komente, thuhet qartazi se projektligji shkel liritë dhe të drejtat e njeriut. Kur flasim për mbikëqyrje/monitorim në vende publike dhe vende private nga subjekte të ndryshme, kemi të bëjmë me të drejtën e privatësisë”, shkruhet në komentet e ekspertëve që i kujtojnë Policisë së Shtetit se ka një Konventë Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Direktiva të Parlamentit Europian që kanë përcaktuar linjat e mbrojtjes së privatësisë.
Nga ana tjetër, ekspertët kujtojnë se ky është një projektligj i paprecedent në Bashkimin Europian, ku asnjë prej vendeve anëtare nuk ka shkuar kaq larg. Në komentet e ekspertëve europianë sillet në vëmendje të policisë shqiptare edhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka vënë kufij të qartë për institucionet shtetërore. Sipas vendimeve të GJEDNJ, privatësia mund të shkelet kur qëllimi është i ligjshëm, në mënyrë ligjore dhe në përputhje me nevojën e një interesi shumë të madh publik. PAMECA shkruan se, mund të kryhen edhe përgjime e survejime të fshehta, por mekanizmi që është zgjedhur nga Policia e Shtetit është i diskutueshëm. Para së gjithash, Shqipërisë i mungon një kuadër i plotë ligjor që rregullon përgjimin parandalues dhe mbikëqyrjen, madje edhe kur kryhet nga agjencitë e zbatimit të ligjit, shkruajnë ekspertët. Në këtë mënyrë, PAMECA thotë qartë dhe shkoqur se edhe sot e gjithë ditën përgjimet dhe survejimet që kryhen nga vetë policia nuk janë fort të ligjshme, imagjinoni nëse ato bëhen nga privatët.

Artikulli paraprakUjësjellësi shton TVSH edhe mbi tarifën e shërbimit
Artikulli tjetërBankat pësojnë ulje të fitimeve dy muajt e fundit