Juventusi reagon

Juventusi reagon menjëherë pas humbjes në derbin e Italisë me Interin. Bardhezinjtë kthehen te fitorja, me goleadë përballë Cagliarit. Rugani zhbllokoi shifrat në të 14-ën, ndërsa pas këtij momenti, bardhezinjtë mbyllën virtualisht sfidën me dy gola në harkun e 5 minutave. Gonzalo Higuain dyfishoi rezultatin në të 34-ën dhe Dani Alves realizoi golin e tretë. Në fundin e sfidës, autogoli i Ceppitelli vulosi suksesin 4-0 të kampionëve të Italisë, që rikthehen në krye të Serisë A me 12 pikë, duke përfituar edhe nga ndalesa e Napolit.
Skuadra ku kuqeziu Elseid Hysaj luajti gjatë gjithë ndeshjes, u frenua në barazim pa gola në fushën e Genoa-s. Skuadra e Sarrit nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara, ku spikasin një traversë e Hamsik, tentativa e Hysajt dhe Milik që u frenua nga portieri Perin. Napoli mbetet i pathyer në këtë sezon, por dy pikët e humbura në stadiumin “Luigi Ferraris” i kushtojnë kreun, ndërsa Roma dhe Interi mbeten aty për të përfituar në çdo hap fals.
Massimiliano Alegri kërkon gjithmonë ekuilibër dhe do të ishte sipërfaqësore të flitej për një Juve të pamundur për t’u mposhtur pas fitores së bukur ndaj Cagliarit, pasi është fundosur në kritika pas humbjes në “San Siro”. Skuadra sarde ishte kundërshtari i duhur për t’u ringritur, por e rëndësishme për një skuadër që në ADN e saj ka fitoren, është të dijë të reagojë pas disfatave. Për këtë arsye si Juvja e Contes, ashtu dhe ajo e Alegrit nuk janë përballur kurrë me një seri të gjatë negative. Mesazhi i Alegrit që deklaroi në konferencë shtypi para sfidës së të mërkurës se ndeshja me Interin ishte më e shëmtuara taktikisht në 30 vitet e fundit për Juventusin ishte i qartë për një grup lojtarësh të nivelit të lartë. Ndaj Cagliarit u shfaq një tjetër Juve, agresive dhe që nuk e lejoi kundërshtarin të gjuante portën.
Pjaniç më në fund ka gjetur vendin e tij, i tërhequr pas në rolin e regjisorit dukshëm ka probleme, por ndaj Cagliarit luajti më i avancuar, më i lirë për të lëvizur në fushë dhe rezultati ishte i dukshëm, një gol, një asist dhe volum në qarkullim e pasime. Spikati dhe Alex Sandro që po përgënjeshtron skeptikët që e konsideruan të ekzagjeruar shpenzimin e 26 milionë eurove për të. Forcë fizike impresionuese dhe një e majtë potente dhe preçize. Kur është në formë është e vështirë ta ndalësh.
Dybala ndërkohë mbetet në kërkim të golit. Të mos shënosh prej një muaji në të cilin janë luajtur 6 ndeshje për një sulmues mund të jetë shumë, por jo për të, pasi nuk mund të flitet për krizë apo vështirësi për një lojtar si Dybala që edhe ndaj Cagliarit ishte vendimtar në manovrën sulmuese. Ndërkohë edhe në pak minutat që i ka rezervuar deri më tani Alegri edhe Pjaca jep ndjesinë e një lojtari të veçantë. Juventus ka ditur si të ringrihet menjëherë pas Interit. Reagimi është ai i duhuri.

Artikulli paraprakStrakosha “gradohet” zëvendësues i Marketit
Artikulli tjetërNice kryeson falë Mario Balotellit