John Kerry: Shqipëria ka qeveri të korruptuar në të gjitha degët e saj

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar të mërkurën raportin për respektimin e të drejtave të njeriut për vitin 2015 në të gjithë botën. Ai është prezantuar në Washington nga vetë sekretari i Shtetit, John Kerry. Në pjesën për Shqipërinë adresohen kritika të forta për sa i përket mënyrës se si respektohet ligji.
“Pandëshkueshmëria mbetet një problem. Prokuroria dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve të lartë që kanë kryer abuzime mbetet sporadik dhe i pandjeshëm. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe ata që kanë interesa të fuqishme biznesi shpesh kanë qenë të aftë të shmangin gjykimin”, thuhet ndër të tjera në raport. “Autoritetet morën disa masa administrative për të përmirësuar sjelljen e policisë, duke dënuar disa zyrtarë të nivelit të ulët për abuzime. Qeveria nisi disa hetime për zyrtarë të lartë, por Prokuroria më pas i rrëzoi çështjet”, shkruan Departamenti amerikan i Shtetit.

Korrupsioni

“Problemet më të mëdha me të drejtat e njeriut është korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe atë shëndetësor. Nuk mbetet pas edhe dhuna dhe diskriminimi ndaj grave”, shkruan DASH.
“Edhe pse Kushtetuta, parashikon një sistem gjyqësor të pavarur, sërish presioni politik, intimidimi, korrupsioni i përhapur dhe resurset e limituara ndonjëherë e kanë penguar gjykatën të punojë e pavarur”.

Zgjedhjet

“Në qershor të vitit 2015, Shqipëria mbajti zgjedhjet lokale. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) e vlerësoi ditën e zgjedhjeve, por duke tërhequr vëmendjen për disa parregullsi. Aty thuhet se korniza ligjore ‘mund të ketë siguruar bazën për zgjedhje demokratike’, por partitë kryesore ‘keqpërdorin kompetencat e gjera dhe përgjegjësitë e tyre mbi administratën zgjedhore duke shfaqur mungesë të vullnetit politik për zbatimin e ligjit në mënyrë efektive’”.

Keqtrajtimet nga policia

Të tjera probleme për të drejtat e njeriut ka dhe te rrahjet nga policia apo keqtrajtimi gjatë marrjes në pyetje. Ka raste të mbajtjes në paraburgim në periudha të gjata pa një akuzë të qartë dhe pa kushtet e duhura të qëndrimit të qeli.

Kthimi i pronave

Qeveria bëri një progres të pakët në çështjet e shumta të kthimit apo kompensimit të pronave të sekuestruara nga regjimi komunist.
Të drejtat e fëmijëve
Vazhdon të ketë informacion për dhunë dhe abuzim ndaj fëmijëve. Mbeten problem martesat e hershme dhe të detyruara në disa pjesë të vendit. Ka ende shumë fëmijë në rrugë, kryesisht ato të minoritetit rom. Vendi vazhdon të mbetet një burim dhe destinacion për meshkuj, gra dhe fëmijë të nënshtruar si pjesë e trafikut të prostitucioni dhe punës së detyruar.

Artikulli paraprakSyzet “Maybach” 60 mijë euro të djalit të Kryeministrit
Artikulli tjetërAmerika po flet për liderë të çmendur