Ja dokumenti i planit rregullues, Basha ndaloi ndërtimin te parku

Kreu i Departamentit të Ambjentit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi  ka publikuar dje dokumentat që Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Lulzim Basha ndalonte në mënyrë kategorike ndërtimin në parqe dhe lulishte të qytetit. Malltezi i është përgjigjur akuzave të bëra nga nënkryetari i Erion Veliajt, në Bashkinë e Tiranës, Arbën Mazniku. “Ja mashtrimi i Maznikut të Edvinit: VSM e planit rregullues të Tiranës ndalonte ndërtime në parqe dhe lulishte, ekzistuese apo të reja. Prandaj Edvini ndryshoi planin urban, rrëzoi këtë VSM për të nxjerrë një hartim pa dhëmbë dhe o burra të betonizojë Parkun e Madh, Parkun Rinia, Parkun tek ish-Parku Autobusëve, etj”, shkruan Malltezi në faqen e tij në Facebook.
Malltezi ka publikuar planin rregullues të vitit 2013, ku paraqiten zonat me vlera të veçanta që ndalohen ndërtimet. Sipas dokumentit këto zona përfshijnë; Parku Kombëtar Dajt, Parqet e reja periferike dhe Parqe-lulishte rekreative të qytetit. “Shyqyr që VSM e planit rregullues të 2013 është dokumenti i botuar me ISBN se këta mashtruesit e Edvinit ta lajnë, shpëlajnë dhe ta lënë në derë … se nuk kanë as din e as iman. Dhe për më tepër, nëse Basha do kish lëshuar leje ndërtimi në lulishte do dilja haptas të flisja, se ndryshe nga këta qëniet pa dinjitet të PS, ne jemi njerëz të lirë”, shkruan Malltezi.
Për tre ditë me radhë, banorët u ngritën në protestë kundër lejeve të ndërtimit tek ish-Parku i Autobuzëve. Në një mënyrë të turpshme, njësoj si me vdekjen e Ardit Gjoklajt, Erion Veliaj arriti të manipulojë të gjitha mediat e mëdha, që nuk hapën gojën as për protestën, as për ndalimet nga policia të 11 aktivistëve.
Veliaj nxori të dielën pronarin e firmës së ndërtimit “Arlis” që të mashtrojë për lejen e ndërtimit se gjoja është dhënë që në kohën që bashkia drejtohej nga Basha. Ndërsa ditën e djeshme, ai nxori nënkryetarin e tij, Mazniku, i cili akuzoi Malltezin se, ishte hartuesi i planit të Tiranës, i miratuar nga Bashkia e Tiranës, kur ajo drejtohej nga Lulzim Basha. Por Malltezi publikoi dokumentat që vërtetotnin se gjatë drejtimit të Bashkisë nga Basha nuk ishte dhënë asnjë leje ndërtime në paqe e lulishte. Përkundrazi në planin urbanistik të vitit 2013 ndaloheshin ndërtimet në parqe e lulishte.
Masakra e Rama-Veliaj: 12 lulishte i kthyen në pallate
Kreu i Departamentit të Ambjentit, Pyjeve dhe Turizmit në PD, Jamarbër Malltezi shprehet se Rama dhe Veliaj kthyen 12 lulishte në pallate. “12 lulishte i ktheu në pallate Edi Rama. Gjynahqarët e Bashkisë që i nxjerr të shpifin janë të paaftë të mbulojnë ca të vërteta të hidhura. Nëse Bashkia paska bërë detyrën, atëherë pse nuk filluan punimet e ndërtimit javën e shkuar para zgjedhjeve? Përrallisnin për pyllin vertikal si zgjidhje të mungesës së hapësirave të gjelbërta në Tiranë, por e kanë për të kthyer pyllin horizontal në pallate për xhepin”, shprehet Malltezi.
Ai radhit 12 lulishte që u kthyen në pallate nga Rama Veliaj. “Janë shkatërruar për pallate:
1. Lulishtja në krah të ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”.
2. Lulishtja përballë Sheratonit (sheshi Italia).
3. Lulishtja ku u ngrit 23 katëshi i Fidelit (mbi varrin e Kapllan Pashës).
4. Lulishtja përballe ish-ndërtesës së PD (Qendra Toptani).
5. Parku xha Tomit.
6. Parku “Rinia” u kafshua në 6000 m2 për lokalin e Edit dhe besnikut të tij.
7. Parku “Rinia” u kafshua edhe me 700 m2 për parkimin.
8. Parku “Rinia” po përgjysmohet tani për parkimin nëntokësor të Edit dhe besnikut të tij.
9. Ish-Kinema “Republika”.
10. Ish-Kinema “Imperial” apo “17 Nëntori”.
11. Parku që u copëtua përballë Fakultetit Ekonomik.
12. Këndi i Lojërave “7 Xhuxhat”.
Të gjitha këto më sipër janë zhdukur me firmën e Edi Ramës”, shprehet Malltezi.
Lulishtja e ish-Parkut të Autobusëve po kafshohet nga ekskavatorët e pushtetit. Hapësira që deri   dje dëfrente fëmijët dhe të rriturit, me pemë dhe qiell, po tjetërsohet në një monstër luksoze betoni që do t’ua pamundësojë jetesën banorëve, vetëm që kryetari i Bashkisë dhe oligarkët rrotull tij të fitojnë makutërisht. Banorët vijojnë protestën prej 4 ditësh, ndërsa Policia e Rendit dhe ajo Bashkisë mban të rrethuar lulishten ku janë montuar makineritë.

Çunat e krimit në mbrojtje të mafies së ndërtimit

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj mediave që censuruan protestën e qytetarëve kundër ndërtimit të kompleksit të pallateve tek Parku i Fëmiijëve që ndodhet pranë Policisë Bashkiake të Tiranës. Në një postim në Facebook, Berisha u bën thirrje qytetarëve që të luftojnë për mbrojtjen e parkut për fëmijët e tyre.
“Qëndroni qytetarë, luftoni për fëmijët tuaj! Çunat e krimit në mbrojtje të mafies së Edit, Lal Plehut e Besnikut të Partisë keqtrajtojnë qytetarët. Mediat censurojnë protestën e qytetarëve për parkun e fëmijëve të tyre. Shoqëria Civile në dredhi për mafien shtetërore! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital dhe shikoni videon që ka dërguar ai dhe që e kanë censuruar mediat me urdhër të Noriegës dhe Lal Plehut”, shkruan Berisha, duke publikuar videon e protestës dhe dhunës policore të censuruar nga mediat.
“Zoti Berisha, këtu keni pamjet e protestës dhe dhunën policore që është shkaktuar ndaj protestuesve dhe ndaj meje dhe asnjë media nuk raportoi. Ata përfaqësuesit e Shoqërive Civile që vinin aty vërdallë mbasi u morën në polici, të nesërmen bënë vetëm një protestë formale, folën dy fjalë dhe e lanë protestën për të mërkurën tek Bashkia. Sepse jemi në kushtet e 27 viteve më parë. Pa media të lirë, terror policor, sekuestrime pronash e biznesesh dhe shumë problematika të tjera”, shkruan qytetari.

Për çfarë akuzohen 11 protestuesit kundër ndërtimeve tek Parku

Policia shoqëroi 11 prej protestuesve, që prej tre ditësh kundërshtojnë nisjen e ndërtimeve në lulishten pranë Parkut të Autobuzave, nën akuzë se kanë organizuar një protestë të paligjshme për punimet me leje të një firme ndërtuese, duke penguar lëvizjen e mjeteve dhe për shkak të detyrës nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë së Rendit për të liruar rrugën.
11 protestuesit, ditën e parë kanë tentuar të rrëzojnë murin rrethues që ka ngritur firma që tashmë ka nisur punimet, ndërsa ditën e dytë të protestës kanë kundërshtuar forcat e rendit dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve.
Ditën e premte, shërbimet e Komisariatit Nr.2 shoqëruan 6 persona, ndaj të cilëve nisi procedim penal në gjendje të lirë. Policia tha se ka referuar materialet në Prokurori për shtetasit, P.B., 64 vjeç, T.B., 39 vjeç, A.H., 44 vjeç, Xh.R, 48 vjeç, A.H., 41 vjeç, dhe A.B., 60 vjeç.
Sipas Policisë, këta persona dyshohet se në rrugën “Sali Butka”, së bashku me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar (banorë të lagjes), janë ngritur në protestë dhe kanë dëmtuar murin rrethues të ndërtuar nga firma “Arlis Sh.p.k”, në pronësi të Armand Lilos. Banorët kërkojnë që trualli duhet të shërbejë si park për lojëra fëmijësh, shkruan gazeta “Panorama”.
Ndërsa të shtunën, në ditën e dytë të protestës, Policia shoqëroi e nisi procedim penal për 5 persona të tjerë. Mësohet se janë marrë në hetim shtetasit me iniciale, K.H., 21 vjeç, E.P., 19 vjeç, E.H., 33 vjeç, B.L., 24 vjeç, dhe A.Q., 36 vjeç.

Artikulli paraprakMustafa: Kriza energjetike në prill, kërkesa për blerje më 19 qershor
Artikulli tjetërBasha dhe Selami në garë për kreun e PD