Italia: Në një muaj bllokuam 10.3 ton drogë nga Shqipëria

Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali tha se, vetëm gjatë muajit mars të këtij viti u bllokuan në shkallë vendi rreth 10,3 tonë lëndë narkotike. 7,8 ton ishte e llojit marijuanë me prejardhje nga Shqipëria, ndërsa rreth 2,5 tonë ishte hashash. Sipas Antidrogës italiane policia arrestoi në rreth 2300 operacione 2170 persona nga të cilët 1109 të huaj. Mes të arrestuarve të përfshirë në vepra të trafikut dhe shpërndarjes së drogës 214 persona ishin të mitur.
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti është shprehur i shqetësuar për trafikun e drogës nga Shqipëria. Sipas tij, në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari, mbërrijnë nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone. “Është një dukuri shqetësuese. Ne kohët e fundit kemi qenë në Shqipëri, bashkë me prokurorët e Leçes, Barit e Katanxators, për t’u takuar me kolegët shqiptarë në Tiranë, për të nxitur bashkëpunim më të ngushtë dhe të kërkojmë hetime edhe në Shqipëri. Në fakt kemi parë se, rastet e trafikut e drogës nga Shqipëria janë rritur ndjeshëm”, është shprehur Franko Roberti.

Kapet droga e porositur nga shqiptarët

Rreth 160 kg marijuanë, e cila transportohej nga Puglia drejt Siçilisë, është sekuestruar nga Policia e Catanias. Sipas hetuesve italianë, një grup trafikantësh shqiptarë, kishin përdorur  korrierë për tërheqjen e sasisë së madhe të drogës. Dyshohet se droga është futur nga Shqipëria. Katër prej tyre, u kapën dhe u arrestan në flagrancë nga policia. Korrierët italianë të drogës, po transportonin lëndën narkotike në një kamion. Droga ishte fshehur në dyshemenë e rimorkios së automjetit.
Në kamion udhëtonte i vetëm Anton Luigi Berbardi transportuesi i drogës, i cili shoqërohej nga një makinë tip “Jaguar” në bordin e të cilës ndodheshin dy italianë të tjerë Orfeo Avellino, Maurizio Mazzoço. Në qendër të Siçilisë, në Catania, ata priteshin nga një tjetër korrier italian. Të katërt përfunduan në prangat e policisë. Vlera e drogës nëse do të hidhej në treg do të arrinte në vlerën e më shumë se 300 mjë eurove.

Policia greke: Trafikantët zbulojnë rrugë të re për transport droge

Policia greke tha kësaj jave se sasi të reja lëndësh narkotike u bllokuan në zonat veriore greke pranë kufirit me Shqipërinë. Gjatë operacioneve policore janë arrestuar të paktën gjashtë persona dhe ndaluar qindra kilogramë marijuanë. Policia greke vëren se, trafikantët po përdorin makina me qera, të marra në kompanitë greke për të transportuar sasitë e mëdha të drogës nga kufiri shqiptar për në brendësi të vendit. Sipas policisë greke trafikantët e kanë më të lehtë t`i shpëtojnë gjurmimit të policisë me këto makina.
Më parë, trafikantët përdornin makina shoqëruese, të cilat i paraprinin në segmentet rrugore makinave të ngarkuara me lëndë narkotike dhe sinjalizonin trafikantët nëse kishte kontrolle policore. Pas zbulimit të disa rasteve të këtyre makinave, të drejtuara kryesisht nga gra, trafikantët duket se e kanë ndryshuar stategjinë e transportimit të marijuanës.

Në 3 muaj janë kapur në Greqi 3.5 ton drogë

3.5 ton drogë nga Shqipëria janë kapur nga policia greke në harkun kohor të 3 muajve. Shifrat janë bërë publike nga policia greke, e cila thekson se pjesa më e madhe e lëndëve narkotike të kapura kanë hyrë nga Shqipëria dhe kanë qenë të destinuara për tregun grek.
Vlera e sasisë prej 3.5 ton drogë të kapur në Greqi shkon në rreth 10 milionë euro. Kryesisht është trafikuar kanabis sativa, por nuk kanë qenë të pakta rastet e kapjes të heroinës dhe kokainës. Sipas mediave greke, çmimi i heroinës varion 15-30 euro për gram dhe 12 mijë deri në 20 mijë euro për kilogramë. Kurse çmimi i kokainës është disa herë më i lartë, 60-100 euro për gram dhe 30 mijë deri në 60 mijë euro për kilogram.

Droga e hedhur nga trafikantë del në bregdet

Gjatë ditëve të fundit sasira të mëdha droge të hedhura në det nga trafikantët kanë dalë në bregdetin e Durrësit. Para tre ditësh, rreth 116 kg kanabis janë gjetur në bregdetin e Durrësit. Policia bën me dije se “në vijim të kontrolleve të ushtruara nga Shërbimet Bregdetare, në vendin e quajtur “Kepi i Palit”, në breg të detit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 74 pako të mbështjella me celefon të tejdukshëm me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva, me peshë 115 kg e 900 gram. Grupi hetimor vijon punën për zbulimin e origjinës së lëndës dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, thuhej në njoftimin e policisë.
Po ashtu para një jave po në bregdetin e Durrësit u gjetën 170 kg kanabis sativa. Droga ishte e paketuar dhe e mbështjellë me natriban. Në të dy rastet dyshohet se droga është hedhur në det nga trafikantët pas ndjekjes nga Guarda Di Finanza italiane.

Operacione antidrogë edhe në Shqipëri

Operacione antidrogë u shënuan në fundjavë edhe në Shqipëri. Policia e Fierit tha se, sekuestroi këtë fundjavë 78 kg lëndë narkotike dhe arrestoi në flagrancë një shtetas që po transportonte drogën. Sipas Policisë së Fierit lënda narkotike u gjet në një automjet që udhëtonte në drejtim të Fierit. Policia deklaroi se lënda narkotike ishte e presuar në pako dhe e mbështjellë posaçërisht me qëllim për t’u trafikuar më pas drejt Italisë. Një tjetër operacion u njoftua nga Policia në Novoselë të Vlorës ku u bllokuan 78 kilogramë marijuanë, u arrestuan 4 persona dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim policor. E gjithë sasia e lëndës narkotike të bllokuar i përket kultivimit të vitit të shkuar ku në të dy rajonet u shënuan vatra të shumta të mbjella me marijuanë.

R.POLISI

Artikulli paraprakKorrupsioni 180 milionë, KLSH padit zyrtarët e ALUIZNI-t Lezhë
Artikulli tjetërMaqedonia e George Soros