Iraklis synon mesfushorin shqiptar

Ergys Kaçe mund të ndryshojë skuadër, por jo qytet. “Gazzetta.GR” raporton për lëvizjen e klubit të Iraklisit në drejtim të mesfushorit shqiptar. Sipas informacioneve që vijnë nga Holanda ku PAOK po zhvillon fazën përgatitore, shefi i klubit të Iraklis, Nikos Kagioulis ka zhvilluar një takim me drejtuesin më të lartë të bardhezinjve, Lubos Michel, të cilit i ka kërkuar informacione për situatën e mesfushorit kuqezi.
Në takim ishte i pranishëm edhe trajneri i skuadrës së PAOK-ut, Aleksandar Stanojeviç, i cili ka dhënë mendimin e tij, por mediat helene nuk arrijnë të zbulojnë më shumë. Sipas të gjitha gjasave, Kaçe do të vazhdojë të qëndrojë në radhët e PAOK pasi gjatë muajve të fundit ai ka arritur të rifitojë vendin në skuadër falë edhe besimin që i ka dhënë trajneri, por nuk përjashtohet as mundësia që për disa kohë ai të huazohet në një skuadër tjetër.
Iraklis është skuadra e tretë e qytetit të Selanikut pas PAOK dhe Aris dhe tek bardhekaltërit lojtari i lindur në Korçë do të gjente më shumë hapësira për të fituar sa më shumë minuta pas një sezoni plot dritëhije që nisi me huazimin te Viktoria Plzen dhe më pas rikthimin te skuadra e PAOK.

Artikulli paraprakFreiburg interesohet për Ajetin
Artikulli tjetërAgolli asist, Qarabag shkëlqen në Europë