Investimet, në 3 muajt e parë u kryen vetëm 12%

Mosrealizimi i investimeve publike gjate viteve te fundit ka dhënë dhe efeket e veta negative në ekonominë e vendit. Kështu mosrealizimi është ndjerë në disa sektorë, ku kanë munguar shumë shërbime për qytetarët. Referuar të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, në tre muajt e parë të vitit ka një realizim të ulët të investimeve publike, nga 8.7 miliardë lekë që ishte planifikimi, janë realizuar 7.1 miliardë lekë, ose 12 % e planit vjetor. Po sipas këtyre statistikave, mosrealizimin me të madh, prej 1 miliardë lekësh e kanë investimet me financim të huaj, ndërsa 500 milionë lekë nga investimet me financim të brëndshëm. Nga specialistë të investimeve ky mosrealizim është argumentuar me faktin se këto investime kanë shumë procedura administrative, të cilat kryhen gjatë periudhës së parë të vitit. Për vitin 2016 investimet publike janë planifikuar në masën 5.0% e PBB ose 75.5 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 10.05 miliardë lekë, si dhe mbështetjen buxhetore për sektorin e energjisë prej 5 miliardë lekë. Qeveria bëri tre here ndryshime në buxhetin e vitit të kaluar, si rezultat i mosrealizimit të të ardhurave, por edhe shpenzimeve në nivelin e duhur. Ajo rialokoi një pjesë të fondeve që kishte programuar për investime publike, për të korrigjuar ecurinë e ngadaltë të tyre. Për këtë arsye po të vëresh disbursimet e thesarit në vitet e fundit, vihet re se janë përdorur fonde garancie për investime të ndryshme ose siç njihen ndryshe letërkreditë. Përdorimi i tyre si shkak i mosrealizimit të investimeve, u kritikua nga opozita duke i quajtur këto instrumenta financiar si realizim fiktiv i investimeve.

Artikulli paraprakKosovë, rimbursimet me kuponët, qytetarëve u shtohen kostot e shërbimeve
Artikulli tjetërBankat fshinë 220 milionë USD hua me probleme në 2015-ën