Interi shpreson!

Inter, ashtu siç e kishin imagjinuar, dëshiruar, paraqitet papritur në një natë pranvere për të shembur ëndrrat për lavdi të Napolit. Tani mes zikaltërve është rindezur shpresa për t’u kualifikuar vitin që vjen në Ligën e Kampioneve. Por, nga ana tjetër, në shtëpinë zikaltër kanë edhe shumë brenga, duke kujtuar gabimet e shumta gjatë rrugës. Tani ata kanë në dispozicion 15 pikë për të grumbulluar, ndërkohë që ndodhen vetëm 4 pikë larg rivales më të arritshme, Roma.
Fakti që Interi e bën garën, duke iu referuar ekipit të Spaletit nuk është pozitiv, pasi përtej barazimit në Bergamo, “ujkonja” nuk duket se është një ekip në rënie. Tjetër histori do të kishim nëse rivalja për t’u mundur do të ishte Napoli që tani është në krizë të plotë. Por, distanca prej 9 pikësh e bën ekipin e Sarrit që ta bëjë gjumin e qetë.
Në javën e 33-të u dallua qartë se ky ekip, nëse do të kishte gjetur më parë ekuilibrat dhe formën e tanishme, do të kishte arritur pa shumë probleme rikthimin në Ligën e Kampioneve. Qendërsulmuesin gjakftohtë gjithmonë e ka pasur (edhe pse në një periudhë të caktuar edhe ai ishte vënë në diskutim), ndërsa në vjeshtë gjeti edhe mbrojtjen hermetike që në janar humbi rrugën.
Mungonte pjesa tjetër, duke u nisur që nga moduli. Ky i tanishmi (4-2-3-1) me Kondogbian dhe Medelin në mesfushë duket se është i duhuri. Francezi ndihet mirë në mes të fushës, ndërkohë që Medel është gjithmonë i nevojshëm, kur flitet për të rikuperuar topin. Vlera e shtuar e ekipit janë edhe tre lojtarët pas sulmuesit. Perisiç është mesfushor krahu i pastër, burimi i shumë harkimeve. Brozoviç është tipi i lojtarit që luan kudo (është e habitshme si nuk ka luajtur gjithmonë titullar). Ndërsa Jovetiç është luksi që vetëm ekipet e mëdha mund t’ia lejojnë vetes. Nëse do të kërkojë që të bashkëpunojë me Ikardin, do të ishte super.
Tani gjithçka është më e qartë. Tashmë nuk ka më mbrojtje me tre lojtarë apo rrotacion pa fund. Nuk ka më lojtarë që dështonin ndeshje pas ndeshje apo apele për të ndërhyrë në merkato. Rezultatet e ndeshjeve të para i jepnin më shumë se ç’duhej një ekipi që nuk luante mirë. Prej asaj skuadre duhej ndërtuar një formacion solid që duhet të godiste me kundërsulme. Por u zgjodhën të tjera rrugë. Tani trajneri ka gjetur besimin e duhur për të përballuar edicionin e radhës. Por duhet parë edhe e sotmja. Nëse ky ishte treni i fundit, atëherë duhet parë se ku do të ndalojë, pasi Interi tashmë ka hipur në të. Kalendari u jep një dorë zikaltërve, të cilët do të ndeshen me Xhenoan (në Xhenova), Udinezen (në Milano), Lacion (në Romë), Empolin (në Milano) dhe Sasuolon (në Rexho Emilia). Të gjitha këto janë formacione që mund të mposhten prej Interit.

Artikulli paraprakDortmund rigjen buzëqeshjen pas eliminimit nga E. League
Artikulli tjetërNuk largohet asnjë lojtar nga Juventusi