INSTAT: Energjia dhe pagat po shtrenjtojnë banesat

Ndërtimi i banesave në Shqipëri po bëhet me i kushtueshëm për shkak të rritjes së kostove thuajse në të gjitha zërat.Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, treguesi që mat rritjen e kostos së ndërtimit, u rrit me 4.1 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Instituti i Statistikave raportoi se rritja e kostove në ndërtim u udhëhoq nga rritja e shpenzimeve që kompanitë bëjnë për energjinë, por edhe ato të pagave për punonjësit.

“Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 9,0 %, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 4,5 %, “Shpenzime transporti” dhe “Kosto të tjera” përkatësisht me 3,9 % secili,” raportoi INSTAT.

Por energjia dhe pagat nuk ishin zërat e vetëm të kostos së ndërtimit që u rritën. Të njëjtën prirje shënuan edhe materialet e ndërtimit, ndonëse me një ritëm më të zbutur.

“Shpenzime për materiale” u rritën me 3,3 % dhe “Shpenzime makinerie” me 1,5 %. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënoi rritjen më të lartë prej 4,4 %, pasuar nga grupet “Materiale ndërtimi” me 3,4 % dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 2,1 %,” detajon INSTAT.

Kostot janë një nga zërat kryesorë që ndikojnë në çmimin e apartamenteve për qytetarët. Por jo të vetmet. Këtë vit çmimet e banesave pritet të rëndohen edhe nga rritja e taksave. Në gjysmën e vitit të kaluar, qeveria miratoi një ligj të ri, i cili rrit ndjeshëm taksën e banesave dhe që sipas ndërtuesve do të ketë efekte të drejtëpërdrejta në rritjen e çmimeve.

Artikulli paraprakBien Facebook, Instagram dhe Messenger, çfarë po ndodh me rrjetet sociale?
Artikulli tjetërRevolucioni që bitisi atje ku nisi!