Industria e peshkut rrezikon falimentin

Industria e përpunimit të peshkut ka një rritje të shpejtë dy vitet e fundit, sidomos këtë vit.
Eksportet e peshkut të përpunuar dhe produkteve të tjera të detit arritën në 3.3 miliardë lekë gjatë nëntëmujorit, nga 2.4 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, shkëlqimi i industrisë rrezikon të venitet këtu, pasi janë konsumuar kuotat e eksportit të peshkut në BE.
Alban Zusi një nga përfaqësuesit e kësaj industrie tha se, që nga muaji shtator industria po eksporton me 25% tarifë më shumë, ndërsa theksoi se disa fabrika mund të mbyllen, pasi nuk e përballojnë këtë kosto.
Kuotat e lira për të eksportuar peshkun pa dogana janë 1600 ton në vit, ndërsa kjo kuotë është konsumuar tashmë, thotë Zusi, i cili lajmëron se në muajt në vijim eksportet e peshkut dhe prodhimeve të detit do të bien në mënyrë drastike. Ai tha se nga ky kufizim rrezikojnë të mbyllen disa fabrika dhe të mbeten 5 mijë punonjës pa punë.
Zusi tha se, qeveria është njoftuar për këtë kufizim dhe i është kërkuar të negociojë marrëveshje me BE për zgjerimin e kuotës së eksportit të peshkut, por ndërkohë nuk ka ende asnjë rezultat, teksa kuota e këtij viti është e ezauruar dhe industria rrezikon të mbetet tre muaj pushim.
Sektori i peshkimit njohu një rritje të lartë edhe gjatë vitit 2014, e me 7.6% në krahasim me vitin 2013.
Një rritje të dukshme ka pësuar dhe zënia e midhjeve me rreth 50% në vitin 2014.
Ministria e Bujqësisë ka dërguar në Kuvend një projektligj për akuakulturën. Projektligji parashikon që më pas zonat e përcaktuara i nënshtrohen konkurrimit publik, për mënyrën më të mirë të zhvillimit të akuakulturës. Nga konkurrimi publik, përjashtohen ato zona që janë në pronësi private, që mund të jenë të përfshira si zona ku zhvillimi i akuakulturës është prioritar.

Artikulli paraprak88 milionë euro në vit për luksin e zyrave, zero lekë për fermerët
Artikulli tjetër“Pazaret e Ramës me të fortët e Idrizit më larguan nga Arkivi”