Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm pritet të rritet me 7.2% në tremujorin e dytë të vitit

Qeveria shqiptarë ka planifikuar të marrë hua 105.5 miliardë lekë në tregun e brendshëm financiar gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Kjo shumë përfshin huamarrjen e re dhe rifinancimin e instrumenteve të maturuara gjatë periudhës. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma planifikuar e huamarrjes do të rritet me 7.2% krahasuar me shumën faktike të huamarrjes së siguruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, huamarrja e brendshme pritet të jetë më e ulët krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti, me rreth 27% më pak.

Kërkesa më e pakët e qeverisë për huamarrje krahasuar me tremujorin e parë të vitit pritet të mbajë të kufizuara presionet për rritjen e yield-eve në tregun e brendshëm financiar.

Në tremujorin e parë të vitit, rritja e yield-eve ka qenë e vogël. Në ankandin e fundit, yield-i mesatar i bonove 12-mujore rezultoi 3.61%, në rritje nga niveli prej 3.36% i fundit të vitit 2023, por më i ulët se niveli prej 3.91% i marsit të vitit 2023.

Rritja e lehtë tremujore vlerësohet se ka ardhur kryesisht si rezultat i kërkesës më të madhe të qeverisë për financim gjatë muajve të parë të vitit 2024. Megjithatë, tashmë pritshmëritë për një rritje të mëtejshme të normave të interesit janë zbehur ndjeshëm.

Të dhënat e INSTAT treguan se në muajin shkurt inflacioni ra në nivelin 2.6%. Për herë të parë që prej tetorit 2021, inflacioni ka zbritur poshtë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Rënia e inflacionit në këtë nivel ul gjasat për një rritje tjetër të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, të paktën në një afat të shkurtër. Norma bazë e interesit në Shqipëri është në nivelin 3.25%, një ndër më të ulëtit në Europë. Këto sinjale kanë ndikuar në një stabilizim të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë.

Në planin vjetor të huamarrjes për vitin 2024, Ministria e Financave ka planifikuar që deficiti vjetor do të financohet i gjithi nga huamarrja e brendshme dhe likuiditeti gjendje nga viti 2023.

Për vitin 2024, Qeveria nuk ka planifikuar emetime të reja të Eurobondit dhe pjesa më e madhe e deficitit të planifikuar buxhetor. Megjithatë, në rast se kushtet e tregjeve gjatë vitit 2024 do të jenë të favorshme, nuk përjashtohet mundësia e avancimit në kohë me emetimin përgjatë vitit buxhetor 2024 të një Eurobondi të ri, i cili është parashikuar në vitin buxhetor 2025.

Më konkretisht, nga një deficit buxhetor i parashikuar prej rreth 61.3 miliardë lekësh, huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 81.6% të tij ose rreth 50 miliardë lekë. Huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative, ndërsa pjesa tjetër e deficitit parashikohet të financohet nga gjendja e mbartur e likuiditetit në vitin 2023.

Vlera totale e titujve që do të emetohen në tregun e brendshëm gjatë vitit 2024 pritet të jetë rreth 378.6 mld lekë gjatë vitit 2024. Muajt me vlerën më të lartë të emetimeve të reja ishin janari dhe shkurti, kur vlerësohet se u realizua pothuajse 30% e volumit vjetor të huamarrjes për vitin 2024./E.Shehu

huamarrja
Burimi: Ministria e Financave
Artikulli paraprak“Në spitalin civil u çel dhoma për të vdekur, u panë të shtrirë 10 kufoma”- Dosja hetimore për masakrën e 4 shkurtit ’44 në Tiranë, ku figurojnë të vrarë vetëm 14 veta
Artikulli tjetërSpekulime shqiptare apo ndryshim qëndrimi nga Departamenti i Shtetit?