Hirushja e Euro 2016

Mrekullia Islandë ka pushtuar botën. Fitorja ndaj Anglisë në çerekfinalet e Francë 2016 ka hapur një kapitull të ri në futbollin e këtij shteti që nuk ka më shumë se 120 lojtarë profesionist. Pavarësisht këtij numri të vogël futbollistësh, mediat europiane shkruajnë se, Islanda po vjel frytet e investimit 16-vjeçar për infrastrukturën në futbollin vendas.
Janë ndërtuar 20 fusha futbolli të mbyllura, 150 fusha të vogla për fëmijët e moshave të ndryshme dhe 11 komplekse ku përveç stadiumit ka të përfshirë edhe fushën ku skuadra bën stërvitjen. Sipas mediave një tjetër faktor i këtij suksesi është rëndësia që i është dhënë trajnimit.  70% e trajnerëve në Islandë kanë licencën B, ndërsa 23% licencën A të UEFA-s. Kjo gjë bën që islandezët të trajnohen mirë që në moshë të vogël.
Përfaqësuesja e këtij vendi drejtohet nga dy trajnerë, suedezi Lars Lagerback dhe islandezi Heimir Hallgrimsson. Ky i fundit, është një dentist dhe në kohën kur nuk ka impenjime me kombëtaren ushtron këtë profesion. Ndërkohë zv/trajneri Benediktsson ka dhe një detyrë, është komentari i ndeshjeve të këtij europiani për televizionin islandez. Portieri i përfaqësueses, Hannes Halldorsson, i cili është një nga pikat e forta të skuadrës, është regjisor. Madje, ai ka bërë videoklipin e këngës me të cilën Islanda u përfaqësua në Eurovision 2012.
Pas eliminimit befasues nga Europiani i Francës, Federata angleze ka filluar të mendojë për të ardhmen. Roy Hodgson dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes me Islandën, duke detyruar drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit anglez që të kërkojnë pasuesin e tij. Orët e fundit drejtuesit e Federatës Angleze të futbollit janë takuar për të vlerësuar kandidatin më të mirë që mund të marrë përsipër të drejtojë skuadrën e “Tre Luanëve” dhe identikiti i përcaktuar prej tyre përkon me figurën e Wenger.
Trajneri francez i Arsenalit ka një kontratë me klubin londinez deri në vitin 2017 dhe te Anglia janë gati që të presin skadencën e saj për t’i dhënë atij çelësat e kombëtares. Claudio Ranieri, Steve Bruce, Eddie Hou, Sam Allardyce, janë disa prej  trajnerëve të tjerë që janë marrë në konsideratë nga drejtuesit e Federatës angleze, por asnjë nuk ka të njëjtën eksperiencë dhe njohuri të Premier League si Wenger.
Ndërkaq në shtator nisin ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2018 dhe Anglisë i duhet me çdo kusht një trajner. Për këtë arsye në Federatë po mendojnë që të vendosin një trajner të komanduar ku favoriti në këtë pikë është Gareth Southgate.

Artikulli paraprak“Euro 2016”, Italia “pushton” formacionin më të mirë të 1/8
Artikulli tjetërMemushaj: E ardhmja ime është Pescara