Hetimet e Prokurorisë, policët e Taulant Ballës arrestohen për kultivim kanabisi

Me kërkesë të Prokurorisë, policia arrestoi dje dy efektivë të Policisë së Librazhdit për kultivim kanabisi. Bëhet e ditur se në pranga kanë rënë policët Gurali Torra dhe Luan Qosja. Bëhet e ditur se hetimet e Prokurorisë ndaj dy efektivëve të policisë kanë nisur që vitin e kaluar, pasi janë zbuluar disa parcela me kanabis në Stravaj, Sopot dhe Xhyrë.
Gurali Torra dhe Luan Qosja janë emëruar në polici pas fitores së “Rilindjes” në vitin 2013 me porosi të deputetit socialist të Librazhdit, Taulant Balla. Burimet nga Komisariati i Policisë së Librazhdit bëjnë të ditur se, Gurali Torra, ka qenë për shumë kohë shofer i ish-komisariat të Policisë së Librazhdit, Gramoz Dafko dhe më pas i Anila Popës. Sipas këtyre burimeve, Torra ka një vëlla të dënuar në Greqi për trafik droge.
Gurali Torra ka nisur aktivitetin e kultivimit të kanabisit në zonën e Stravajt dhe të Sopotit në vitin 2016, ku u emërua si punonjës policie në postën policore të Prrenjasit. Ndërsa Luan Qosja ka kultivuar disa parcela me kanabis në zonën e Xhyrës që është në varësi të Librazhdit.
Policia e Librazhdit kishte marrë informacion nga Prokuroria e SHISH për parcelat me drogë në Spathar, Babje, Dardhë e Xhyrë, vetëm pak kilometra larg Librazhdit, por nuk ndërhyhet për shkatërrimin e tyre, pasi kontrolloheshin nga njerëzit e Taulant Ballës.
Po ashtu edhe Stravani dhe mali i Polisit kanë qenë të mbjellë me kanabis dhe sipas burimeve, parcelat ruheshin nga shoferi i Ballës. Në Sopot të Librazhdit në fshatin Gaferr, vitin e kaluar janë zbuluar mbi 1 mijë rrënjë kanabis, por nuk janë prekur nga policia. Madje, zbulimi i këtyre parcelave me drogë nuk është përmendur fare nga Policia e Librazhdit. Po ashtu, në muajin gusht u zbuluan disa parcela me kanabis në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”. Pas marrjes së njoftimeve, policia ka asgjësuar 2600 bimë narkotike. Bimët narkotike janë zbuluar në fshatin Qarrishtë, në vendin e quajtur “Qafë Kryq”, në një zonë të mbuluar në Parkun Kombëtar “Shebenik Jabllanicë” pas sinjalizimit të banorëve. Banorët kanë njoftuar policinë edhe për drogën në zonën e Kostenjës, por nuk është ndërhyrë për shkatërrimin e kanabisit.
Prej kohësh, banorët e zonës kishin sinjalizuar policinë për mbjelljen e drogës në Parkun Kombëtar, por nuk ishte ndërhyrë për shkak se drejtori i Parkut, njihet si një i afërt i deputetit socialist Taulant Balla. Ai ka qenë në grevën e urisë së PS në vitin 2012 në Tiranë për rrëzimin e qeverisë demokratike. Si shpërblim për këtë devotshmëri, ai është emëruar nga Balla drejtor i Parkut Kombëtar “Shebenik Jabllanicë”.

Enton DOÇI

Artikulli paraprak“Reuters”: Zemërimi i Europës Qëndrore me Soros
Artikulli tjetërOpozicioni i Metës që voton për Ramën!