Helmim masiv në një shkollë në Pukë, asnjë i ndaluar për ngjarjen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në Njësinë Administrative Gjegjan të Bashkisë së Pukës. Rreth 40 nxënës të shkollës 9-vjeçare të këtij fshati janë helmuar gjatë orëve të mësimit. Mësohet se, shkak i helmimit mund të jetë bërë hedhja e një dezinfektuesi nëpër klasa. Theksojmë se ende deri tani nuk ka asnjë informacion zyrtar nga policia lokale apo nga Drejtoria Arsimore. Fëmijët janë dërguar në spital dhe po u jepet ndihma e parë mjekësore. 3 fëmijë janë në gjendje më të rëndë dhe janë dërguar në Spitalin e qytetit të Pukës dhe afro 4 të tjerë janë në ambulancën e fshatit Gjegjan.
Deri tani nuk ka asnjë të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë. Policia bëri të ditur se, rreth orës 9:00 ka ardhur një telefonatë në sallën e komandimit Pukë se tek Shkolla Mesme në Gjegjan, Pukë janë helmuar disa nxënës. Nga informacionet paraprake bëhet me dije se janë dizinfektuar ambjentet e shkollës, dje me datë 03.10.2017 në orën 14:00 nga Shërbimi i Shendetit Publik me klor në kuadër të dezinfektimit të shkollave. “Pasi kanë filluar procesin mësimor kanë shfaqur probleme shëndetësore disa nxënës, të cilët kanë shkuar për ndihmë mjekësore në Qendrat Shëndetësore më të afërta. Momentalisht bëhet me dije se janë 10 nxënës, nga të cilët kanë shkuar në Qendrën Shëndetësore në Rrëshen 3 fëmijë, në Qendrën Shëndetësore në Pukë 3 fëmijë, dhe në Qendrën Shëndetësore në Gjegjan 4 fëmijë, ku nuk paraqesin probleme për jetën. Nga ana Policisë po kryehen veprimet me grup hetimor për sqarimin e rrethanave të plota të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Artikulli paraprakSHBA: Luftë qeverive të korruptuara në Ballkan
Artikulli tjetërKomandoja i ushtrisë, kapo i grupit që shiste drogë tek ish-Blloku