Helikopteri s’kishte planifikim për të fluturuar në Dukagjin

Një pilot i repartit ushtarak të helikopterëve në Farkë deklaron se, fluturimi i helikopterit që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës ka qenë jashtë planeve të fluturimit të asaj dite. Ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook shkruan se, piloti dixhital denoncon mashtrimin e Mimit dhe gjeneral Trafikut për rrëzimin e helikopterit.
“Piloti flet për lidhje të dyshimtë midis fluturimit për në Dukagjin të helikopterit EC -145 dhe fluturimit për në Dukagjin të helikopterit “Shega Trans”! Mungesa e teknikut apo inxhinierit të fluturimit në bord dhe zëvendësimi i tyre me ushtarin profesionist është rreptësisht e ndaluar dhe akuzon për mision jo stërvitor. Mosaktivizimi i jastëkeve të ajrit dhe sistemeve të tjera të sigurisë së helikopterit EC-145, lidhet sipas pilotit dixhital me faktin se pilotët e rënë në krye të detyrës ishin ngarkuar më shumë se sa kishin kualifikimin e tyre. I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit, të hetojë me seriozitetin më të madh për të nxjerrë në dritë të vërtetën rreth kësaj ngjarje tejet të rëndë, nga e cila del qartë se, Mimi dhe gjeneral Trafiku përpiqen që ta fshehin në fundin e Liqenit të Shkodrës. Për më gjatë lexoni mesazhin e pilotit dixhital! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e pilotit.
“Përshëndetje Berisha, ju falënderoj për qëndrimin që keni mbajtur këto ditë ndaj çështjes së rrëzimit të helikopterit EC-145. Si pilot i këtij reparti për të ndihmuar sadopak në zbardhjen e të vërtetës të kësaj ngjarje tragjike në të cilën humbën jetën dy kolegë të mi dua të theksoj se hetimi serioz i kësaj çështjeje duhet t’ju japë përgjigje pyetjeve që vijojnë. Pse u dërgua jashtë çdo plani të asaj dite të stërvitjes në Dukagjin helikopteri EC-145? Dukagjini nuk ishte në planin e stërvitjes të asaj dite. – A kishte lidhje fluturimi në Dukagjin i helikopterit EC-145 me fluturimin në të njëjtën kohë po në Dukagjin të helikopterit “Shega Trans”? – Koha e stërvitjes për helikopterët e regjimentit tonë është si rregull i prerë 1 orë e 30 min. – Pse qëndroi mbi dy orë në fluturim helikopteri EC-145? Ai është rrëzuar mbi Liqenin e Shkodrës pas 125 minutash fluturimi.
Zgjatja e fluturimit mund të krijojë probleme të rënda edhe nga karburanti sidomos ky i yni! – Pse në bordin e helikopterit në fluturim stërvitor nuk ishte ashtu siç e përcakton në mënyrë të prerë rregullorja, inxhinier apo teknik fluturimi, por ishte një ushtar profesionist që e ka të ndaluar kategorikisht fluturimin me helikopter në stërvitje. Çfarë misioni kishte në bordin e helikopterit ushtari profesionist? Pse nuk u aktivizuan jastëkët e ajrit në këmbët e helikopterit me të cilat ai mund të notojë në ujë dhe asnjëri nga sistemet e tjera të sigurisë dhe shpëtimit të tij dhe së fundi, a ka lidhje ky mosaktivizim i sistemeve të sigurisë të helikopterit të mbytur me faktin, se asnjëri nga kolegët e mi të ndjerë në bord nuk plotësonin kushtet teknike profesionale të kërkuara për pilotimin e helikopterit EC-145? A plotëson kushtet kompania e mirëmbajtjes, e cila thuhet se është përzgjedhur nga njohjet e Sekretarit të Përgjithshëm, Arjan Kraja me miratim të ministres? Dhe një herë ju falënderoj për insistimin tuaj në zbardhjen e të vërtetës të kësaj ngjarjeje shokuese për njësinë tonë, por mendoj se vetëm një hetim i guximshëm, i paanshëm i këtyre çështjeve do të mund të nxjerrë nga fundi i liqenit të vërtetën e kësaj ngjarjeje tragjike. Me shumë respekt F.B”, thuhet në denoncimin e pilotit.

600 mijë litra karburant për helikopterët në Lushnje

Cilësia e karburantit është një nga pistat kryesore të hetimit të rrëzimit të helikopterit EC 145 në Liqenin e Shkodrës, ku humbën jetën dy pilotë dhe u plagos rëndë një ushtarak. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, ka dyshime të forta se karburanti është i një cilësie shumë më të ulët se sa e kërkojnë standardet për helikopterët. Por më e keqja është se nafta ndodhet tërësisht jashtë syve të ushtrisë dhe Repartit të Farkës. Burime të besueshme thanë për Droni.al se të paktën 600 mijë litra karburant që përdoret nga helikopterët është e magazinuar në Lushnjë dhe jo në Farkë.
Përveç kësaj ka edhe procedura fiktive të marrjes në dorëzim të sasisë së naftës. Gjithë kjo sasi është bërë hyrje në mënyrë fiktive në depot e Farkës, ndërkohë që ndodhet në tankerat në Lushnjë. Sikurse mësohet karburanti është blerë në Maqedoni, ku në fakt është përfituar me një çmim më të ulët se sa në Shqipëri. Por për ruajtjen e këtij karburanti depozitat e duhura i ka vetëm baza ajrore e Farkës dhe jo Lushnja, e cila nuk i ka depozitat sipas kritereve teknike të ruajtjes së karburantit për helikopterë.
Po ashtu bëhet e ditur se, helikopteri EC 145 është ngritur nga baza ajrore, por qendra e kontrollit dhe raportimit ose siç njihet ndryshe kulla e trafikut ajror nuk ka të regjistruar ngritjen e helikopterit. “Nuk kanë të regjistruar asgjë, nuk ka disk të fluturimeve që regjistrohen për çdo ngritje helikopteri. Ta vendosë audio nëse e ka, por është e sigurtë që nuk është zbatuar procedura standarde e komunikimit me kullën e trafikut ajror”, ka bërë të ditur një anëtar i personelit ushtarak që ka dijeni për këtë procedurë fluturimi që është shkelur.
Kulla e trafikut ajror në Farkë ka një personel prej 21 vetash, por dyshohet se nuk disponon gjurmë të ngritjes së helikopterit ditën e aksidentit tragjik, ku humbën jetën dy pilotët dhe u plagos një ushtarak. Nëse lëvizja e helikopterit nuk është shënuar, atëherë cili ka qenë qëllimi i fluturimit të tij?
Grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Ushtarakët e bazës ajrore në Farkë, gjatë marrjes në pyetje ditën e djeshme, kanë deklaruar se, Eurocopter EC 145, helikopteri që u rrëzua në Liqenin e Shkodrësu kontrollua para se të ngrihej në fluturim. Bëhet e ditur se, krahas komandantit të Bazës, Kuto Hasani, grupi hetimor mori në pyetje shefin e shtabit të bazës ajrore, shefin e sigurisë së bazës, përgjegjësin e teknikës në Farkë, si dhe inxhinierët e teknikët e regjimentit të helikopterëve. Ushtarakët vunë në dispozicion të akuzës urdhërat për zhvillimin e fluturimeve stërvitore, planet e fluturimit për datën 6 Prill dhe itinerarin e ndjekur, librin e përgatitjes për fluturimin e helikopterëve “EC 145” dhe librin e përgatitjes bazë, të cilat në përputhje me procedurat ligjore janë të sekretuara nga rreshterja Sofije Ramçaj. Kjo e fundit nuk u mor në pyetje, pasi ka dalë në rezervë disa muaj para rrëzimit të helikopterëve.
Ndërkohë, prokurorët që po hetojnë rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës, nuk i ka bindur dëshmia e parë e ushtarit të plagosur Gerald Baramuça. Ata kanë patur dyshime mbi vërtetësinë e pohimeve të tij, se nuk mbante mend asgjë nga aksidenti. Për këtë arsye, oficerët e Policisë Gjyqësore do të rikthehen përsëri në Spitalin e Traumës për ta pyetur sërish atë në lidhje me aksidentin, ku humbën jetën pilotët Floran Delia dhe Donald Hoxha.
Në dëshminë e parë, Baramuça u tha hetuesve se, nuk kujtonte asnjë detaj nga rrëzimi i helikopterit, duke lënë pa përgjigje shumë pikëpyetje të grupit hetimor. Këtë të martë, ai kreu një ndërhyrje tjetër kirurgjikale në shpatull dhe gjendja e tij paraqitet e përmirësuar. Pritet që këto ditë Baramuça të merret sërish në pyetje nga prokurorët e çështjes.
Po ashtu, grupi hetimor është në pritje edhe të ekspertizës së “kutisë së zezë” të helikopterit, e cila është dërguar në Gjermani. Nuk dihet nëse do të ketë provë materiale në kutinë e zezë, pasi ajo është dëmtuar në momentin e nxjerrjes nga helikopteri që ishte rrëzuar në Liqenin e Shkodrës.

R.POLISI

Artikulli paraprakRevolta qytetare për prishjet masive të banesave në Vlorë
Artikulli tjetërBie ndjeshëm besimi në ekonomi në muajt e parë 2016, poshtë mesatares afatgjatë