Hapen proçedurat, hetim për bankat, kanë shtrembëruar konkurrencën

Bordi i Autoritetit të Konkurrencës ka hapur proçedurat për hetim të përgjithshëm në sektorin bankar. Pas një monitorimi të bërë, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar abuzime për shkak të pozitave dominuese të bankave. Rezultatet flasin për fitime të mëdha të bankave në kushtet e një stanjacioni të kreditimit në vend, interesa të larta për kreditë dhe të ulta për depozitat si edhe rritje të komisioneve për pagesat brenda vendit.
Rekomandime dhe detyra janë lënë edhe për Bankën e Shqipërisë, për të cilën është kërkuar të ndërhyjë me udhëzime dhe urdhra si një rregullator për sektorin. Autoriteti i Konkurrencës pas hetimit të kryer për sektorin bankar dhe monitorimin e tyre vëren se konkurrenca në këtë sektor mund të jetë shtrembëruar apo kufizuar, duke abuzuar me pozitën dominuese të tyre. Në vendimin e 7 marsit 2017 të Bordit të këtij autoriteti u konstatua se bankat kanë norma të larta fitimi në kushtet e një stanjacioni të kreditimit, interesa të ulta të depozitave dhe diferenca e lartë me interesat e kredive.
Po ashtu, rritje të komisioneve për pagesat kryesisht brenda vendit. Për të gjitha rezultatet e monitorimit, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur të hapë proçedurën e hetimit të përgjithshëm në sektorin bankar për të vlerësuar nëse konkurrenca në këtë sektor është e shtrembëruar si pasojë e sjelljes së një ose disa bankave. Po ashtu, janë kërkuar të dhëna dhe informacione nga subjektet që operojnë në treg, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave.
Për këto shqetësime janë zhvilluar edhe tryeza diskutimi me insititucionet e sipërpërmendura dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, duke u lënë edhe rekomandimet përkatëse. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, sektori bankar ka nevojë për një mbikëqyrje më të fortë ndaj sjelljeve antikonkurruese dhe BSH duhet të ndërhyrjë si rregullator. Është kërkuar po ashtu rishikimi i memorandumit të mirkuptimit mes BSH dhe Autoritetit të Konkurrencës, riformulim i rregullores së Bankës së Shqipërisë  lidhur me transparencën e produkteve dhe shërbimet bankare financiare. Por mbi të gjitha kërkohet që t’i mundësohet klientit lehtësi dhe ulje të kostove.

Situata politike pasoja në ekonomi

Banka e Shqipërisë paralajmëron se kriza politike dhe zgjatja e saj do të ketë pasoja negative për ekonominë dhe rritjen e saj. Guvernatori, Gent Sejko, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës thotë se të tilla situata sjellin pasiguri. Guvernatori rikonfirmoi edhe një herë betejën e nisur me euroizimin e ekonomisë, ndërsa vërehet një rritje e kredive në monedhë vendase kryesisht për individët. Hezituese, kërkesë jo cilësore dhe gjendje e bollshme kapitali shfaqet situata për bizneset, për të cilat kreditimi mbetet në stanjacion. Në 18% janë ulur edhe kreditë me probleme në fund të 2016 dhe dy muajt e parë të 2017. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka lajmëruar ndikimin negativ për rritjen ekonomike të situatës politike në vend. Sipas tij, Banka e Shqipërisë ka marrë parasysh zhvillimet elektorale, ndërsa ka paralajmëruar edhe korrektime për rritjen ekonomike përgjatë këtij viti. Një plan masash po bëhet gati edhe për bankat që pas hetimit të Autoritetit të Konkurrencës kanë shtrembëruar konkurrencën mes tyre. Beteja të përditshme duket se Banka e Shqipërisë po zhvillon edhe për deeuroizimin e ekonomisë. Guvernatori thotë se është rritur portofoli i kredisë në monedhë vendase dhe se kreditë me probleme kanë zbritur në 18% në fund të 2016 dhe për dy muajt e parë të 2017. Sipas Bankës së Shqipërisë tregjet financiare shfaqen të qeta dhe rritja ekonomike vijon edhe për 2017, ndërsa ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.25%.

Sejko “i shpall” luftë euros

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, njoftoi se këtë vit, në fokus të aktivitetit të Autoritetit Monetar do të jetë deuroizimi i ekonomisë vendit. Kjo nismë, sipas tij, synon të fuqizojë më tej monedhën vendase, Lekun, proces ky që do të bëjë më të lehtë përçimin e stimulit monetar në ekonomi dhe do të rrisë stabilitetin financiar në vend. Guvernatori tha se plani synon të mbrojë atë pjesë të kredimarrësve në valutë dhe që i kanë të ardhurat në lekë. Ai tha se për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë do të përdorë dy mjete që janë në funksionin të saj: Ponderimi i aktiveve në euro në një normë më të lartë dhe rinumërimi i rezervës së detyrueshme, duke favorizuar monedhën vendase. Ai tha se përveç këtyre masave, publiku do të ndërgjegjësohet për të përdorur më shumë Lekun nëpërmjet një fushate të posaçme. Gjithashtu në këtë mision, Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë edhe me institucione të tjera si Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Guvernatori Sejko komentoi edhe zhvillimet në situatën politike në vend, duke lajmëruar një ndikim negativ në ekonomi nëse kriza zgjat. “Modelet tona të politikës monetare marrin në konsideratë zhvillimet elektorale. Natyrisht janë marrë parasysh edhe zhvillimet elektorale. Praktikisht modeli ka një korrektim, por ne shpresojmë që proceset të zhvillohen në afate”, tha Guvernatori. Banka e Shqipërisë vlerëson të rëndësishme që reformat duhet të vijojnë dhe të mos ndikohen nga zhvillimet politike, shtoi. “Në rast se kriza politike do të jetë e tejzgjatur, pasoja negative do të ketë. Kjo ndikon në rritjen e pasigurive dhe kjo ishte e pritshme”, tha Sejko. Banka e Shqipërisë po monitoron situatën dhe në vijimësi do të kemi të dhëna të azhornuara ku do të përfshihen edhe efektet e situatës politike në ekonomike.

Artikulli paraprakThellohet afera CEZ, qeveria i fal edhe 50 milionë euro taksa të tjera
Artikulli tjetërHow George Soros picks candidates and ruins countries