Hahn në Kosovë: Kriteri është i qartë, pa ratifikuar marrëveshjen nuk ka viza

Pas takimit të mbajtur me përfaqësuesit kryesorë të politikës kosovare, eurokomisioneri Johannes Hahn ka përsëritur edhe një herë thirrjet e Bashkimit Europian, të cilët kanë kërkuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, në kuadër të vazhdimit të procesit për liberalizimin e vizave. Duke bërë thirrje për dialog mes qeverisë dhe opozitës, ai tha se BE-ja është e gatshme për të ndihmuar, por në fund të fundit, marrëveshja duhet të ratifikohet nga institucionet vendase. “Sa i përket çështjeve konkrete të lidhura me liberalizimin e vizave palët mbajtën qëndrimet e tyre tashmë të njohura dhe të kundërta në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Unë isha shumë i qartë se pa një zgjidhje të këtij problemi nuk do të ketë liberalizim të vizave. Gjithashtu, u kam bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve që të marrin pjesë në mënyrën konstruktive në proceset e zhvillimit të mëtejshëm të vendit. Bashkimi Europian, zyrtarët e këtij organizmi përfshirë këtu edhe unë, delegacionet dhe ambasadori janë gati që të ndihmojnë, por në përfundim, zgjidhja duhet të vijë nga institucionet e Kosovës”. Takimi i Hahn me përfaqësuesit kryesorë të qeverisë dhe opozitës u përshëndet menjëherë nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook vlerësoi dialogun si një pikë kyçe për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për stabilitetin politik të Kosovës. Nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Ymeri, shprehu edhe një herë kundërshtimin e forcës politike të drejtuar prej tij, duke shkruar se gjatë takimit i kishte komunikuar eurokomisionerit mospajtim në lidhje me kushtëzimin që po i bëhet Kosovës për liberalizimin e vizave, përmes vendosjes së Marrëveshjes së Demarkacionit si kusht për përmbushjen e këtij procesi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reagoi pas takimit që komisioneri Johanes Hahn në Prishtinë zhvilloi me drejtues politikë atje, duke theksuar se mirëpret takime të tilla për t’i dhënë fund ngërçit politik. Thaçi thekson se dialogu politik dhe stabiliteti i institucioneve janë kushte të domosdoshme për Kosovën. “E mirëpres dhe përshëndes takimin e përbashkët të liderëve të partive politike parlamentare të mbajtur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dua të ritheksoj se dialogu ndërpartiak është qenësor për funksionimin demokratik të institucioneve dhe për stabilitetin politik në vend. Ndërkaq, funksionimi demokratik i institucioneve dhe stabiliteti politik janë kushte të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe për jetësimin e vizionit tonë euroatlantik”, shprehet Thaçi.

Artikulli paraprakProkuroria, asnjë përgjigjie nga ambasada e Interforca italiane
Artikulli tjetërGjykata e Tiranës, në 2015-ën u trefishua numri i falimenteve të bizneseve